Burimi: Dokumenti gjendet në arkivin e Universitetit të Tetovës, i cili u hap nën udhëheqësinë e Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti!
Agron Sherifi, Tetovë, 17.02.2023
17.02.1997 (data e fillimit të ligjeratave të para në Universitetin e Tetovës), në vijim deklarata e Prof. Hafet Sherifi – i ndaluar dhe i urdhëruar nga ana e policisë për të shkuar në stacionin e policisë...
DEKLARATË
“Unë, Hafet Sherifi, i lindur në fsh. Veshallë, komuna e Tetovës në vitin 1952, me profesion oficer, momentalisht i emëruar nga këshilli drejtues i kuvendit komunal të Tetovës si kryeshef i shtabit për mbrojtje civile për komunën e Tetovës.
Më 17.02.1995 në orët e vona të pasditës, gjegjësisht rreth orës 19:00 përfaqësuesit dhe organizatorët e jetës politike të shqiptarëve në Maqedoni analizuan ngjarjet e asaj dite në fshatin Reçicë e vogël dhe Poroj dhe vlerësuan se duhet të shkojnë ca përfaqësues në Poroj me qëllim që të ndërmarrin masa për shpërndarjen e njerëzve të tubuar dhe se me këtë formë të evitohen pasojat e mundshme.
Me veturën të cilën e drejtonte këshilltari Bilall Lutfiu së bashku me profesor Fadil Sulejmanin, kryetarin e forumit për Mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut me seli në Gostivar z. Milaim Fejziun dhe kryetarin e shoqatës bëmirëse ``El Hilall`` u nisëm për në Poroj.
Në qendër të qytetit veturën tonë e ndaloi policia dhe pa kurfarë sqarimesh na urdhëroi që t ́i përcjellim për në stacion të policisë. Me të hyrë në stacionin e policisë, dy policë e morrën dr. Prof. Fadil Sulejmanin dhe Milaim Fejziun dhe u shtynë në ndërtesën e policisë. Pas nja dy orëve, veç e veç na morrën edhe neve që kishim mbet aty dhe na dërguan nëpër zyra të veçanta.
Me të hyrë në zyrë më mori në pyetje një inspektor i sigurimit shtetëror dhe nga unë kërkoi që të japë të dhëna për vehte, për vëllezërit, për familjet e tyre, për familjen e bashkëshortes sime gjer më tre brezëra.
Ende nuk e dija se ç ́po ndodh dhe askush nuk më ofroi sqarime. U bë ora 23:30 dhe unë i luta që të më mundësojnë që t`a lajmëroj familjen e cila gjë nuk mu mundësua. Inspektorët që më merrnin në pyetje ndrroheshin kurse pyetjet dhe veprimet e tyre provokative rradhiteshin në pakufi.
Më urdhëruan që të shkruaj deklaratë për aktivitetet e mia gjatë asaj dite duke insistuar që të jap të dhëna edhe në lidhje me emërimin tim në postin e kryeshefit të mbrojtjes civile duke e quajtur këtë funksion si funksion paralel.
Pasi e përfundova deklaratën të cilën e dërguan në një zyrë tjetër dhe pas një kohe erdhi udhëheqësi i grupit të inspektorëve dhe më tha se ajo që kam shkruajt është rrenë dhe tentoi me një zë të pakontrolluar dhe të lart të më detyroj që të shkruaj një deklaratë tjetër. Iu përgjigja se unë nuk kam se çka të deklaroj jasht asaj që e kisha shkruar. Fill pas këtij reagimi filluan kërcënimet dhe shantazhet e ndryshme.
Në një moment njëri nga inspektorët i shoqëruar edhe me një tjetër hyri në zyrë dhe shpaloi arsenalin e mjeteve të dhunës duke mu drejtuar me këta fjalë: ``Mos mendo se veprimet e organeve të sigurimit janë ashtu siç përshkruhen në ligje, ne këtu përdorim edhe metoda të tjera``- dhe vazhdoi: ``ka pasë të tillë që nuk kanë dasht të japin përgjigje ne ç`ju kemi kërkuar, por ditën e tretë kanë ``kënduar``. Të bëj me dije, më tha, se do të mbetesh pa bubreg dhe se do të urinosh gjak. Pas kësaj u mblodhën pesë a gjashtë inspektor dhe më lidhën duart me pranga pas shpine, më shtrin për toke dhe filluan maltretimet fizike duke përsëritur pyetjet e njëjta për rolin tim dhe për lidhjet e mija me udhëheqësit politikë shqiptar dhe duke ma shar nënën pa ndërprerje ndërsa njëri prej tyre që e mbante karigën mbi kokën time thoshte “bjeri he nënën shqiptare, se ky është kryesori”!
I ngujuar në karigë me duar të lidhura pas shpine rinja i befasuar nga egërsia e inspektorëve të cilët rradhiteshin me pyetje provokative, shantazhe dhe kërcënime. Gjatë tërë natës vazhduan maltretimet psiqike me pretekste të llojllojshme ndër të cilat veçoj atë të kërkimit të armëve duke më sugjeruar se është më mirë që të pranoj, sepse ata e `dinë` që unë posedoj armë dhe se do të ma coptojnë kokën kur do t`i gjejnë ata sepse ekipet për bastisje janë duke e kryer këtë punë edhe në banesën time edhe në shtëpitë e të afërmëve të mij.
Këta shantazhe dhe kërcënime vazhduan edhe gjatë tërë ditës së nesërme.
Inspektorët ndrroheshin, shkonin pushonin dhe vinin tjerë të freskët për të vazhduar maltretimet psiqike ndaj meje. Asnjë minut nuk kisha pushim, dy ditë nuk kisha ngrënë gjë, i pa gjumë dhe i mllefosur me veprimet barbare që i ushtronte policia e shtetit ``demokratik`` i ndëgjojsha kërcënimet e tyre se do të më akuzojnë për vepër penale dhe do të më dënojnë me më së paku 10 vjet burg etj etj.”
Autor: Hafet Sherifi Shkurt, 1995
Pse na duhet Universiteti shtetëror?
Universiteti është baza e zhvillimit të një shoqërie apo një populli, është baza e krijimit të kuadrove dhe organizimit të jetës në bazë të trendeve bashkëkohore.
Dituria përfitohet në mënyra të ndryshme por ajo që fitohet në shkolla paraqet mënyrën më të organizuar dhe më të përshtatshme për nevojat e përgjithshme dhe specifike të një populli.
Universiteti shtetëror i plotëson nevojat e popullit apo shtetit në mënyrë të planifikuar dhe si i tillë ai është i përhershëm.
Sot asnjë komb apo shtet nuk mund të korespondon me kohën e as me vendet tjera pa profile të llojllojshme të kuadrove të cilat paraqesin urë bashkëpunimi ndërmjet tyre.
Popullit shqiptar në Maqedoni i duhet një universitet kombëtar sepse jemi pjesë e Shtetit i cili duhet të kujdeset edhe për zhvillimin e regjioneve ku shqiptarët jetojnë në një territor kompakt, por nëse këtë nuk e bën shteti atëherë na duhet ta bëjmë vet.
Shkollat private nuk e zgjedhin problemin e zhvillimit të një shoqërie sepse ata mbrojnë interesat private të themeluesit.
Autor: Hafet Sherifi Tetove, 1995