Ura e Kazazëve dhe shembja e urave të gurit në Tetovë.
Autorë: Kombinim i shënimeve të Hamdi Mediu dhe Ismail ARSLLANI
Ura e Kazazëve -Tetovë , (e ndërtuar nga ana e familjes Kazazëve, diku në pjesën e dytë të shekullit XVI), përbënte një konstruksion inxhinierik të stilit oriental, me një hark me hapësirë drite të mjaftueshme, ura lidhte dy anët e qytetit. Ura ka qenë e punuar me gurë të gdhendur (bigor) nga mjeshtrit vendas, ishte e pasuruar me korniza guri me profil të kurbët (parapet). Ura e kazazëve ishte në përdorim deri në ditët rrënimit të saj.
Dyshimet e tetovarëve për prishjen e urave
Këto katër ura të gurit kanë qenë të një rëndësie të veçantë për frekuentimin e njerëzve nga një pjesë e qytetit në tjetrën. Për nga funksionaliteti dhe arkitektura ndërtimore, kanë qenë me elemente tipike orientale. Ura e parë e rrënuar, që gjendej afër Xhamisë së Pashës, është ndërtuar nga Abdurrahman Pasha në vitin 1821, ndërsa është prishur nga regjimi i Mbretërisë jugosllave në vitin 1934, kur në afërsi të saj është ndërtuar një urë e re, me parametra bashkëkohore të pamjes arkitekturale. Kjo urë e vjetër e gurit mbi lumin Shkumbin, për dallim nga ajo e reja që ndërron pozicion, ka qenë disa metra mbi Hamamin e vjetër të qytetit, duke lidhur të dy anët përpara Xhamisë së Pashës.
Dy urat e tjera të gurit, njëra te Çarshia e Epërme, e quajtur Ura e Topit /Top kyprysi/, e ndërtuar nga Hasan Pasha, si dhe ajo tjetra e Kazazëve, pranë ish-Shkollës së Mesme të Mjekësisë dhe Arkivit Historik, e ndërtuar nga Rexhep Pasha, janë rrënuar nga fundi i nëntorit të vitit 1979, kur në këtë qytet kishte vërshime të mëdha të lumit Shkumbin, që ndodhën pas të reshurave të pandërprera disaditore të shiut që kishin mbërthyer qytetin atë vjeshtë. Lumi Shkumbin solli nga shpatet e Sharrit jo vetëm shumë ujë, por edhe mijëra kubikë zalle, gurë dhe shkëmbinj të mëdhenj, të cilët u përplasën në këto ura që kishin harqet e vogla dhe kërcënonin me përmbytjen e qytetit. Lagjja e Çarshisë së Epërme ishte stërmbushur me “kodra” zalli e shkëmbinjsh të grumbulluar nga vërshimet, ndërsa ujërat nga shtrati i lumit kishin dalë jashtë kontrollit, duke vërshuar shumë rrugë anësore dhe duke përmbytur edhe shumë shtëpi.
Në një gjendje të këtillë të jashtëzakonshme të fatkeqësisë elementare, autoritetet e atëhershme komunale dhe të mbrojtjes civile, morën vendim që të rrënohet Ura e Gurit te Çarshia e Epërme, me qëllim që të zbuteshin pasojat e vërshimeve. Por prishja e saj nuk i kishte dhënë rezultatet e duhura, sepse materialet shkatërruese që zbritnin me shpejtësi të madhe nga gryka e lumit, kërcënuan urën e dytë me radhë të Shkumbinit, që gjendej pranë ish-Shkollës së Mesme të Mjekësisë.
Por ndodhi çudia: ura qëndroi deri në qetësimin e ujërave dhe qytetarët u gëzuan që shpëtoi kjo urë. Ditët në vijim, megjithatë, ishin dëshpëruese për tetovarët. Disa ditë pas qetësimit të vërshimeve, me përmbytje të mëdha, që nuk mbahej mend që të kishin ndodhur ndonjëherë në këtë qytet, autoritetet e Mbrojtjes Territoriale dhe asaj Civile vendosën që edhe kjo urë të prishet(!) Prishja e saj, pas qetësimit të ujërave në shtratin e lumit, kishte shtruar shumë dilema në mesin e qytetarëve. Ato ditë, ekspertë ushtarakë shpuan në disa pika të harkut të urës, për të vendosur mjete shpërthyese për shembjen e saj, përderisa qytetarët nga distanca shikonin të habitur e të mllefosur ngjarjen e rrallë, duke përjetuar shembjen si një humbje të pakthyeshme të një objekti trashëgimor me vlerë të lartë kulturore, historike e arkitekturale, që ishte shpirti i qytetit.
Ura e Gurit te Spitali i Tetovës (që prej disa tetovarëve të vjetër, emërohet si Ura e Qelebekut, sipas emërtimit të asaj lagjeje, apo si Ura e Derallës, sipas shtëpisë së Mehmet Derallës që gjendej afër), për fat, u kishte bërë ballë vërshimeve të lumit të tërbuar dhe kishte mbetur pa u prishë. Kjo urë edhe sot po funksionon dhe shfrytëzohet për trafik urban. Ajo mbeti si relikt i vetëm i një kohe të perënduar osmane, si një kujtesë për pamjen e vjetër të këtij qyteti, që ka ruajtur karakteristikat e arkitekturës osmane.
Origjina e saktë të fotografive nuk e dimë.