Autor: Material i shkëputur nga; Mr. Sc. Ismet Jonuzi-Krosi “QËNDRESA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVINË TITISTE” (1944-1990) Shtypshronja “Lumagrafik” – TETOVË, 2018, fq 173, 174, 175, 176, 177 dhe 178/
…I akuzuari Gani LUMA dhe Sherif KAZAZI gjatë qershorit të 1946 në Shkup në prezencë dhe me iniciativë të të akuzuarit Sadudin GJURA e të tjerë formojnë grupin armiqësorë i cili kishte për qëllim që me forcë të përmbysë rregullimin ekzistues të RPFJ-së dhe të punojnë për bashkimin e pjesës Perëndimore të Maqedonisë me Shqipërinë dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe. Për t’a arritur këtë qëllim, ata gjatë muajve qershor-shtator të 1946 disa herë kanë mbajtur mbledhje ilegale në Shkup dhe Tetovë ku kanë hartuar plan për zgjerimin e grupit armiqësor për përfshirje dhe japin betimin për besueshmëri për kryerjen e detyrave të caktuara dhe formojnë udhëheqësinë nëpër sektorë ashtu që Ganiu udhëheq sektorin e propagandës, ndërsa i akuzuari Sherif me sektorin e financave. i akuzuari Sherif e ka inkuadruar në grup edhe personin Jusuf Muharremi... …SHEREF ISMET KAZAZI nga babai Ismeti dhe nëna Fetie Saliu i lindur më 1921 në Tetovë, shqiptar shtetas i RPFJ-së, mësues, i pamartuar me dy klasë gjimnaz dhe kurs të mësuesisë, me shërbim të kryer ushtarak deri tani i pagjykuar në burgun hetues ndodhet nga 7.05.1952… ...Prokurori publik i Qarkut dhe Rrethit të Gostivarit me aktakuzën numër 23/52 të 10.06.1952 i fajëson para gjygjit të akuzuarit:
GANI LUMA, SHERIF KAZAZI, ISMAIL SAIDI, HYSNI ABDULLAHI dhe ZIJA ROSHI për shkak se i akuzuari i parë dhe i dytë me bindje armiqësore ndaj rregullimit shtetëror, shoqëror dhe ekonomik të RPFJ-së gjatë muajit qershor 1946 në Shkup në bashkëveprim me të gjykuarit Sadudin Gjura dhe të tjerë kanë punuar që me forcë të rrëzojnë sistemin ekzistues shtetëror të RPFJ-së dhe ribashkimin e pjesës perëndimore të Maqedonisë me Shqipërinë dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe sipas shembullit të demokracive borgjeze-kapitaliste të shteteve të Evropës Perëndimore. Për realizimin e lartpërmendur gjatë muajve qershor-shtator kanë mbajtur mbledhje ilegale ku kanë bërë plan për veprimtarinë e shoqatës dhe personat të cilët duhet të përfshihen në të. Kanë dhënë betimin për besueshmëri, ku është përfshirë edhe sektori propagandues dhe ai ushtarak, ndërsa si formë e veprimtarisë kanë zgjedhur sistemin e treshes dhe përfshirjen në radhë të parë persona me influencë dhe intelegjensinë shqiptare....
BIOGRAFIA E SHEREF KAZAZIT 1922-2000
Më 21 janar 2000 vdiq Sheref Kazazi, i cili i takon gjeneratës së hershme të rinisë përparimtare shqiptare që për ne është pjestar i plejadës së Rilindjes kombëtare. Sheref Kazazi ishte gjithmonë ndër të parët për organizimet e jetës politike e kulturore në Tetovë. Në vitet e para Luftës së Dytë Botërore, më sakt prej 28.11.1936 ishte themeluaes dhe anëtar i denjë i Organizatës Ilegale Politike Kombëtare “BESA” deri në shuarjen e “BESËS” më 14.11.1944 dhe më pas në Organizatën Politike Ilegale Kombëtare “LIRIA” që edhe vuan burg të rëndë në Goli Otok për kauzën kombëtare, dhe se pas burgut e deri në pleqëri është marrë me aktivitete kombëtare.
