DRAMA E PARË SHQIPE "TË BURGOSURIT" NGA AUTORI HAMIT SHIJAKU - 7 Tetor 1939
Autor: Ismet Jonuzi-KROSI,Fejtoni "E VËRTETA PËR ORGANIZATËN "BESA" DEGA E TETOVËS (1936-1944)", i botuar në shtatë vazhdime në muajin korrik të vitit 2004 në gazetën "FAKTI"
MË 7 TETOR 1939, DRAMA E PARË SHQIPE "TË BURGOSURIT" NGA AUTORI HAMIT SHIJAKU, U SHFAQ NË TETOVË, SHIPKOVICË DHE GRADEC NË VITIN 1939, NË FORMËN ILEGALE NGA ORGANIZATA "BESA" DEGA E TETOVËS (1935-1944)
Me ardhjen e Hamitit Shijakut në Tetovë, përgatitet shfaqja “Të burgosurit” nën ombrellën e organizatës “BESA”.
Në atë kohë kryetari Idriz Ibrahimi Cërcëri, bën këtë marrëveshje me avokatin Kadri Saliu prej Gostivari: në rast se shteti, policia dhe strukturat e saj bëjnë ndonjë represion ose i burgos aktorët e shfaqes, Kadri Saliu merr pësipër të angazhon dhe të financon dy avokatë prej Shkupi për mbrojtjen e tyre, por me kusht që të mos përmendet emri i Kadri Saliut.
Por, Organizata jep sinjalin e gjelbër që të fillojnë ushtrimet ne shtëpinë e Hysein Xhaferit.
Drama “TË BURGOSURIT” që autor është Hamit Shijaku, trajtonte luftën heroike të popullit shqiptar të malësisë së Shkodrës nën udhëheqjen e Hodo Pashës, i cili ka luftuar kundër fqinjëve grabitqar serbomalazezë. Hamit Shijakut si i arratisur emigrant shqiptar i ardhur nga Shqipëria, organizata “BESA” i siguroi banesë me qira si dhe ushqim që brenda ditës të ushqehej tri herë në ditë tek gjellëtorja “Tik -Tak” pronë e Mesut Mulla Beqirit nga Tetova.
Këto shpenzime i siguronte prej buxhetit të vet organizata “BESA”, gjithashtu i jepte një shumë të hollash për shpenzimet personale.
Ushtrimet për përgatitjen e dramës “TË BURGOSURIT” vazhdonin më një intensitet të madh, mirëpo disa ditë më parë Idriz Ibrahimi-Cërcëri, Naxhi Sulejmani dhe Hysein Xhaferi kishin mbajtur një takim ku kishin bërë një diskutim shumë dobishëm me çrast Idrizi, Naxhiu dhe Hyseini me këmbëngulje kanë diskutuar se prej dy okupatorëve aty jugosllav e italian, më mirë do të ishte sikur italianët ta okupojnë vendin tonë, Maqedoninë Perëndimore dhe Kosovën, përderisa Hamit Shijaku ishte kundër fashizmit italo–gjerman dhe kërkonte mos okupimin italo–gjerman në Maqedoni dhe Kosovë. Mirëpo, kur iu elaborua gjerë e gjatë Hamit Shijakut, se me ardhjen e italianëve ne bashkohemi me Shqipërinë, do të hapen shkollat në gjuhën shqipe, administratat do të bëhen shqipe, gjyqi do të bëhet në gjuhën shqipe, xhandarmeria lokale në gjuhën shqipe dhe prefektura në duart e shqiptarëve etj , ai u dakordua që vendi do të çlirohet prej italianëve dhe se është pozitive për ne. Organizata “BESA” mendonte se me okupimin italian për ne është “çlirim nga zgjedha jugosllave”, por kjo marrëveshje ka qenë shumë e fshehur me të vetmen arsye që të mos e hetojnë e t’i bien në gjurmë komunistët sllavë të Maqedonisë dhe Serbisë.
