Kalaja e Tetovës
Autor: Prof.Dr. Ali Vishko
Kalaja e Tetovës, fortifikatë e njohur strategjike, që filloi të ndërtohet në kodrën Ball – Tepe në vitin 1796 nga ana e pashait të Pashallëkut të Tetovës Koxha Rexhep Pasha, mbi mbeturinat e një kështjelle të vjetër ilire, por pasi duheshin shuma të jashtëzakonshme të hollash, të cilat Pashai në atë kohë nuk mund t’i siguronte dhe, pasi ndihma që u kërkua nga Qeveria qendrore e Stambollit nuk ishte dhënë, pashai në fjalë ndërtimin e kësaj kalaje e ndërpreu. Por me qëllim të forcimit të pushtetit dhe sigurimit nga sulmet eventuale të feudalëve fqinjë, ndërtimin e mëtejshëm të Kalasë në Tetovë vazhdoi të bënte Abdurrahman Pasha, me ardhjen në krye të Pashallëkut të Tetovës, në vitin 1822.
Si një fortifikatë impozante, ndrequr me mure të trasha 3-4m. kat. Me gurë biguri, Kalaja kishte dy porta hekuri – njëra në anën jug-lindore e tjetra nga verilindja e kalasë, ku ishin dhe karakollat (postat e rojeve) masive, me zandana të thella e të errëta, me çengela speciale për varjen e njerëzve të dënuar. Nga mesi, në pjesën jugore të Kalasë, ishte saraji i bukur i Pashait, me dhoma e banjë speciale, dhe pranë portës juglindore ishte kuzhina e madhe si dhe salla e ngrënies, ku mund të ushqeheshin 1000 vetë. Ndërmjet sarajit e kuzhinës ishte pusi i thellë dhe i madh, rrethuar me blloqe speciale të gurit të bigurit dhe te porta juglindore ishte çesma e Kalasë. Për pajisjen e Kalasë me ujë, ishin vënë dhe gypa nga Kalaja e deri te burimet në malet e Sharrit. Nga shkaqet e rreziqeve eventuale, në kala ishin ndërtuar dhe tre tunele nëntoksore, ku njëri tunel dilte në fshatin Llavcë, i dyti tunel dilte në qytet te lumi Shkuma, dhe tuneli i tretë dilte direkt te pallati i Abdurrahman Pashës në Tetovë(Konaku Palloshi). Me anë të tunelit të fundit anëtarët e familjes së Pashait shkonin për shëtitje, në vikend me pajton në Kala. Sipas tregimit gojor të popullsisë së vendit, në fund të kompletimit të ndërtimit të Kalasë, vjen urdhëri nga Sulltani për internimin e Abdurrahman Pashës, e me atë rast pashai në fjalë, mes tjerashm paska thënë:
„Ti uji i çesmes erdhe, por unë shkova!...“
Dimë që në këtë kala janë bërë shumë luftra në të kaluarën gjë që kanë çuar drejt dëmtimit të kalasë, por a din dikush më shumë rreth dëmtimeve më të mëdha që janë shkaktuar kalasë.
Gjithashtu ja vlen të përmendet që sot Kalaja e Tetovës, është lënë tërësisht në harresë dhe asnjë iniciativë apo veprim nuk është marrë nga institucionet përkatëse për obzervimin, restaurimin dhe zbukurimin e kësaj fortese madhështore që posedojmë, që do të tërhiqte shumë turist në qytetin tonë nga mbarë bota.
Fotografitë të marra nga profile të ndryshme në Facebook.
Nuk mundëm të gjejmë ndonjë fotografi të vjetër të kalasë, po që se posedon dikush le të na dërgojë.