Njihet si simbol i qëndresës dhe krenarisë kombëtare ngase është ndër themeluesit e parë të Organizatës Ilegale Politike Kombëtare “BESA”, të cilën e përtëriu edhe ps Luftës së Dytë Botërore, ku si nacionalist i etiketuar nga pushteti sllavo-komunist, dënohet me shtatë vjet burg, për shkak të themelimit të Organizatës Ilegale Politike Kombëtare “LIRIA” së bashku me Sadudin Gjurën dhe së bashkë me anëtarë të tjerë vuajtën burg të rëndë në burgun famëkeq në Goli Otok. është anëtar i grupit të dramës në vitet 1930 deri më 1940 që ka luajtur rolet në dramat e para shqipe në Tetovë dhe rrethinë siç janë “I DËNUARI” nga autori Hamit Shiaku, po ashtu merrë pjesë në dramën “LULJA E KUJTIMIT” e Foqion Postolit më 1943 në regji të Qemal Haxhihasanit. Në vitin 1949, është një nga themeluesit e Shoqërisë Kulturore Artistike “Xheladin Zeqiri” dhe proçesverbalist i mbledhjes së forumit të shoqërisë së parë shqiptare në Tetovë, që doli pas një aktiviteti të bujshëm kulturore-artistike. Si person që la gjurmë të thella e të pashlyera në kulturë, politikë po edhe në sport, Sheref Kazazi do të ngel në kujtesë të gjeneratave më të reja, të cilat me shembëlltyrën e tij për herë do t’i mbajnë në mend virtytet e larta njerëzore që e kanë karakterizuar gjatë tërë jetës, e që e kanë bërë të dashur në mjediset ku ka vepruar e jetuar. Gjë që dëshmoi edhe në varrimin e tij më 21.01.2000 ku përshëndetjen e fundit të tij për në shtëpinë e amshueshme, ishte dëshmi respekti, pikëllimi dhe mburrjeje, për atë që ky qytet e pati si banor të tij e tetovarët si bashkëqytetarë të devotshëm.
“PROPAGANDA PËR BARAZI DHE THIKA PAS SHPINE”
Sheref Kazazi në vitin 1940 unë u punësova në Bashkinë e Tetovës, si referent për ndihmë sociale. Okupimi nga Gjarmani mua më gjeti në këtë vend pune. Në këtë kohë më hodhën me punë si ofiqar i gjendjes civile. Pas çlirimit të Tetovës unë edhe tre muaj ngela në atë vend si nëpunës. Në muajin tetor 1944 në zyrën time erdhi një toger malazez, i cili ishte që ishte kryetar i SKOJ-it në divizionin e 44, komandant i të cilit ishte Petar Brajoviq-Gjuro, kurse komesar ishte Sufer Musiqi. Ai mua më luti që të formojë sekretariatin e SKOJ-it prej 7 vetësh. Unë atij i thashë se do ta formojmë këtë organizatë, por së pari ta vizitojmë Monopolin e duhanit, ku partizanët kishin burgosur popullatën e pafajshme. Ai insistonte që së pari të formojmë organizatën e pastaj të vizitojmë Monopolin.
Ne e mbajtëm një mbledhje, në të cilën për secretariat të SKOJ-it për Tetovën propozuam shtatë anëtarë, kryesisht shqiptarë. Proçesverbalin në gjuhën serbe e mbajta unë. Unë, Foto Cami dhe pesë të tjerë që janë shpërngulur në Turqi u bëmë anëtarë të sekretariatit të SKOJ-it. Sa përfunduam mbledhjen e parë, ne të shtatë dhe togeri malazez shkuam te komandanti i Shtabit të Divizionit të 44 që ishte në lokalet ku sot gjendet hoteli “Makedonija (LIRAK-u sot 2007)”. Pasi hymë Brenda togeri i raportoi gjeneralit se kemi formuar SKOJ-in për Tetovën. Shoku Sheref e njeh mirë gjuhën serbokroate, tha ai, dhe na ndihmoi që të mbajmë proçesverbalin. Prandaj, vazhdoi ai, unë propozoj që shoku Sheref të jetë sekretar i parë i SKOJ-it për Tetovën. Gjenerali u çua në këmbë dhe tha:”Plotësisht pajtohem”. Pastaj ma uroi postin. Prej aty me propozimin tim shkova në Monopol për të liruar të burgosurit. Duke shkuar për në Monopol, ne rrugës takuam shumë vetë që i çonin në Monopol. Kur arritëm atje, togeri që ishte me mua e thirri Dragan Spirovskin, u ndalëm me të dhe morëm premtimin se do të lëshohen të gjithë që nuk janë fajtorë. i thashë togerit se kurgjë s’do të bëhet, pasi isha i bindur se asnjë s’do të lirohet, sepse kërkush nuk kishte kurrëfarë faji. Ata i burgosnin vetëm se ishin shqiptarë. Aty gjetën vdekjen një numër i madh shqiptarësh dhe numrin e saktë askush nuk e di. Për fatin e shqiptarëve të burgosur në Monopol i informuam edhe eprorët e Brigadës së IV shqiptare, por për masakrimin e bërë nuk u përgjigj askush.
