EMIN REXHEP ROSHI (1918-2008)
Emin Rexhep Roshi, lindi më 18.09.1918 në Tetovë, rrjedh nga një familje e vjetër qytetare e cila njihet për shumë veprimtari që përkojnë me kauzën kombëtare që nga të parët ndërsa si kurorëzimi i aktiviteteve kombëtare është periudha gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sipas dëshmive të djalit të tij Nevzat Roshi. Njihet si një ndër personalitetet më me ndikim për ta unifikuar veprimin politik kombëtare pas kapitullimit të Italisë fashiste. Për këtë është dëshmi kuvendi i mbajtur në kompleksin Arabati në prani të Hirësisë së Tij Sheh Baba Qazimi, ku përmenden edhe Sherif Mina, Selaman Shehabi-Luma, Idriz Ibrahimi-Cërcëri, Naxhi Xheferri-Spahiu si dhe dy apo tre të tjerë. Emin Roshi me bindje është në taborin e së djathtës shqiptare përkatësisht njeri që nuk ka pranuar kurrë e as sot nuk pranon sundues që sipas tij prej Lidhjes së Prizrenit e këndej tokat shqiptare duhet që të bashkohen në një shtet se çdonjërin sundues e kemi luftuar e do t’i luftojmë deri në realizimin e së drejtës së bashkimit kombëtar.
Shkollën fillore e ka kryer në Tetovë, regjistrohet në gjimnazin serb, prej ku përjashtohet në vitin e fundit të shkollimit për shkak të ideve përparimtare kombëtare ngase të gjithë nxënësit e kësaj shkolle që nuk kanë qenë serbë janë trajtuar si turq. Emin Roshi i kundërvihet kësaj politike shoviniste serbomadhe. Në moshën 15 vjeçare me disa shokë në vitin 1935 e formojnë “Klubin muzikor”. Në këtë grup kanë marrë pjesë edhe aktivistë të tjerë si; Idriz Cërcëri, Sheref Kazazi, Hysein Xhaferi, Selim Shehap-Luma e shumë të tjerë.
Me kapitullimin e Jugosllavisë së mbretit, prej ditës së parë Emin Roshi me shokë kyçen në organizimin e jetës ngase në Tetovë në atë kohë ka mbizotëruar kaos i madh, duke mos ditur se ku do të jenë kufijtë e interesit të Italisë dhe Bullgarisë.
Emin Roshi bashkë me shokë nisen me biçikleta drejt në prefekturën e Dibrës pasi që atje kanë qenë të instaluar italianët. Shkuarja e tyre kishte për qëllim që të informohen saktësisht për ndarjen e re territoriale. Aty informohen për kufirin Italo-Bullgar që kishte të bëjë me Zhelinën gjegjësisht Grupçinin si pjesë e Bullgarisë.
Edhe këtë lloj ndarje Emin Roshi e konsideron si një lloj okupimi të një lloji pak më ndryshe, pasi që ideja ka qenë bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet e jo copëtimi i të njëjtave troje.
Aktiviteti për një Shqipëri Etnike, nuk ka munguar në asnjë çast dhe atë prej ditës së parë, por momenti më me rëndësi ishte kapitullimi i Italisë fashiste. Pas kapitullimit të Italisë, me iniciativë të Xhaferr Devës themelohet Lidhja e Dytë e Prizrenit, që karakterizohet me bashkimin e të gjitha organizatave politike antikomuniste. Këtu vlen të theksohet “RINIA NACIONALISTE SHQIPTARE” organizatë që i bashkoi të gjithë shqiptarët e trojeve tona veçanërisht rininë nacionaliste.
Në Maqedoni kjo organizatë do ta ketë peshën më të madhe të organizimit të jetës ushtarake. Duhet përmendur Sherif Mina, Selman Shehabi, Idriz Ibrahimi-Cërcëri, Naxhi Spahiu si dhe Nevzat Roshi, vëllai i Emin Roshit. Nga aspekti ushtarak u formua ushtria e rregullt vullnetare nën komandën e Gajur Derallës, e më vonë edhe batalioni “LUBOTEN”. Në batalionin e “Lubotenit” Emin Roshi është si nëntoger bashkë me shokët; Idriz Cërcëri, Naxhi Sulejmani, Gani Luma, Harun Dehari, Shaip Mina e të tjerë, që marrin pjesë aktive në ushtrinë e rregullt.