Për afër dy muaj përgatitja e dramës ishte gati dhe Naxhi Sulejmani ishte caktuar përgjegjës nga organizata “BESA” për këtë shfaqe, por duhet theksuar se aktorët e kësaj drame nuk kishin njohuri se Naxhiu është përgjegjës. Hamit Shijaku çdo një ose dy ditë kishte bisedë të fshehtë me ndonjë anëtar të qendrës si me Idriz Cërcërin, Hysein Xheferin ose me Naxhi Sulejmanin. Në të shumtën e rasteve ka qenë prezent Shefqet Sulejmani në cilësinë e kuririt, i cili nuk ka marrë pjesë në diskutime siç thotë:“Unë kam qenë i ri, thënë troç nuk kisha njohuri të mjaftueshme për përgatitjet si ato teknike e të ngjashme të dramës, por përcillja porositë e organizatës se ku apo në sa ora dhe në cilën shtëpi do të mbaheshin provat e dramës. Vërtet isha i mahnitur me aktivitetet e aktorëve të dramës që edhe sot e tërë ditën më rrinë parasysh skenat ku ata ushtonin rolet e tyre.”
Premiera e dramës “Të burgosurit” është dhënë më 7 tetor 1939 në shtëpinë e Mehmet bej Palloshit, ku ka pasur publikë prej 15 deri 20 shikues. Skena ka qenë e varfër, por mjaftë modeste, aktrimi i varfër apo thënë amatorë klasikë, por kënaqësia e publikut ishte e madhe, mahnitëse ngase për herë të parë shfaqej dramë në gjuhën shqipe. Pas disa ditëve Qendra e Organizatës Kombëtare “BESA” vendosi që drama “Të burgosurit” të rishfaqet në shtëpinë e Hysein Xhaferit. Atë ditë prezent ishin edhe anëtarët e organizatës “BESA” - hafëz Muhamed efendi Xhelili, Mulla Jahja, aktori dhe regjisori i dramës Hamit Shijaku e të tjerë. Gjithashtu, duhet përmendur se aktorë të kësaj drame ishin: Abdyraman Tresi, Vehab Kadriu, Kadir Sulejmani (si vajzë Margarita), Xheladin Palloshi, Sheref Kazazi (në rolin e drejtorit të burgut Savo), Naxhi Sulejmani (si roje burgu) dhe Hysni Abdullai (në rolin e nipit të Hodo Pashës).
Pas disa ditëve organizata mban një mbledhje, ku u vendos që të rishfaqet drama “Të burgosurit” edhe në fshatin Gradec-Draodukumi i kohës ilire, fshat i fisit të nënës së Skënderbeut (fisit deralla– Mehmet Pashë Deralla), si dhe në fshatin Shipkovicë. Kjo shfaqe ka patur shume sukses, publiku shume e ka lavdëruar madje shumë njerëz kanë qarë.
_____________________________________________
Ismet Jonuzi-KROSI "ORGANIZATA KOMBËTARE “BESA” DEGA E TETOVËS (1935-1944)" - TRINGA DESIGN, Tetovë, 2008 (Andaj, falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan me të dhënat dhe materialet, e në veçanti z. Shefqet Sulejmanin, i cili nuk ngurroi fare që të m’i ofroj të dhënat dhe dëshmitë, po ashtu i jam mirënjohës edhe dr. Ilir Lumës, djalit të Gani Lumës, që m’i ofroi fotografitë dhe ditarin në dorëshkrim (ditari ka 237 faqe të shkruar nga Gani Selman Luma, anëtar i kësaj organizate dhe i dënuar politik nga sistemi komunist) të prindit të tij, që e ka ruajtur me dekada. Ditarin në dorëshkrim e kam përpunuar me kujdes të veçantë që ta ruaj origjinalitetin në përjashtim të përshtatjes së gjuhës standarde dhe të dhënat që unë gjykoj se ia vlejnë të jenë pjesë e kësaj vepre.)