Kalaja e Tetovës dhe tuneli misterioz nën të
Autor: Muzeu Virtuel i Tetovës / Виртуелен Mузеј на Тетово
Në këtë ditë të diele, kur të gjithë jemi të mbyllur në shtëpitë tona në karantinë, desha pak t’jua largoj vëmendjen nga gjendja e koronavirusit dhe zhvillimet politike me një fenomen historik që moti i ka preokupuar tetovarët dhe jo vetëm. Fjala është për Kalanë e Abdurrahman Pashës në Tetovë, e cila gjendet në Ball Tepe (Kodra e mjaltës) dhe tuneli misterioz që ka qenë një lidhje e fshehtë e kështjellës me qytetin.
Shumë pak ka gjurmë sot që e vërtetojnë këtë kalim nëntokësor, aq i madh sa në të të kalojnë kuaj me karrocë dyrrotëshe. Për ekzistimin e tij u vërtetova në vitin 2000, kur në emër të BFI-së, ku atëherë isha i angazhuar si përgjegjës në Sektorin e shkencës dhe kulturës, qëndrova zyrtarisht në arkivin shtetëror të Turqisë për të hulumtuar pronën e Kalasë së Tetovës, respektivisht vakëfin rreth këtij kompleksi që daton nga fillimi i shek.19, sepse kishte tentativa ogurzeza që aty të vendoset kryq gjigant duke pretenduar se ishte pronë e kishës.
Në dokumentacionin që e kisha pranë gjeta një projekt(mapë) të vizatuar me ngjyra me emrin e tunelit të kalasë së Tetovës. U befasova këndshëm sepse u binda se ai tunel, për të cilin kemi dëgjuar shumë thashetheme, megjithatë ka ekzistuar.
Më pastaj, hulumtimet e mia u përqendruan në gjetjen e autorit të këtij projekti. Më vonë zbulova se udhëpërshkruesi i njohur gjerman, Grizebah, që me profesion ka qenë edhe inxhinier i ndërtimtarisë dhe i cili në vitin 1831 viziton Tetovën, është projektuesi i tunelit dhe shumë ndërtesave tjera në kompleksin e pallateve të Abdurrahman Pashës në Kalanë në Bal Tepe. (A.Grizebach, Reize durh Rumeloen und nach Bursa in Jahre 1839, Getingen.235-290).
Sa për fillim, po ndaj me ju hartën e tunelit, origjinali i të cilit ruhet në Arkivin shtetëror në Stamboll.
Shkruan Behixhudin Shehapi
Një burim tjetër që flet për Tunelet e Kalasë është Luljeta Abazi(Palloshi) - Këshilltare e lartë në Muzeun e Tetovës si dhe pasardhëse direkte nga familja e Koxha Rexhep Pashës(Pashait të Pashallëkut të Tetovës), e cila për portalin sdk.mk mestjerash thotë që: "Me interesim të lartë janë tre tunelet nëntoksore që dilnin nga Kalaja dhe shërbenin për evakuim. Ku njëri Tunel dilte në fshatin Llacë, i dyti tunel dilte në qytet te Lumi Shkuma, ndërsa tuneli i tretë dilte në qytet te shkolla e vjetër Medicinale. Për të tretin thuhet që ka qenë më i madhi dhe në të thuhet që është kaluar edhe me karrocë kuajsh. Gjatë gërmime arkeologjike që kemi bërë në Kala, në pjesën veriore të mureve të Kalasë, gjetëm një grykë i cili me shumë gjasa ka shërbyer si ventilim i njërit prej Tuneleve. Mirpo nevojiten shumë të holla për tu zhbuluar dhe konservuar këta tunele, të cilat me siguri tash janë të rrënuara".