Demonstratat e vitit 1968 sollën burgosjen e mbi 100 pjesëmarrësve për vepër kundërvajtëse prej 15 deri më 60 ditë burg dhe disa dhjeta të tjerë për vepër penale prej 6 muajve deri në shtatë vite burg, ku në mesin e tyre ishin shumica intelektualët shqiptar të asaj kohe.
Pas gjykimeve filloi të përmirësohet gradualisht gjendja e shqiptarëve në Maqedoni, pasi që vetëdija e popullit shqiptarë u ngrit ashtu që me të madhe filloi regjistrimi i vajzave shqiptare në shkollat e mesme derisa në gjeneratën time në gjimnaz kishte vetëm tri vajza menjëherë filloi të ritet numri në dhjeta vajza të regjistruara, u hapën paralelet në gjuhën shqipe në të gjitha shkollat e mesme të Tetovës dhe në gjimnaz u rit numri paraleleve në gjashtë paralele në gjuhën shqipe. Në skenën politike filluan ndryshime në të mirë të shqiptarëve ashtu që u soll ligji për përdorimin e flamujve të kombësisë shqiptare dhe turke, ku me këtë ligj u përcaktua radhitja e flamujve në shtylla që mos të ketë laramani ashtu që radhitja ishte duke filluar prej të majës flamuri Shqiptar, flamuri R.P. të Maqedonisë, flamuri R.P.F të Jugosllavisë, flamuri Partisë Komuniste dhe flamuri Turk. Çdo institucion siç ishte komuna, sekretariati për punë të brendshme, gjykata, shkollat dhe ndërmarrjet, shitoret e tjera ishin të obliguara që në festat shtetërore ti vendosin të pestë flamuj me radhitjen e lartpërmendur dhe të jenë me madhësi të njëjtë. Administrata dhe evidenca pedagogjike vijoj si më parë të mbahet vetëm në gjuhën shqipe, risi kërkesat dhe dokumentacioni në komunë jepeshin edhe në gjuhën shqipe.
Në nivelin republikan filluan të diskutojnë për ndryshimet e kushtetutës së krahinave, republikave dhe federatës. Në vitin 1971 u sollën amendamentet për ndryshimin e kushtetutës ku në amendamentet XV, XVII dhe tjerë parashiheshin disa ndryshime thelbësore për të drejtat e kombësive dhe pakicave etnike
Më poshtë u sjelli disa nene nga Kushtetuta e vitit 1974 marrë nga Gazeta Zyrtare e datës 25 shkurt 1974 numër 7 viti XXX
“Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet kombëtar i popullit maqedonas dhe shtet i kombësisë shqiptare dhe turke në të, e themeluar mbi sovranitetin e popullit dhe mbi pushtetin dhe vetëqeverisjen e klasës punëtore dhe të gjithë njerëzve punëtorë, dhe bashkësisë demokratike vetëqeverisëse socialiste të njerëzve punëtorë dhe qytetarëve të popullit maqedonas dhe të barabartët me ata, kombësisë shqiptare dhe turke.’’
Në faqen 105, paragrafi 2 thotë:
‘’Që populli maqedonas së bashku me kombësitë në Maqedoni, në Luftën Nacionalçlirimtare të përbashkët me popujt tjerë jugosllav dhe kombësitë, e krijoi Republikën Socialiste të Maqedonisë si shtet kombëtar i popullit maqedonas dhe shtet i kombësisë shqiptare dhe turke në të, ku janë realizuar përpjekjet e popullit maqedonas për liri kombëtare dhe pavarësi shtetërore, të kombësive për barazi, si edhe të klasës punëtore dhe të gjithë njerëzve punonjës për shoqëri socialiste.’’
Neni 178 thotë:
”Secilës kombësi i garantohet e drejta e përdorimit të lirë të gjuhës së tyre, që ta shprehë dhe zhvillojë kulturën e tij dhe të themelohen institucione dhe organizata që ua sigurojnë këto të drejta.
Komunat dhe Republika kujdesen për zhvillimin, edukimin dhe arsimimin, si edhe zhvillimin e shtypit, radios, televizionit dhe veprimtarive kulturore të gjuhëve të kombësive.
Kombësitë kanë të drejtë të përdorin flamurin e kombësisë.’’
Neni 180, faqe 134-135
“Në zonat ku jetojnë pjesëtarë të kombësive, në jetën publike dhe shoqërore, gjuhët dhe alfabeti i kombësive janë të barabartë me gjuhën maqedonase.
Në komunat në zonat e të cilëve jetojnë pjesëtarë të kombësive, vendimet dhe aktet tjera më të rëndësishme të kuvendeve të komunave dhe të organizatave të punës së përbashkët dhe të organizatave tjera vetëqeverisëse dhe bashkësive, publikohen edhe në gjuhën e kombësive. Mbishkrimet publike në këto zona janë edhe në gjuhën e kombësive.’’
Neni 181, faqe 135.