Vizita ime në Monopol e nxiti Dragan Spirovskin që të hakmerret. Pas disa ditëve ai më dërgoi thirrje për në ushtri. Si na mblodhën na çuan në Kumanovë ku qëndruam tre muaj. Një ditë na mblodhën në shtëpinë e fiskulturës, gjoja se do të vijë të mbajë fjalimnjë epror ushtarak nga Shqipëria. Por, në mbrëmbje na rrethuan dhe në mëngjes maqedonasit e armatosur na dërguan në stacionin e trenit. Me tren erdhëm deri në Shkup. Në Shkup na futën në brigadën e mbrojtjes popullore. Na vendosën në kazermën 51, ku filluan të na torturojnë. Të nesërmen në këmbë na nisën për në Kaçanik. Në Ferizaj na dorëzuan në Brigadën e 12 maqedonase, e cila na dërgoi në Shkodër. Udhëtimi ishte mjaft i vështirë. Në Shkodër një kolonel shqiptar na mbajti fjalim, i cili na tha se Jugosllavia ende nuk është çliruar, prandaj ju shokë do të shkoni në luftë. Në ato momente erdhën edhe pesë oficerë të tjerë, në mesin e të cilëve ishte Selim Daci, i cili kishte qenë në Tetovë toger i milicisë fashiste. Kur na pa neve, i tha kolonelit shqiptar se këto janë fashistët e Tetovës. Unë i thashë, se nuk dihet kush është, ne ose ti, që ke qenë toger i milicisë fashtiste në Tetovë. Ai kapi revolen, por këtë incident e ndërpreu një oficer dalmatin.
Prej Shkodre deri në Tivar ne udhëtuam në këmbë, ndërsa disa të plagosur i kishim hypur në kamionë. Në Tivar pata rastin ta shoh edhe të dëgjoj për masakrën e Tivarit. Këtë na e rrëfente edhe një malazez. Prej Tivari ne udhëtuam në këmbë për në Dubrovnik dhe në Split. Nga Spliti na çuan në Trogir ku mbetëm një javë. Aty na dhanë tesha ushtarake angleze dhe na armatosën. Prej këtu me anije na dërguan në Zarë. Në Zarë fletëm në fshatin Arbneshë (Arbanasi). Duke ecur rrugës së këtij fshati ne këndonim këngën për Skënderbeun. Pasi na armatosën disi na kaloi frika se do të na eliminojnë ose do të na torturojnë. Rrugës për në Istri me vapor na ndalën në Lovran, afër Rijekës, ku dukeshin se si nëpër rrugë zhvilloheshin luftimet. Prej vaporit tonë morën 150 vetë dhe i dërguan në front. Të tjerët që mbetën nisën në këmbë për në Trieshtë. Në trieshtë ne shqiptarët neve shqiptarëve na inkuadruan në Brigadën dalmatine. Komandant kishim një Viomir Klakoviq, i cili pas çlirimit ishte profesor në Universitetin e Zagrebit.
Kur mbërritëm në Trieshtë Brigada dalmatine, ku ishim ne u inkuadrua në çlirimin e Trieshtës. Ne shqiptarët në luftimet e Trieshtës treguam se jemi luftëtarë me traditë. Më NJË MAJ U ÇLIRUA Trieshta. Për çlirimin e Trieshtës ranë afër 10.000 viktima nga të dy palët. Unë isha në divizionin tankist. Lufta më e ashpër u bë afër stacionit hekurudhor, rruga e të cilit u mbush plot me kufoma. Në Trieshtë ne qëndruam 45 ditë. Si erdhën ushtarët anglezë ne na përzunë nga Trieshta. Prej aty shkuam në Kopër. Me urdhër tjetër ne nga Istria na trensferuan në Novi Sad. Unë atëherë isha sekretar i baterisë. Nga Armata e IV kaluam në Armatën e III, komandant i së cilës ishte Kosta Nagj. Në fund të dhjetorit u lëshova nga ushtria dhe erdha në shtëpi.