Emin Roshi në prill të vitit 1944 bashkë me Mixhait Ramadanin-Gajre, i cili ishte toger, marrin pjesë në luftën për çlirimin e Pogradecit nga komunistët që u ka pritur Mehmet Shehu. Në muajin nëntor 1944 Tetova në mënyrë paqësore dorëzohet, mirëpo mbetet batalioni i Qazim Lushit. Në ndërkohë, komunistët ngadalë i mbledhin bijtë më të mirë të kombit që më vonë t’i pushkatojnë apo t’i gjykojnë vetëm e vetëm pse janë shqiptarë.
Ashtu ndodhi edhe me Emin Roshin, i cili më 18 nëntor 1944 burgoset bashkë me shumë shokë të tij, në momentin e parë mbas burgosjes Emin Roshit i ofrojnë një marrëveshje për “bashkëpunim”, mirëpo Emini u thotë: “Asnjëherë bile edhe me më vra nuk bashkëpunoj me komunistët.” Gjykohet në Gjykatën e Tetovës të udhëhequr nga Koço Tulevski me dënim më të rëndë VDEKJE ME PUSHKATIM. Edhe në seancën gjyqësore Emin Roshi i veshur me rroba të bardha dhe me plis në kokë e mban dinjitetin e një burri shqiptar. Në ndërkohë derisa ka prit momentin e ekzekutimit me vdekje, mbërrijnë amnistia e përgjithshme dhe ajo zëvendësohet me burg të rëndë prej 20 vjet heqje lirie.
Edhe gjatë vuajtjes së viteve të para në burg, nuk kanë pushuar “ofertat” e OZN-së apo të UDB-ës për “bashkëpunim”, mirëpo përgjigja nga ana e Emin Roshit ka qenë kategorikisht se kurrë nuk do të jetë bashkëpunëtor i sllavo-komunistëve. Në burg takohet me shumë shokë që kanë përjetuar golgotën komuniste, mirëpo shumë me peshë historike është takimi me Qemal Agollin, të cilit i ka thënë: ”Ja Qemal Agolli të dy jemi këtu, unë si një patriot shqiptar, kurse ti si një komunist shqiptar që e pranuat Maqedoninë si një shtet të maqedonasve ku shumë mirë e di si një ministër se kush është minoritet ne shqiptarët apo ata…”, mbas kësaj bisede e vendosin në karcel pa frymë ku i kalon 11 muaj e 7 ditë, dhe se është i vetmi që ka dalë gjallë prej aty. Më 29.12.1961, del prej burgut të Idrizovës ku i vuan 17 vjet e 29 ditë burg të rëndë. Pas daljes nga burgu një kohë të gjatë gjeti strehim tek vajza e axhës së vet, pasi që pushteti komunist në ndërkohë ia merr përkatësisht ia konfiskon tërë pasurinë me ligjin e famshëm të atëhershëm të nacionalizimit të pronave.
Mbas një kohe punësohet në kombinatin e atëhershëm në Tetovë, martohet dhe i lindin tre fëmijë, të cilët cilët i rritën, i shkollon dhe se sot i ka në gjirin e familjes së tij nipat dhe mbesat. Jeton në Tetovë dhe i ka 88 vjet. Po ta pyesësh se sa do të jetojë Emin Roshi, ai në formë të shakasë, por thellë i bindur në idealin e shokëve të vrarë, të përndjekur e që janë gjallë shprehet me plot mburrje e krenari se: ”EMIN ROSHI DO TË JETOJË DERISA TA MBËRRIJË TA SHOH SHQIPËRINË E BASHKUAR…”.
Lavdi jetës dhe veprës së atdhetarit Emin Roshit!
Ndërroi jetë më 04.05.2008.
[1]/Ismet Jonuzi-KROSI “Fakti” 28 prill 2006/
[2]/Nevzat Emin Roshi, i cili është i lindur më 08.11.1963, e mban emrin e të ndjerit përkatësisht të të pushkatuarit NEVZAT ROSHI, 1905-1946 nga pushteti sllavo-komunist për shkak të veprimtarisë dhe bindjeve të drejta për kauzën kombëtare në trevat që kanë mbetur nën sundimin e Jugosllavisë komuniste