“Pjesëtarët e kombësive kanë të drejtë të përdorimit të gjuhës së tyre dhe alfabetit në realizimin e të drejtave të tyre dhe obligimeve, si edhe në procedurat para organeve shtetërore dhe organizatave që kryejnë shërbime publike.’’
Neni 183 thotë:
“Në kuvendet e komunave në zonat e të cilave jetojnë pjesëtarë të kombësive dhe në Kuvendin e Republikës Socialiste të Maqedonisë formohet komision për marrëdhënie ndërmjet kombësive.
Komisioni e përcjell dhe shqyrton realizimin e barazisë së kombësive dhe të drejtat tjera të tyre të përcaktuara me kushtetutë dhe me ligjet, si edhe propozon masa për realizimin e tyre.
Në komisionin për marrëdhënie ndërmjet kombësive zgjidhen numër i njëjtë pjesëtarësh të popullit maqedonas dhe të kombësive shqiptare dhe turke.’’
Kapitulli V i Kushtetutës së vitit 1974, në pjesën ‘’Liritë, të drejtat dhe detyrimet e njeriut dhe qytetarëve’’, përcakton barazinë e plotë të qytetarëve të Maqedonisë para ligjit.
Neni 203, faqe 137, thotë:
”Liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit, të përcaktuara me kushtetutë, realizohen në solidaritet të ndërsjellë të njerëzve dhe me plotësimin e obligimeve dhe përgjegjësive të secilit ndaj të gjithëve dhe të të gjithëve ndaj secilit.
Liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit kufizohen vetëm me liritë e njëjta dhe të drejtat e të tjerëve dhe me interesat e bashkësisë socialiste të përcaktuara me Kushtetutë.
Secili është i detyruar të respektojë liritë dhe të drejtat e të tjerëve dhe është përgjegjës për këtë.’’
Neni 204 thotë:
”Qytetarët janë të barabartë në të drejtat dhe obligimet, pa marrë parasysh kombësinë, racën, gjininë, gjuhën, besimin, arsimin ose pozitën shoqërore. Të gjithë janë të barabartë para ligjit.’’
Neni 221, faqe 138 thotë:
”Pjesëtarët e grupeve etnike që jetojnë në Republikën Socialiste të Maqedonisë janë të barabartë me popullin maqedonas dhe kombësitë, si edhe kanë të drejta të barabarta dhe obligime.
Komunat dhe Republika sigurojnë që pjesëtarët e grupeve etnike të përfaqësohen proporcionalisht në kuvendet dhe komunat dhe në Kuvendin e RSM-së, si edhe të jenë të përfaqësuar në mënyrë të përshtatshme në organet e tyre.’’
Neni 222 thotë:
”Pjesëtarëve të grupeve etnike u garantohet e drejta që lirshëm të përdorin gjuhën e tyre, ta shprehin dhe ta zhvillojnë kulturën e tyre, si edhe ta themelohen institucione dhe organizata që do të sigurojnë realizimin e këtyre të drejtave.
Komunat dhe Republika kujdesen për zhvillimin e radios, televizionit, shtypit dhe veprimtarive kulturore të gjuhëve të grupeve etnike.
Pjesëtarët e grupeve etnike kanë të drejtë të përdorimit të flamurit të grupit etnik.’’
Në vitin 1974 u soll Kushtetuta e re e RSFJ ku ndryshimet më thelbësore ishin: termi popullore u zëvendësua me socialiste, Kosova dhe Vojvodina u avancuan prej provincave autonome në Krahina Socialiste me kushtetutë të vetën edhe pse ngelën në kuadër të Republikës Socialiste të Sërbisë. Ndryshuan edhe kushtetutat e republikave, ashtu që tani kemi Republikën Socialiste të Maqedonisë ku Maqedonia definohet si Republikë e popullit maqedonas dhe e kombësisë shqiptare dhe turke. Gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase, shqipe dhe turke.
Në vitin shkollor 1969/70 u themelua Universiteti i Prishtinës në Prishtinë në gjuhën shqipe, në Shkup u hap Shkolla e Lart Pedagogjike në gjuhën shqipe që përgatite kuadër arsimor për shkollat tetëvjeçare. Gazeta Rilindja e përditshme kosovare shpërndahej në Maqedoni dhe gazeta Flaka e Vëllazërimit javore që botohej në Shkup shpërndahej edhe në Kosovë dhe kjo gazetë më vonë filloj të botohet tri herë në javë e më vonë u bë e përditshme, televizioni i Shkupit nisi të ritë minutazhin në gjuhën shqipe deri sa Kronika në gjuhën shqipe (ditari) u bë emision i përditshëm.
Pra siç shihet edhe pse u burgosën dhe u maltretuan disa qindra shqiptar në 1968, këta demonstrata ndikuan në përparimin e të drejtave dhe lirinë e shqiptarëve në atë kohë sa që edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë ishte shqiptar si dhe në poste të ndryshme udhëheqëse kishte shqiptar si sekretar, zëvendës sekretar (ministra, zëvendës ministra) të Sekretariateve (Ministrive) të Këshillit Ekzekutiv, ambasador e tjera.
Huazuar nga a-news24.com