Fotografia është nga vitet e 80-ta ose 90-ta, te qendra e Tetovës
Në 20 dhjetor ishte dita e parë e Kurban Bajramit, në minaret e disa xhamive u vendosën flamujt për nder të festës. Në punëtorinë e tij rrobaqepësi Ismail Spahiu (Ejupi) i njohur edhe me emrin Ismail ustai e vendosi flamurin kombëtar shqiptar për nderë të festës, por natën dikush e kishte marrë, Ismail ustai vendosi përsëri flamurin kombëtar, natën u përsërit gjesti i njejtë u morë flamuri me 22 dhjetorë u vendos flamuri i tretë me radhë.
Në mbrëmjen e 22 dhjetorit 1968 aty kah ora 19 në shtëpinë time vjen shoku im i ngushtë Sefer Musliu dhe më thotë: sonte do të bëjmë rroje të shohim kush është ai person që e merr flamurin, rrojën do ta bëjmë në kioskën e babait të tij që ishte pothuajse e ngjitur me punëtorinë e Ismail ustait. U pajtova me te dhe së bashku shkuam te shtëpia e tij që ndodhej në lagjen e Vardarit ku morëm një pistoletë dhe një thikë që të na gjendet për çdo rast. Aty kah ora 20 e ca minuta arritëm tek dyqani i Ismail ustait kur shohim flamuri nuk është në shtizë pyesim se çka ndodhi me flamurin na thanë se fotografi Sreçko Janevski e morri flamurin, në Kioskën e Seferit i lamë armët dhe u drejtuam te shtëpia e Ismaili ustait që ti tregojmë se çka ka ndodhur dhe çka duhet bërë. Te shtëpia na priti Ismaili ku i treguam se Sreçko Janevski e ka marrë flamurin dhe i thamë që me ne të vij njëri prej katër djemve të tij se kemi vendosur që të bëjmë kallëzim në milici (polici).
Nuk kishte çka të bënte dhe e thirri djalin më të vogël Ejupsabri Ejupi që të vjen me ne dhe të shkojmë në milici të bëjmë kallëzimin. Së bashku që të tre shkuam në milici, tek milici (polici) kujdestar dhe bëmë kallëzimin, polici kujdestar na i morri të dhënat të treve si dhe shkroi kallëzimin në ditarin e kujdestarisë. Pasi nënshkruam kallëzimin e bërë polici na tha se jeni të lirë.
Kur dolëm prej ndërtesës së policisë në oborrin e policisë takuam arsimtarin Abdulla Kalishta, arsimtarin Salajdin Hyseini, Dr. Mahmut Bajarktari dhe Dr. Harun Jakupi të cilët kishin ardhur që të bëjnë të njëjtin kallëzim, u thamë që të largohen menjëherë pa i parë policët se kallëzimin e kemi bë ne dhe s'ka nevojë që të bëni të njëjtën edhe ju. Ata u larguan menjëherë prej policisë si dhe ne morëm rrugën kah qendra (sheshi) i qytetit ku në parkingun përsëri u takuam me ta dhe filluam të komentojmë se çka ka ndodhur, duke komentuar filluan të mblidhen edhe qytetarë tjerë dhe u bë një grup mbi 30 qytetarësh, nga ana tjetër në atë kohë shohim Sreçko Janevskin me nënën e tij duke kaluar nëpër parking dhe që të na irritoj nxori revolen prej brezi. Të rinjtë çka ndodheshim aty menjëherë reaguan duke vrapuar pas tij, por ai ia mbathi në drejtim të Hotel Makedonija (sot Hotel Liraku) ku hyri brenda dhe iku nga dera e pasme e tij dhe kërceu murin për të hyrë në shtëpinë e vëllait të tij Tihomirit. Ajo masë e vogël që ishmi aty përsëri u mblodhëm tek parkingu dhe u drejtuam ka kioskat e gazetave që ndodheshin afër studios së Sreçko Janevskit ku ndërkohë dolën prej dy kinemave shikuesit dhe në atë udhëkryq u bë një masë prej mbi 300 personave. Në atë moment më lindi ideja që për ta ndez masën të nisim me parulla dhe i them Seferit a ia nisim parullave, ai më tha po dhe nisëm të brohorisnim poshtë nacionalizmi, Tito-Fadil, barazi-drejtësi masa na u bashkëngjit dhe ca të rinj filluan të demolojnë studion e fotografit Sreçko. Pas ca minutave pushuam dhe vendosëm të shpërndahemi duke thënë që nesër në ora 12 të tubohemi përsëri dhe të protestojmë në qendrën e qytetit. Për çudi edhe pse erdhën polic nuk reaguan fare, vetëm e vëzhgonin situatën.
Në mëngjesin e 23 dhjetorit shkova në shkollë pasi që në mësim isha në ndërrimin e parë. Pasi u takova me shokët e klasës u tregova se çka ndodhi në mbrëmje në qytet dhe u thash se sot në ora 12 do të ketë tubim më të madhë në qendrën e qytetit gjegjësisht do të ketë demonstrata dhe është mirë të njoftoni edhe nxënësit tjerë në klasat tjera që sa më shumë të jemi në qendër. Pas mbarimit të orës së katërt të mësimit, lëshova mësimin dhe u nisa kah qendra e qytetit, rrugës u ndala te libraria Rilindja ku ishte kryepunëtori Fehmiu, Faik Mustafi dhe prof. Ramadan Sinani. Faiku mori letra (hamer) dhe nisi të shkruan parullat si Poshtë shovinizmi, Poshtë Nacionalizmi, Duam drejtësi, Duam barazi dhe tjera, unë i ndihmova të ngjiten në korniza druri që të barten më lart dhe ua dhamë disa të rinjve që të nisen ka ura te Hamami i Vjetër pasi që aty policia kish bllokuar rrugën dhe nuk mund të depërtonin turma e njerëzve dhe nxënësve që ndodheshin matanë urës. Policia kur i pa të rinjtë me parulla u defokusua dhe turma shpërtheu kordonin policor dhe u drejtua kah spitali ku banonte Xhemali Vejseli Kryetar i Komitetit Komunal të Partisë Komuniste të Maqedonisë ku u ndalën një kohë të shkurtër duke brohoritur dhe turma vijoi rrugën për kah komuna e Tetovës e mandej shkoi para ndërtesës së Komitetit Komunal të PKM, ku Hamit Salii me ca tjerë hyri brenda ndërtesës dhe në katin e dytë në zyrat e komitetit vari flamurin kombëtar. Turma prej disa mijëra vijoi rrugën në qendrën e Tetovës dhe aty në shtyllat e flamujve varën flamurin kombëtar.
Sigurimi shtetëror futi në mes të turmës njerëzit e vet të cilët përhapën informatën e rrejshme se janë burgosur disa intelektual shqiptar si Abdylaziz Islami, Mustafa Loçi dhe Murat Isaku dhe arritën që të mashtrojnë se duhet thyer burgun që të lirohen të burgosurit. Demonstrantët u nisën në drejtim të policisë ku na pritnin policë të armatosur gjerë në dhëmbë por fal disa policëve shqiptar na treguan se nuk ka të burgosur por qëllimi është që ju të sulmoni ndërtesën e policisë dhe të burgut dhe ato të vrasin demostrantët. Pas kësaj informate përsëri demonstrantët u nisën kah qendra dhe kah ora 17 me megafona policia lajmërojë se pas gjysmë ore fillon ora policore dhe kush do të kapet në rrugë do të burgoset, demonstrantët pas këtij apeli të policisë filluan të largohen nëpër shtëpi.