Në rrugën time ushtarake karakteristike është kjo; nga Birgada jonë na ndanë si kandidatë, mua (Sheref Kazazi) dhe një çifut prej Spliti, Skenaze Albert. Ishim si kandidatë për akademinë ajrore në Moskë. Zgjedhja u bë nga ushtrimet që i bëmë në poligonin e Zemunit. Unë pata rezultate më të larta se të tjerët, prandaj edhe më caktuan për kandidat. Unë këtë ofertë e refuzova. Pas refuzimit më çuan në raport te Kosta Nagji. Pasi paraqita shkaqet familjare, i thashë se për një pilot nuk do të shkatërrohet aviacioni i Jugosllavisë. Kështu në fund të dhjetorit të vitit 1945 u ktheva në vendlindje. Me iniciativën e veteranit të arsimit Jonuz Balla më tetë tetor të vitit 1946, me vendimin e Nikolla Minçevit u bëra mësues në fshatin Shemshovë. Në vitin 1949 klasa ime u shpallë klasa më e mirë. Me këtë rast sindikata më shpërbleu me një muaj pushim në Cërkvenicë. Kur u ktheva në shtëpi gjeta aktin që më kishin pushuar nga puna, me të cilin më kishin ndaluar edhe triskat e bukës. Ky ishte diferencim i parë i kuadrit arsimor në Maqedoni. Në këtë fushatë antishqiptare në Maqedoninë perëndimore u diferencuan 60 mësuesit më të mirë. Në Tetovë u diferencuan këta mësues: Unë (Sheref Kazazi), Gani Jaja nga Elbasani, Biran Nebiu, Zija Sadiku nga Kërçova, Raif Maleziu si dhe një tjetër, emri i të cilit nuk më kujtohet. Ky diferencim ishte faza e parë e diferencimit politik, pastaj pasonte faza e dytë, burgosja dhe në fund likuidimi fizik. Kjo ishte mënyra që u aplikua ndaj arsimit shqip në Maqedoni dhe Kosovë.
Pas diferencimit ideopolitik, përkatësisht pas tri muaj si më larguan nga puna, më dërguan në shtypshkronjë si kontabilist. Në muajin qershor unë isha duke bërë bilancin e kontabilitetit, kur vjenë një djalosh dhe më thirri të shkoj në shtëpi. Kishin ardhur disa shokë nga Shkupi, Rexhep Bajrami drejtor i Normales, Sadudin Gjura dhe Rahman Besimi.
Rexhepi më tha se më ka propozuar sekretar të Normales. Unë në atë kohë isha edhe redactor i gazetës “SHARRI”, por kur më larguan nga arsimi më larguan edhe nga gazeta. Unë pranova të bëhem sekretar i normales. Kështu drejtori i parë i normales është Rexhep Bajrami, ndërsa sekretar unë (Sheref Kazazi).
Edhepse u bëra sekretar i normales, unë gjithnjë ëndërroja të jem më afër regjistrit. U regjistrova në kursin pedagogjik special. Pas kryerjes së kursit special u punësova në shkollën “LIRIA”. Më shtatë maj të vitit 1952, normalja u transferua në Shkup, me çrast u lirua kati i sipërm i shkollës sonë. Mësimi mbahej paradite dhe pasdite. Një ditë para se të fillojë mësimi erdhën inspektorët e UDB-ës dhe e thirrën drejtorin e Qemal Hajrullain. Unë dola nga klasa dhe shkova në sallën e arsimtarëve. Njëri nga inspektorët kur më pa, më tha të lë regjistrin dhe të shkoj me ta. Në këtë mënyrë ata më arrestuan. Pas një muaj e gjysëm më nxorën në gjyq. Gjyqi ishte në shtëpinë e fiskulturës, kurse neve na gjykonin në lokalet e Radio Tetovës. Ne ishim grupi i tretë që ngarkoheshim me akuzën e organizimit armiqësor sipas nenit 117. Pas gjykimit më dërguan në Idrizovë.
