Burimi: Material i shkëputur nga Prof.Ismet Jonuzi - Krosi "SIMBOLI I QËNDRESËS KOMBËTARE", Shtypshkronja ArberiaDesign, TETOVË, DHJETOR 2011, f.257, 258, 259 dhe 260.
Me rastin e shënimit të 17 vjetorit të vdekjes së Mehmetriza Gega, ju sjellim një bisedë me Abdylvehap Imerin, e realizuar nga Prof. Ismet Jonuzi - Krosi
/Bisedë me Abdylvehap Imerin, më 17.09.2008, pronar i fabrikës së çokollatës WIA Tetovë/
Kjo familje me prejardhje është nga fshati Gjorgjovisht i Malësisë së Sharrit, të cilën e dëshmojnë një mori faktesh duke filluar që nga periudha e xhonturqve e këndej, janë bashkëvendës të Shaip Kaçakut, ndërsa në Tetovë shpërngulen në vitet e para Luftës së Dytë Botërore.
Familjarisht merren me veprimtari prodhuese dhe tregtare, duke filluar nga stërgjyshërit e deri më sot. Z. Vehapi me të kuptuar se përgatisim monografinë për veprimtarinë e Mehmet Gegës, na sugjeroi që të mos lëmë ngjarje e vit të jetës së tij pa mos e shënuar ngase atë e kemi obligim moral fetar e kombëtar para gjeneratave tona dhe se Zoti nuk do të na fal kurrë.
Gjatë bisedës me të kuptova se, prindi i tij i ndjerë, Murat Imeri (1928-1995), ka qenë mbështetës i denjë i idealeve të Mehmet Gegës, që ky malësor i urtë e trim gjithmonë i ka frymëzuar e fëmijët e tij për të drejtën dhe të vërtetën.
Me rastin e burgosjes së Mehmet Gegës me shokë në vitin 1955, në Gjykatën e Qarkut në Gostivar, Murat Gjorgjovishti ka qenë në sallë ku janë dënuar këta intelektualë që propagandonin haptazi që shqiptarët të mos i lëshojnë trojet e tyre etnike, dhe se Anadolli është ferri i shqiptarëve që sllavët e kanë përgatitur me turqit. Edhe pse Murat Imeri, për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, pos që ka qenë kundër me vepër atë e ka dëshmuar edhe me mos shkuarjen kurrë në Turqi tek disa pjesëtarë të familjes së tij, bile edhe nuk u ka mundësuar mirëseardhje apo konak allamalësorçe me të vetmin qëllim se ata kanë bërë tradhti dhe propagandë për shpërnguljen e shqiptarëve për në Anadolli.
Gjyshi Lazim Imeri (1873-1971), pjesëmarrës i Dy Luftërave Botërore, dhe i zhgënjyer për çështjen kombëtare, kurse në Luftën e Dytë Botërore mori pjesë me dy djemtë e tij në Slloveni në taborin e antifashistëve, me i humbi djemtë atje kurse djali më i vogël i tij mbeti i vetmi mashkull i oxhakut të kësaj shtëpie me tradita të lashta malësorçe. Gjyshi Lazim, është dhe mbetet figura më burrërore e Abdylvehap Imerit, që thotë se prej tij kam mësuar se ç'është krenari dhe mburrja, andaj i jam mirënjohës gjyshit tim Lazim Imerit.
Siç dihet se Mehmet Gega, ka vuajtur disa herë burg, dhe kurrë nuk është pajtuar me sistemi që nën kupton se edhe nuk ka kërkuar punësim ngase edhe kanë mundur që ta kushtëzojnë. Për këtë pas mbarimit me faqe të bardhë të burgut të demonstratave të vitit 1968, ai kthehet në familje. Në vitin 1978, kur ne si familje, thotë Abdylvehapi se, me urdhër të babës tim që detyrimisht duhet që Mehmet Gegës t’i dilet në ndihmë, dhe atë të merret në punë në shitoren tonë që merreshim si pemëshitës me emrin “JAFA” në rrugën e “Ilindenit” nr. 154 që më mirë e njohin si rruga e e Gostivarit. Edhe pse ne në shitore kishim një punëtor, por ndjenim obligim që ta ndihmojmë Mehmet Gegën, me ç'rast e ai erdhi tek ne në shtëpi ngase ia ishte sikur anëtarët e tjerë të familjes sonë bile me një nderim të veçantë. Pasi që ia i tregoi hallet e veta ekonomike babës Murat, edhe pse ai fare mirë e dinte se Mehmet Gega i ka të drejtat e cunguara nga sistemi komunist, por të gjithat i mori parasysh dhe vendosi që patjetër t’i ndihmohet përkatësisht ta marrim në shitore ku do të siguronte rrogën e rregullt. Duhet theksuar, se kjo ishte një kohë mjaft e vështirë, rrallë kush kishte guxim që t’i fliste Mehmet Gegës e jo që t’i ofronte vend pune. Por, ja që Mehmet Gega u bë pjesë e jona. Me fillimin e atij, inspektorët na vizitonin shumë shpesh duke na ndëshkuar me pretekste banale duke mos pasur guxim që të na thonë ta largojmë Axhën Mehmet nga puna. Por, habit fakti, se më së shumti kokëçarje kemi pasur me inspektorët shqipfolës, që nuk e meritojnë tua përmendi emrat ngase emrat e tyre për ne janë vetëm shërbëtorë të shtetit sllav.
