Gani Jahja - Njëri ndër të parit e burimit të muzikës në Tetovë.
Shkruan: Fadil Lushi
NJË HISTORI “PAKSA” E NËPËRKËMBUR E NJË NJERIU NGA ELBASANI!
MIKU IM I DASHUR!
Ky imazh a kjo shembëlltyrë i më poshtëm, është ndërtuar vitin 1956 të shekullit të kaluar, diku në hapësirat e shkollës më të vjetër të “shehërit” tonë. Pavarësisht se duket bardhë e zi, pavarësisht moshën që ka, pavarësisht vendndodhjes.., do të themi se në këtë figurë të riprodhuar, ka një mal me dashuri, një mal me kujtesë pamore e dëgjimore.., ka një mal me histori të një njeriu nga Elbasani.., nga.., një histori “paksa” të nëpërkëmbur nga unë, nga ti dhe të tjerë tetovarë.., nga të gjithë ata që e njohën nga afër!
Protagonisti i përkujtimit të radhës është mësuesi im, mësuesi të cilin e thirrnin Gani, Gani Jahja.., çuni i axhës Xhafer dhe nënës Mejreme, personazhi pozitiv.., njeriu i cili dikur moti ishte nxënës i normales së famshme të Elbasanit, çuni i cili përfundoi studi-met në konservatoriumin e Romës.., altruisti.., njeriu që zotëroi njohuri e dije të thella nga muzika, njeriu i cili me urdhër të ministrit Ernest Koliqi, më vitin 1943 do degdisë në Tetovë për të mbjellë farën e munguar të dijes.., të dijes nga Muzika.., nga Muzika instrumentale.., nga Muzika popullore, njeriu i cili i dha shpirt bandës frymore tetovare, dirigjenti, i cili për shtatëmbëdhjetë vjet nuk u nda nga aktivitetet kulturo- artistike të “Xheladin Zeqirit” nga Tetova.., iluministi i cili për më shumë se një dekadë, bëri aristokratin prej.., mësuesi i violinës.., dirigjenti që asokohe, Tetova nuk e kishte.., njeriu i cili nxënësve të shkollës të “Istikbalit” dhe të “Lirisë” së munguar të qytetit tonë, për dhjetë e shtatë mote ua mësoi, ua shkrojti, ua këndoi ABC-në e Muzikës shqiptare.., atë të Elbasanit.., atë të nënëlokes sonë, të tij, të.., me dashurinë e së cilës, asnjëherë nuk u ngi e nuk u ngopëm.., njeriu që kur erdhi në Tetovë krijoi familjen.., njeriu i cili kishte historine sa të lavdëruar po aq edhe të hidhur.., njeriu i cili, në vitin 1960 bashkë me shumë shqiptarë tjerë të ardhur nga Shqipëria, do të detyrohet ta "braktis" Tetovën tonë dhe të tij.., për t’u "degdisur", fillimisht në Kroaci, mandej në Itali dhe së fundi.., vendoset një herë e përgjithmonë në Belgjikë, ku edhe më vitin 1997, në moshën 85 vjeçare do ndërrojë jetë. Mbishkrimi përkushtues në gurin e varrit të tij, kësisoj lexohet: “Atdhe shpirtë, atdhe xhanë,/atdhe babë, atdhe nanë,/atdhe vëlla, fëmijë, grua e motër,/të gjithë të tubuar në një votër./”
E gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme e Mësuesit të Popullit, Gani Jahja, dikur moti, u regjistrua kësisoj: Një gocë dhe dy çuna, Afërdita, Agimi dhe Afrimi.., emra këto të ndërtuara me shkronjën e parë të Alfabetit të Manastirit.., një mal me shumë dashuri, një trastë shpine e mbushur deri në buzë me mall a dhembje të thellë shpirtërore për Elbasanin, për Shqipërinë, për Tetovën dhe për ABC-në e Muzikës së mirëfilltë shqiptare!
Mësuesi ynë i dashur! Faleminderit për kontributin tënd të çmuar, ndaj arsimimit dhe edukimit të brezave prej gjak shqiptari.., këtej afër nesh.., këtu në Tetovë!
(Do faleminderoj, Dr.Habil Bexhetin dhe Dr. Bekim Ramadanin-etnomuzikologun, që më mbështetën në ndërtimin e përkujtimit!)
FALEMINDERIT ELBASAN!