MEHMET PASHË DERALLA
U lind më 1843 në Gradec të kazasë së Tetovës, i biri i Hasan pashë Derallës, familja e tyre ishte fort e njohur dhe me ndikim të madh në krahinë. U arsimua në Shkup, Manastir dhe institutet ushtarake në Stamboll.
Më 1878 familjarët e tij morën pjesë në mbledhjen e Prizrenit si delegat të Tetovës, i ati dhe Mehmet Esat pashë Tetova firmosën Kararnamenë. Gjatë veprimeve të Lidhjes së Prizrenit ishte shumë i lidhur me Sulejman agë Vokshin dhe u përfshi si komandant i forcave të armatosura në viset e vendlindjes, Shkup, Tetovë e Gostivar.
Më 11 korrik 1898 la komandën e regjimentit të xhandarmërisë (İşkodra Zaptiye Alaybeliği) në Shkodër dhe u caktua komandant i xhandarmërisë në Vilajetin e Selanikut. Pas dy viteve dokumentohet se dha dorëheqjen nga të qenët komandant i xhandarmërisë së Vilajetit të Kosovës. Më pas më 1319 h (1901/1902) ka qenë komandant i xhandarmërisë në Manastir, pas 4 muajve u caktua me shërbim në Shkup. Pas kësaj u caktua komandant i xhandarmërisë në Vilajetin e Halepit.
U kthye në vendlindje nga Bagdadi më 1908, ishte ndër prijësit e kryengritjes së 1910 dhe të asaj të 1912, u caktua mytesarif i Prizrenit. Nga 8 deri më 11 të vjeshtës së tretë bujti te Hasan bej Biçakçiu në Elbasan së bashku me Isa Boletinin dhe Ajdin bej Dragën, u nisën të nesërmen me Mid'hat bej Frashërin pasi pritën përfaqësuesit e Dibrës me Myfti Vehbiun. Pas arritjes në Vlorë, më 4 dhjetor 1914 u krijua Ministria e Luftës dhe Mehmet Pasha u caktua për ta drejtuar.
Mehmet pashë Deralla u largua drejt Esad pashë Toptanit dhe Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme. Më tej, me ardhjen e Princ Vidit ishte në grupin e përbërë nga Azis pashë Vrioni, Fejzi bej Alizoti dhe Mehdi bej Frashëri që hipën në motobarkë dhe shkuan drejt jahtit, ku i uruan Princit mirëseardhjen. Gjatë kryengritjes së Shqipërisë të Mesme u përpoq të bisedonte me kryengritësit së bashku me Ibrahim Temon.
Më 3 mars 1916 ftohet nga Ahmet Muhtar Zogolli në kongresin që donte të mbante në Elbasan.
Deralla u përfshi me lëvizjen Kaçake në viset shqiptare të pushtuara nga serbët, prej të cilëve u arrestua dhe burgos. Ndërroi jetë në burgun e Podgoricës, ku thuhet se e helmuan. Varri i Mehmet Pashë Derallës gjendet në oborrin e Teqesë Harabati Baba në Tetovë.
Tekst i marrë nga Wikipedia.