Për sjelljet dhe veprimet e inspektorëve, Axha Mehmet Gega si gjithmonë reagonte me ashpërsinë e një burri të mençur duke i quajtur si shërbëtorë të antishqiptarizmit, mirëpo unë çdo herë e qetësoja duke i thënë leri o Axha mehet se koha do t’i shkatërroje, ndërsa ia më thoshte :”Vehap ti nuk i dish shqiet...!?”. Lidhjet me Shqipërinë qysh atëherë i shikoja pasi të gjitha takimet me Mehmet Gegën realizoheshin në shitoren “JAFA”, ku ilegalisht gjoja se blihej diçka ku edhe realisht blinin, por caktoheshin takime dhe biseda se ku dhe kur do të bëhen. Rruga e Gostivarit siç dihet e lidh Tetovën me Malësinë dhe me fshatrat rrëzë Malit Sharr, lëvizjet e transportit që vinin nga Shqipëria për në xeheroren e Radushës, kalimin e kishin pranë shitores sonë. Parkingu i transportit që vinin nga Shqipëri ishte afër shkollës së mesme të bujqësisë, shenjat i linin në kalim e sipër që të takohen me Mehmet Gegën qoftë ky i fundit të shkojë me biçikletë tek ata apo diku tjetër ku merreshin vesh.
Ne ishim të vetëdijshëm se Mehemet Gega në shitoren tonë kryente aktivitetet e tij kombëtare, por ne ishim të vendosur që ta mbrojmë deri në fund edhe përkundër kërcënimeve dhe reprezaljeve të pushtetit komunist në bashkëpunim me shqipfolësit. Abdylvehapi, rrëfen me mburrje për personalitetin e Axhes mehmet dhe shton se herë pas here më thirrshin në polici duke iu kërcënuar edhe me likuidim, ashtuqë i kujtohet një rast kur inspektori maqedonas e ka mori në pyetje që nga orët e mëngjesit deri në orët e vonë të pasdites ku më thoshte se për ty liri ka mbaruar. Gjendeshim në ndërtesën famëkeqe në katin e katërt, ku më kishin lidhur për radiatori, mirëpo më e keqja ishte kur vinte inspektori shqiptar e thoshte: ”HIDHENI KËTË NGA DRITARJA”, ndërsa unë i thosha se hidhem vetë e nuk ka nevojë që të më preksh mu ti shqipfolës. Ndërsa më pas i drejtohej kolegut të tij sllav duke i thënë se unë jam kokëfortë shqiptar. Edhe pse është i ndjerë, por nuk mund të jem i qetë që të mos përshkruaj një ngjarje të cilën kurrë në jetë nuk do ta harroj se inspektori sllav më thoshte se shqiptari ka mend sa një laraskë, kurse shqipfolësi pos që kënaqej edhe qeshte me ironi apo siç i themi ne zgërdhihej, edhe pse e gjithë kjo skenë nuk më brengoste fare dhe përkundrazi ndihesha më krenar duke e ditur se pos që kanë hakmarrje ndaj familjes sime e cila kurrë nuk u pajtua me zaptuesit e huaj, kësaj here kishim edhe simbolin e qëndresës kombëtare Axhën Mehmet, i cili jo se shërbente apo shiste në shitoren tonë, por ai u jepte nxitje të rinjve shqiptarë, ua rrite moralin kombëtar e i këshillonte se një ditë kjo tokë do të jetë e lirë.
Axha Mehmet, ishte burrë mjaft karakteristik e shumë kompleks për ta definuar në trajtë lineare, por ai kishte edhe pikën e dobët në jetë, e ajo ishte dashuria e pafund ndaj fëmijëve që gjithmonë u fliste, i këshillonte, i mësonte që të përdorin gjuhën e pastër shqipe, gjithmonë e përshëndeste edhe fëmijën më të vogël, me çka i detyronte me sjelljen e matur e plot elegancë që ta përshëndesin edhe ata me buzë në gaz. Gjithmonë i pyeste për shkollimin, për kushtet, dijen e u thoshte se vetëm duhet të mësoni se kjo është e vetmja armë e juaj kundër armikut.
Në vitet 1980/81, pemësishtësit “JAFA”, pushteti komunist filloi t’ia shtojë sanksionet, vizitat, dënimet, obstruksionet e të ngjashme, por për habi të gjitha këto siç shprehet Vehap Imeri se ndikonin me dozë të shtuar të rezistencës dhe Zoti e shtonte punën nga dita në ditë që mundshim t’i përballojmë sanksionet që kishin të bënin kryekëput me personalitetin e Mehemet Gegës dhe familjes sime bujare e fisnike shqiptare.
Në vitin 1982, kur Këshilli Ekzekutiv i Komunës së Tetovës, filloi ta shtojë represionin ndaj nesh, aq shumë që në një mëngjes në ora gjashtë, kur erdhëm aty ata veç e kishin shkatërruar me buldozer me gjithë mallin dhe pajisjet tjera që i kishim në shitoren “JAFA”. Kjo ishte porosi e pushtetit komunist, se shitorja “JAFA”, ishte pengesë e halë në sy, se aty takoheshin e mira me të mirën, kombëtarja me atdhetarët, ardhmëria me rininë.