Në grupin e parë ishin gjashtë vetë: Sadudin Gjura, Murat Isaku, Izmit Bajrami, Sabri Ramizi, Abdylselam Skenderi dhe Vehbi Lushi. Në grupin e dytë isha unë (Sheref Kazazi), Gani Luma, Ismail Sahidi, Hysni Abdullahu dhe një prej Shqipërie, i cili dikur ishte kryetar i Komunës së Vrapçishtit, e pastaj u bë mësues. Në grupin e tretë ishin Xhemail Beqiri, një mësues tjetër nga Reçica dhe një tjetër nga Shipkovica, Mulla Jahja dhe dy pleq, gjithsej 17 vetë.
Deri më 15 janar të vitit 1954 ishim në burgun e Idrizovës. Shumica prej nesh punonin në ndërmarrjen “PREPOROD” që prodhonte mobile. Një ditë më thirri drejtori i burgut dhe më tha:” Si duket ju të dënuarit për politikë do të shkoni së shpejti në shtëpi.” i thashë se kam parë ëndërr të keqe, një gjarpër më kishte lidhur për fyti. Në mbrëmje erdhën dy kamionë, u mbushën me të burgosur dhe na transferuan në stacionin hekurudhor të Shkupit.
1. SADUDIN GJURA 2. SABRI RAMIZI 3. VEHBI LUSHI 4. MURAT ISAKU 5. IZMIT BAJRAMI 6. ABDYLSELAM SKENDERI
Në grupin e parë ishin gjashtë vetë: Sadudin Gjura, Sabri Ramizi, Vehbi Lushi, Murat Isaku, Izmit Bajrami dheAbdylselam Skenderi.
1.SHEREF KAZAZIT 2. GANI LUMA
3. ISMAIL SEIDI 4. HYSNI ABDULLAHU
Në grupin e dytë isha unë (Sheref Kazazi), Gani Luma, Ismail Sahidi, Hysni Abdullahu dhe një prej Shqipërie, i cili dikur ishte kryetar i Komunës së Vrapçishtit, e pastaj u bë mësues.
4. XHEMALI BEQIRI 5. MULLA JAHA I SHIPKOVICËS
Në grupin e tretë ishin Xhemail Beqiri, një mësues tjetër nga Reçica dhe një tjetër nga Shipkovica, Mulla Jahja dhe dy pleq, gjithësej 17 vetë.
GOLIOTOKU-VDEKJE PËR SË GJALLI
Në vagonat e trenit që janë janë për kafshë kishim bërë “karcella” të vogla për gjashtë vetë. Pas një udhëtimi të gjatë arritëm në bregdet në një portë të Bokës, afër Kralevicës. Aty treni u ndal se nuk shkonte më tutje. Sa zbritëm aty pamë një vapor, ku dukeshin disa njerëz me uniforma burgu që shkarkojnë dru. Ishte hera e parë që zbritëm nga vagonat për të marrë pak ajër të pastër. Përjashta pritnim të shkarkohet vapori dhe pastaj të na hyping në të.
Në mbrëmje na hypën në vapor dhe pas katër orë udhëtimi arritëm në Goliotok. Pas arritjes sonë, pak më vonë me një barkë të vogël erdhi nga Rabi drejtori i burgut Nikolla Burgaçiq, i cili më vonë u bë kryeshef i policisë në Beograd. Sa u afrua te ne, të gjithë u ngritëm në këmbë. Ai pastaj na tregoi se do të udhëtojmë nja tre kilometra deri te pavijonet, ndërsa për ata që janë pleq, tha se do të sjellin një kamion.Nja 20 ditët e para na mbajtën në karantinë, të izoluar nëpër biruca, e pastaj na ndanë nëpër pavijone. Aty e takuam Qemal Agollin, Xhafer Kodrën, Shaban Hrvatin, Sali Lisin, Qamil Brovinën nga Gjakova e shumë të tjerë. Pas grupit tonë nga Nishi sollën në Goliotok edhe një grop kosovarësh, në mesin e të cilëve ishin Enver Dukagjini-doktor profesor i matematikës, Refik Nushi, Rifat Kabashi, Masar Shpata dhe Bardhyl Kosova. Ishte edhe një qebapxhi nga Prizreni, i cili si duket e kishte tradhtuar këtë grup. Edhepse ai i kishte shërbyer UDB-ës prapaseprap atë e kishin dënuar me gjashtë vjet burg.
