Tetova e armëve dhe barutit
Autor: Dr. Marenglen Verli(Tiranë)
Gjat periudhës së Perandorisë Osmane, Tetova famën më të madhe e arriti në zejet e përpunimit të metaleve. Mjeshtrit e Tetovës të prodhimit të armëve që ridhnin nga reth 300 familje ushtruese tradicionalisht të kësaj zeje, krahas mjeshtërve të Prizrenit, Shkodrës, Elbasanit e Gjakovës, qysh në shek. XVIII i bënë të njohura të gjithë Europës armët shqiptare me zbukurime elegante ari e ergjëndi. Në gjysmën e dytë të shek. XIX kjo zeje, ndonëse e kish kapërcyer kulmin e vet nën konkurencën e prodhimit të fabrikave evropiane, akoma qëndronte mirë. Martinat e Tetovës, sikurse dhe ato të 3-4 qyteteve të tjera shqiptarë, më të njohurve në zejen e armëtarisë, nuk dallonin nga prodhimet e industrisë evropiane, kurse armët e luksit të dekoruara me metale e gurë të çmuar, ishin kudo objekte adhurimi.
Mjeshtrit vendas të armëve, ndonëse nuk kishin parë si punohej në fabrikat e huaja dhe as kishin studiuar teknologjinë përkatëse, ishin të aftë të prodhonin kopjen identike të çdo lloj arme të importit. Mandej ata me veglat e tyre të thjeshta, improvizonin e perfeksiononin modelet e armëve të huaja. Shembull i nivelit të lartë të arritjeve të mjeshtërve tetovarë ishte edhe paraqitja e vitit 1884 në ekspozitën univerzale të Çikagos e një martine cilësore, të punuar nga një armëtar i qytetit të Tetovës. Tetova po shkëlqente veçanërisht në prodhimin e martinave. Madje, armëtarët vendas të prodhimit të martinave, jo vetëm nxirrnin prodhime ekstra, që mund të barazoheshin vetëm me prodhimet tepër cilësore të Prizrenit, dhe që ua kalonin prodhimeve të shumë qendrave të tjera qytetare, përfshi edhe Shkupin, por edhe në sasinë e armëve të prodhuara kishin arritur kuota të konsiderueshme. Çdo vjet prodhoheshin me mijëra copë armë, për të cilat gjendej treg i konsoliduar nga Ballkani e deri në Afrikën Veriore.
Tetova deri vonë në fillimet e shek.XX mbeti qendër ne rëndësishme e prodhimit të armëve, edhe pse autoritetet Osmane e ndaluan prodhimin e armëve nga personat privatë. Oficeri anglez – Morgen, i cili vizitoi qytetin në vitin 1900, konstatoi se aty kishte... një rrugë tërë me punishte armësh, që prodhinin martina, të cilat pastaj u shiteshin vetëm shqiptarëve. Madje ai përmend edhe ekzistencën e një punishte manifakture për prodhimin e barutit.
Fotografi: Armët janë të Perandorisë Osmane po nuk e dim vend prodhimin e tyre.