Abdyrahman Pasha / Абдурахман Паша

Pashallëku i Tetovës nën Abdurrahman Pashën - Prof.Dr. Ali Vishko

Abdurrahman Pasha, djali më i madhë i Koxha Rexhep Pashës trashëgoi Pashallëkun e Tetovës pas vdekjes së babait të tij në vitin 1822. Abdurrahman Pasha me marjen e pashallëkut e rriti gardën e vet në 1000 veta të armatosur, dhe në krye të gardës e vuri vëllain e vet – Veli Beun, e më vonë Hasan Beun, të vëllanë tjetër. Në këtë kohë Pashallëku i Tetovës nën Abdurrahman Pashën, përveç Tetovës me rrethinë, përfshinte dhe Gostivarin, Kërçovën e Kaçanikun me rrethinat. Sipas të dhënave të udhëpërshkruesit e studiuesit gjerman – profesorit të Universitetit të Getingenit – Grizebahut, i cili në vitin 1839 vizitoi rezidencat e Havzi Pashës e Abdurrahman Pashës, nën pashallarët shqiptarë të Tetovës ishin 14 kaza ose rethe, të cilat e përfshinin një pjesë të madhe Kosovën, Sërbinë e sotme jugore, Bullgarinë Perëndimore dhe tre të katërtat e Maqedonisë aktuale, siç ishin kazatë e Shkupit e Kaçanikut, Tetovës, Kërçovës, Dibrës, Qustendilit, Kratovës e të Koçanës.

Abdurrahman Pasha, si i ati – Koxha Rexhep Pasha, u angazhua për ngritjen e godinave kulturore, strategjike e të tjera, për meremetimin e rregullimin e atyre ekzistuese etj. Si më të njohura nga ato godina mes tjerash, janë Xhamia e Larme ose Allaxha Xhami, Kalaja e Tetovës e të tjera. Xhamia e Larme, e cila është ndërtuar në vitin 1564 nga motrat Hyrshide dhe Mensure hatuni – oborrtare të oborrit perandorak, u meremetua, u regullua dhe u përmisua në gjysmën e parë të shekullit XIX nga ana e Abdurrahman Pashës, në të cilën gjendje është edhe sot. Kalaja e Tetovës, siç është thënë dhe më parë, filloi të ndërtohet tek nga fundi i shekullit XVIII nga ana e Koxha Rexhep Pashës, por pasi duheshin shuma të jashtëzakonshme të hollash, të cilat Pashai në atë kohë nuk mund t’i siguronte dhe, pasi ndihma që u kërkua nga Qeveria qendrore e Stambollit nuk ishte dhënë, pashai në fjalë ndërtimin e kësaj kalaje e ndërpreu. Por me qëllim të forcimit të pushtetit dhe sigurimit nga sulmet eventuale të feudalëve fqinjë, ndërtimin e mëtejshëm të Kalasë në Tetovë vazhdoi të bënte Abdurrahman Pasha, me ardhjen në krye të Pashallëkut të Tetovës, në vitin 1822. Si një fortifikatë impozante, ndrequr me mure të trasha 3-4m. kat. Me gurë biguri, Kalaja kishte dy porta hekuri – njëra në anën jug-lindore e tjetra nga verilindja e kalasë, ku ishin dhe karakollat (postat e rojeve) masive, me zandana të thella e të errëta, me çengela speciale për varjen e njerëzve të dënuar. Nga mesi, në pjesën jugore të Kalasë, ishte saraji i bukur i Pashait, me dhoma e banjë speciale, dhe pranë portës juglindore ishte kuzhina e madhe si dhe salla e ngrënies, ku mund të ushqeheshin 1000 vetë. Ndërmjet sarajit e kuzhinës ishte pusi i thellë dhe i madh, rrethuar me blloqe speciale të gurit të bigurit dhe te porta juglindore ishte çesma e Kalasë. Për pajisjen e Kalasë me ujë, ishin vënë dhe gypa nga Kalaja e deri te burimet në malet e Sharrit. Nga shkaqet e rreziqeve eventuale, në kala ishin ndërtuar dhe tre tunele nëntoksore, ku njëri tunel dilte në fshatin Llavcë, i dyti tunel dilte në qytet te lumi Shkuma, dhe tuneli i tretë dilte direkt te pallati i Abdurrahman Pashës në Tetovë(Konaku Palloshi). Me anë të tunelit të fundit anëtarët e familjes së Pashait shkonin për shëtitje, në vikend me pajton në Kala. Sipas tregimit gojor të popullsisë së vendit, në fund të kompletimit të ndërtimit të Kalasë, vjen urdhëri nga Sulltani për internimin e Abdurrahman Pashës, e me atë rast pashai në fjalë, mes tjerashm paska thënë:

„Ti uji i çesmes erdhe, por unë shkova!...“

Në vitin 1840 papritmas erdhi deri në grindjen mes djemve të Koxha Rexhep Pashës – Abdurrahman Pashës, Havzi Pashës dhe Hasan Pashës, për shkak të trashëgimisë së zotërimeve të të përmendurit Koxha Rexhep Pasha. Kjo solli dhe deri në konflikt mes vëllezërve, forcat e të cilëve u ndeshën në fshatin Llërce të Tetovës. Me ndërhyrjen e angazhimin e ndërmjetësuesve, vëllezërit ishin pajtuar, kështu që nuk erdhi deri në luftë vëlla vrasëse. Pasi Porta e Lartë u njoftua me këtë ngjarje, pa vonesë intervenoi, dhe vëllezërit e përmendur – Abdurrahman Pasha, Havzi Pasha dhe Hasan Pasha u thirrën në Stamboll për hetime, si dhe për pajtim. Në bisedat me vëllezërit pashallarë të përmendur, Porta e Lartë nga ata kërkoi që të mbledhin e të dërgojnë Perandorisë Osmane rekruta për nevojat ushtarake dhe atë ushtarë nizam ose të rregultë. Këtë kërkesë vëllezërit e përmendur – Abdurrahman Pasha, Havzi Pasha dhe Hasan Pasha nuk e pranuan, por kërkuan që shqiptarët shërbimin ushtarak ta kryejnë në trevat e veta. Për shak të një refuzimi të tillë, të tre vëllezërit me familjet e tyre me anijen „Erili“ nëpërmjet Selanikut ishin burgosur në Stamboll, ku edhe janë likuiduar.

Porta e Lartë pasi hoqi prej administrimit këta tre pashallarë shqiptarë, siç ishin Abdurrahman Pasha i Pashallëkut të Tetovës. Havzi Pasha i Pashallëkut të Shkupit dhe Hasan Pasha i Pashallëkut të Qustendilit, në krye të këtyre pashallëqeve emëroi Qor Mehmet Beun nga Çanakalaja. Pas vitit 1840 në Pashallëkun e Tetovës mbeti djali më i vogël i Koxha Rexhep Pashës, Xheladin Beu, i cili kryente një lloj administrimi të kufizuar në këtë pashallëk, nën kompetencën e Qor Mehmet Beut.