NË BURGUN FAMËKEQ TË GOLIOTOKUT KA PATUR 44 LLOJE TORTURASHU BINDA SE SA QËNDRON ZEMRA E NJERIU-NUK QËNDRON AS ZEMRA E LUANIT
Rënditeshin tërë brigada. Mbanim gurë si kafshë deri në rraskapitje. Na i ndërronin njerëzit, ndërsa ne punonim pa pushim. Metoda e parë e torturës ishte diferencimi politik. Pastaj vinte spastrimi, hetimet pa gjy, sepse gjyqi nuk vinte kurrë parasysh. Hetimet nuk bëheshin në dhoma, por përjashta në diell. Pas kësaj të detyronin të dalësh para kolektivit dhe të thuash qëndrimin tënd, për atë që ke bërë dhe për atë që do të bësh më tutje. Pas kësa skene vjen edhe qëndrimi i kolektivit, i cili kishte tre mënyra reagimi, ose të pranonte, ose të refuzonte (bojkotonte), ose të mbante pezull. Nëse ka në këtë botë ferr më të trishtueshëm se Goliotoku, unë paraqitem vullnetarisht të shkoj.
Sipas përqindjes së përkatësisë kombëtare në Burgun e Goliotokut 70 përqind ishin; malazezë, serbë, shqiptarë, musliman, maqedonasë dhe më pak kishte kroatë dhe sllovenë. Me mua ishte vëllai Peko Dabçeviqit, Vlladimir Dabçeviqi, vëllai i Velko Vllahoviqit, Boshko Vllahoviq. Unë punoja në repartin e gëdhëndjes së mermerit bashkë me një serb. Një ditë ky serbi, që quhej Milivoje Jovanoviq, më ndaloi dhe më tha:”Kazazi, rri pak ta ndezim nga një duhan të Tetovës”. E pimë nga një duhan dhe unë vazhdova për në punë. Më vonë mora vesh se kishte bërë vetëvrasje. Gjithashtu më vonë edhe një Sotir nga Prilepi, u hodh në det. Raste të këtilla kishte shpesh, sepse ishte e pamundur t’i durosh torturat që zbatoheshin në këtë burg famëkeq.
Më 29 nëntor u organizua një koncert. Pas koncertit na çuan në darkë. Në çdo lokal kishte altoparlant. Aty dëgjuam lajmin që e dha Radio Zagrebi se me vendim të Kuvendit të Jugosllavisë amnistohen 1300 të burgosurë politik. Të burgosurit u prezentuan shumë se kur bënë llogarinë se sa të burgosur politik ka në Jugosllavi dilte se nga Burgu i Goliotokut duhej të liroheshin vetëm 100 vetë. Pas këtij lajmi patëm dy ditë pushim. Asnjëri nuk e dinte se kush do të shkojë në shtëpi. Unë isha brigader i një brigade që ishin burgosur për punë kriminale. Zëvendësi im ishte një boshnjak, Hasan. Atij ia kishin dhënë letrat që të shkojë në shtëpi. Unë kontrolloja letrat ku ishin kartonët dhe me padurim prisja radhën me germën K. Në mëngjes askush nuk e dinte se cili do të shkojë në shtëpi. Unë flinja në një dhomë me disa të burgosur që kishin qenë artistë. Rrinja në ankth dhe nga meraku e grisa numrin e krevetit, ashtu si bënë edhe të tjerët duke u shtirur se gjoja sonte flemë në Rijekë. Të nesërmen u lexuan emrat e 1300 të burgosurve. Ndër ta isha edhe unë. Pastaj na çuan në Rijekë…” -rrëfime të shkëputura nga shënimet e Sheref Kazazit. Ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2000.
Burimet dhe referencat:
*Fragmente nga aktakuza N-1295, br. 5885, kapt 3538 17-VI-1952 Prokuroria Publike e Qarkut dhe rrethit të Gostivarit Nr. 23 52 10.06.1952 Gostivar
*Fragmente nga aktakuza në faqen 1… N=1295, nr. 5885, kapt 3538 17-VI-1952 Prokuroria Publike e Qarkut dhe rrethit të Gostivarit Nr. 23 52 10.06.1952 Gostivar
*Rrëfime të shkëputura nga shënimet e Sheref Kazazit