Shkruan: Ismail Arsllani
Pas një shkëputjeje të gjatë, që nga mosha dy vjeçe e gjysmë, Valdete Deralla, mbesa e Mehmet Pashë Derallës, gjithmonë ka ëndërruar ardhjen në Tetovë. Gjyshi i saj ishte pranë ismail Qemalit në Vlorë dhe u zgjodh ministër i parë i Luftës. “Në vitin 1989, kur kisha një vizë për në Turqi, këtë ëndërr e realizova me shumë përpjekje, pas një vize transiti për në Jugosllavinë e atëhershme. Madje, me vështirësi kalova nëpër Ulqin, me qëllimin e vetëm për të ardhur në Tetovë”, kujton ato ditë Valdetja. Ajo asnjëherë nuk do t’i harrojë ato ditë kur duhej të vinte në Tetovë, në qytetin e saj të lindjes që e tërhiqte aq fuqishëm, përkundër faktit se nuk i kujtohej dita kur bashkë me familjen ishin arratisur që andej nën trysninë e regjimit komunist.
“Para kontaktit tim të parë me Tetovën, pyeta babanë nëse arrij të shkoj në vendlindje, në cilën derë do të duhej të trokas. Ai m’u përgjigj: “Shko ti moj bijë në Tetovë, se vetë tetovarët kanë për të të gjetur ty”. Këto fjalë kaq bindëse të babait kishin lehtësuar sado pak shpirtin e Valdetes, megjithatë babai i saj, Hysen Deralla kishte vërejtur një dozë dyshimi tek ajo. Atëherë, ai kishte shtuar: “Shko bijë në fshatin Gradec, mes Tetovës dhe Gostivarit, se atje ke një lagje të tërë, me dyzet familje, që i përkasin trungut të familjes Deralla”.
Valdetja tregon se kishte ardhur edhe disa herë në Tetovë, për të kërkuar dokumentacionin që është lindur në këtë qytet, por mjerisht nuk kishte arritur t’i nxjerr ato dokumente personale, edhe përkundër kontakteve me shumë personalitete shqiptare. Përpjekjet kanë qenë të kota, sepse me kohë ishin zhdukur qoftë dokumentet e lindjes, ose të martesës së nënës së saj me babanë. “Kam një fotografi të kësaj martese madhështore, që ka ndodhur në vitin 1943, në kohën e Shqipërisë etnike, me flamurin kombëtar shqiptar, ku kanë qenë të gjithë personalitetet shqiptare të kohës, duke filluar nga prefekti, e deri te përfaqësuesit e lartë të fesë islame. Këto fotografi nuk janë ruajtur të gjitha, nga se gjatë arrestimit të babës, organet e pushtetit kishin marrë shumicën e fotografive, por disa prej tyre ishin ruajtur nga anëtarët e tjerë të familjes së gjerë”, rrëfen me keqardhje Valdete Deralla.
Sipas fjalëve të saj, familja Deralla për disa shekuj i takon Tetovës, ndërsa me origjinë konsiderohet se rrjedh nga fshati Gradec, nja 12 kilometra në jugperëndim të Tetovës, rrëzë Sharrit, në drejtim të Gostivarit. “Nuk e gjej kohën se prej kur kjo familje ka ardhur në Tetovë, por me siguri që fillimet janë para stërgjyshit tim, Hasan Pashë Deralla, për të cilën gjë dëshmojnë gjurmët që ka lënë ky personalitet i lartë ushtarak në ngritjen e nivelit të qytetërimit dhe veprimtarisë patriotike të kësaj ane”, shpalon fjalë Valdetja, duke u kredhur thellë në kujtesë për paraardhësit e saj. Ajo ka arritur të gjejë edhe vetë shumë dokumente për stërgjyshin, Hasan Pashë Derallën, por edhe për të birin e tij, Mehmet Pashë Derallën, si dhe për brezin e babait të saj, Hysen Bej, Halim Bej Deralla dhe Gajur Bej Deralla.
Valdete Deralla, e bija e Hysen Beut, nuk mban mend për depërtimin e dhunshëm të familjes së saj nga Tetova për në Shqipëri, sepse ishte fëmijë pambush tre vjeç. Ajo më vonë ka mësuar se babanë e saj, bashkë me familjen nga viti 1946 e kishte depërtuar policia për në Tiranë, në kohën kur kufijtë ende kanë qenë të hapur. Xhaxhanë e saj, Gajur Deralla, një ushtarak i njohur shqiptar, i angazhuar për çështje kombëtare, regjimi i dalë nga partizanët e pas luftës e kishte dënuar me vdekje, pasi e kishte izoluar në Burgun e Shkupit. “Supozoj se ky dëbim i dhunshëm nga trojet e tyre stërgjyshore ishte për të mos u ngritur revolta e vëllezërve Deralla, me ndonjë aktivitet të thellë patriotik, deri në organizimin e ndonjë ushtrie nacionaliste kundër sllavëve dhe komunizmit.
Në fotografi: Valdete Deralla, me kushërinjtë (nga e majta), Berat Deralla, Genc Deralla dhe Nexhat Pilku, në shtëpinë e të parëve në Tetovë.