"Historia do të dalloj atdhetarin nga tradhëtari"
Autor: Zeqirja Idrizi "Treva e Pollogut në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare 1899-1913"
Në qeverinë e Përkohshme të Vlorës nga Pollogu(Tetova) bënte pjesë Mehmet Pashë Deralla në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall në emër të gjitha trevave te popullsisë shqiptare. Ajo ishte vepër e mbarë kombit shqiptar. Në themelet e saj vuri gurë e tërë Shqipëria, të gjitha viset e saj, të gjitha forcat shoqërore të kombit. Edhe pse në kushtet e vështira tëLuftes Ballkanike.dhe të pushtimit serbo-malazez e grek, qytetet e Kosovës, të Pollogut dhe të trevave të tjera lindore të Shqipërisë, si dhe ato të Çamërisë dërguan në
Kuvendin Kombëtar të Vlorës përfaqesuesit e tyre duke i dhënë atij karakterin e një Asambleje mbarë Shqiptare. Me 4 dhjetor 1912, kur u zgjodh Qeveria e Përkohshme si dhe ne 2-3 ditët që pasuan midis 63 delegatëve, 16 ishin nga Kosova, nga kryeqendra e saj Shkupu,nga Tetova, Peja, Gjakova, Ohri, Struga,Dibra, Mitrovica, ndërsa 7 ishin nga Çamëria.
Pikëpamjet e saj për çështjen shqiptare Qeveria e Vlorës ia parashtroi Konferencës së Londrës,ku nuk mungonte edhe aktiviteti i Gjeneral Derallës, në Momerandumin që delegacioni shqiptar i paraqiti kryetarit të saj, Edward Grey, më 2 janar 1913. Pasi u kthye delegacioni në Vlorë nga Londra, Isa Boletinit fare nuk i shkonte mendja të hiqte dorë nga përpjekjet për të demonstruar pakënaqësinë pranë fuqive të mëdha. Ai së bashku me delegatët tjerë të Kosovës -
Mehmet Pashë Derallën , Ajdin Dragën u dërguan një telegram proteste qeverive të gjashtë Fuqive të Mëdha të Evropës, në të cilin kërkonin rishikimin e kufijve verior dhe verilindor të Shqipërisë. Në këtë telegram protestues, të nënshkruar nga Mehmet Pashë Deralla, Isa Boletini dhe Qerim Begolli thuhej:
"Ne nuk kundërshtuam marshimin e aleatëve dhe armatave të tyre për të larguar robëruesin e përbashkët. Por nuk mund të jemi dakord që një popullsi prej një milion shqiptarësh myslimanë e katolik të bien nën sundimin e ri serb, përqindja e të cilit në këto territore shqiptare nuk arrin mbi 5%. Këtë mund ta verifikoni me dërgimin e një komisioni të lartë evropian"
Duke parë gjendjen e vajtueshme të trevave të okupuara nga serbo-malazezet këta vendosën që t'i kundërshtonin me forcë vendimet e konferences së Londrës.
Kryetari i Qeverisë së përkohshme të Vlorës Ismail Qemali, dërgoi një letër deri te Prefektura e Elbasanit në emër teëAqif Pashë Elbasanit (Biçakut) në të cilën shkruante:
"Se duhet tu krijohen mundësi lehtësuese djemve të Mehmet Pashë Derallës, Halim bej Tetovës dhe Mynip beut që duhej të kalonin nga Elbasani për në Tetovë, për t'u bashkuar me atdhetarët tjerë që luftonin kundër pushtuesve serb".
Lajmet e shumta të asaj kohe hedhin dritë mbi luftimet e zhvilluara në shtator- tetor te 1913-ës. Nga Shkupi raportohej se shqiptarët të përbërë gjoja prej 20.000 vetash flitet se bashkëveprojnë me grupet bullgare dhe udhëhiqen prej Mehmet Pashë Derallës. Viti 1913 përbën kulmin e armiqësis dhe të gjakosjes së re shqiptaro-serbe, shkaktarja e se cilës është qeveria serbe me oborrin mbretëror, komandën supreme dhe krerët e tjerë frymëzues, organizatorë dhe zbatues të
gjenocidit antishqiptar, duke lënë një njollë të zezë ne historinë e popullit serb.
Në fund të vitit 1913 dhe në janar të vitit 1914 propaganda e Esadit dhe e forcave të tij u shoqërua me organizimin e përleshjeve të armatosura e të përgjakshme ndërmjet shqiptarëve, u shtri në gjithë qendrat e vendit. Kjo veprimtari antikombëtare e Esat Pashës i solli dëm të madh Shqipërisë, sepse ajo u zhvillua në kohën kur mbërriti në Vlorë KNK-ja, kur shqiptarët duhej të dilnin të bashkuar
para Evropës.
Qëndrimin ndaj çështjes së bashkimit të vendit e të popullit Ismail Qemali, Mehmet Pashë Deralla, Hasan Prishtina dhe atdhetarët tjerë e cilësonin si një gurë prove, "sipas të cilit historia do të dalloj atdhetarin nga tradhëtari".