CEREMONITË RITUALE RRETH THIRRJES SË SHIUT NË FSHATRAT E TETOVËS.
Autor : Shtëpia Botuese "ÇABEJ" - Tetovë
"Kthimi i Skenderbeut në Krujë" - Murtezan Ismaili
fq. [99,100,101,102,103,104].
Rrethinën e Tetovës e përbëjnë Malësia e Sharrit,Malësia e Malit të Thatë,Malësia e Dervenit dhe Fusha e Pollogut të Poshtëm.
Shqiptarët e kësaj treve kanë ruajtur folklorin,doket e zakonet, gjuhën e çdo gjë tjetër me vlerë kombëtare.
Mjaftë interesant janë rritet që kryhen në kohë të thatësisë së verës,në muajt qershor e korrik. Për të sjellur shi,besohej në popull se duheshin bërë disa veprime të karakterit magjik.
"Shkenca ka vërtetuar se në themelin e një pjese mjaft të madhe të riteve magjike ka qenë bindja e njeriut primitiv se fenomenet e dëshiruara prej tij mund të shkaktohen nga veprimet e ngjashme. Kështu p.sh magjistari hipte në çatinë e kasollës së tij, derdhte tokë ujë më shtëmbë. Ai mendonte se shiu do ta ndiqte shembullin e tij dhe do t'i ujitë arat e zhuritura nga thatësira. Besohej se kjo do t'u sillte mbarësi". - Mark Krasniqi
Shumica e fshatrave malore të komunës së Tetovës kanë qenë terren i përshtatshëm për përhapjen e besimeve, është vërtetuar se në shumë fshatra ku është vjelur materiali,me ceremonitë rituale të shiut gjithmonë e udhëheqnin gratë plaka të fshatit.
Për të bërë "dardalec" ose "dadule" siç e quajnë ata të fshatit Sellca e Keçe dhe Novo Sellë, mblidhen vajza të moshës 8-12 vjeçare. Dadulja vishet mbi fshat në "Maj mullejnit". Në këto dy fshatra plaka i shoqëron fëmijët, ajo merr një kind të bardhë,kapakun e vorbës,këmishën e nusërisë,xhamadani,tirqit,një çorap i thurur dhe një opengë.
Derisa plaka përgatitën skeletin e drurit,vajzat mbledhin lule për ti dhëne formë kokës "dadules". Ajo mbështjell kapakun me patiskë duke emetuar sytë me thëngill,me lengun që lëshon lulja e kuqe "lule dallaku" u jep formë buzëve dhe faqeve kurse vajzat me kujdes ja veshin këmishën dhe zbukurohet me tela të nusërisë, mbi tela i hudhet kovraku i bardhë. Gjatë shëtitjes në fshat grupin e vajzave e shoqërojnë meshkujt po të asaj moshe. Bartëdja e "dadules" është fëmija i parë i prindërve i cili gjatë rrugës bërtet: "ujë,ujë". Ai vepron kështu sipas besimeve kinse qanë që të bie shi.
Fëmijët shëtitin nga shtëpia në shtëpi dhe e zonja e shtëpis në atë moment të vizitës e lagën "dadulen" ashtu edhe fëmijët, bartësi e shkundën "dadulen" duke i përplas këmbët,pika e ujit bie mbi tokë e me atë rast zonja e shtëpisë thotë : "Hajde, ishalla, t'gjere, shej, shej".
Pas kësaj i qeras fëmijët me miell e me gjalpë,vezë edhe fruta. Fëmijët më pas shkojnë ke burimi i fshatit dhe aty e hudhin dadulen në ujë, me atë rast hudhin kurorat e luleve në ujë e kthehen në shtëpi të plakës, i'a japin gjërat ushqimore me ç'rast ajo përgatitën kaçamak ose bakërdar ku plaka thotë: "me nijet t'Allahit, bëhet bakërdari për shej"
Rastin e "dadules" në Sellcë e quajnë "Hujlija" veshet në shtëpi nga plaka e fshatit, një dru që e bëjnë në formë njeriu njësoj si në Novo Sellë e Sellca e Keçe. Fëmijët këndojnë: "Hujli,dujli, çona zot ni pejk shi, t'i ujtim arat, t'i mbushim hambarat". Zonja e çdo shtëpie në këtë rast bërtasen duke e lagë "Hujlijën" me ujë: "Çe, shej be, t'ujiten arat, t'mbushen hambarat". Pas ceremonisë rituale "Hujlija" hudhet në lumin Shkumë.
Në fshatin Brodec besimi në popull ka qenë pjesë e jetës shpirtërore dhe kur nuk ka ra shi ato grupe grupe shetisin në fshat duke kënduar: "Bije shouj, përmbaj shpouj, do na lagje, mou e touj".
Në fshatin Sllatinë, Dobrosht e Nerashtë fshatarët pohojnë se është traditë kur gjendet gjarpëri i vrarë e hudhin në burimin e rrjedhshëm të fshatit, me besim se do të sjellë shi. Flijimi i gjarpërit që në mitologjinë shqiptare (secila shpouj e ka gjarpërin e vet) paraqet kultin e paraardhësve tonë, bëhet me qëllim që të sjellë plleshmëri dhe ti mbrojë njerzit.
"Gjarpëri ka zënë vend pothujase primar. Besimi në këtë kafshë htonike ishte aq i madh, saqë arriti në kult. Paraardhësit e popullit shqiptar- Ilirët me besimin që kishin ndaj tij (gjarpërit) e konsideronin si kafshë që simbolizon të mirën e të keqen. - Aleksandër Stipçeviqi
Në fshatin Bozovcë tradita e "Dadules" siç interpretohen nga pleqtë e të moshuarit të fshatit besohej se ajo do ta ndjellte shiun: " Dadilja" na thanë fshatarët se ishin "nishonet e t'lutmeve t'coullve" për dallim nga fshatrat tj në këtë grupin e fëmijëve me "Dadulën" e shoqëronte një burrë plak.
Edhe në fshatin Xhermë janë trashëguar me shekuj ritet e ndjelljes se shiut ku ceremoniali i ritit bëhet nëpërmjet dordalecit i njohur me emrin "Hejlinë" druri i veshur në form kukulle me veshje kombëtare të femrave. Ceremonit rituale përcjelle me këngën: "Hejlinë,dajlinë, ço zot ni pejk shej, të na ujten arat, të na mbushen hambarat".
"Li-lij, daj li, çoje zot t'na gjere shi, të na ujten arat, të na lagen shoqet, t'ujiten kollomoqet, t'laget Ajeti, t'ujitet bereqeti, t'laget Hamija, t'ujitet avlija, t'laget Rizvoni, t'ujitet duhoni..."
Në bazë të të dhënave që shënuam na del se riti i shiut është mjaftë i lashtë dhe se shqiptarët e kësaj ane trashëguan nga të parët e tyre një kulturë të pasur shpirtërore. Janë një dëshmi e madhe ku flitet për autoktoninë e shqiptarëve në këto troje ku jetojnë dhe sot!