Nuk dihet se kush e ka ndërtuar xhaminë e vjetër, madje nuk është i njohur as viti i ndërtimit. Nuk ekziston as mbishkrimi, që me siguri atëkohë ka qenë në hyrje të saj. Deri më tani nuk është gjetur ndonjë dokument, vakëfname me anë të të cilit do të përcaktohej viti i ndërtimit të saj. Madje, kjo xhami, deri në ditët e sotme asnjëherë nuk ka qenë objekt i ndonjë hulumtimi më serioz.
Përveç të shumënjohurës xhami reprezentative në Tetovë, xhamisë së Pashës, xhamia e Sahatit është objekti i dytë fetar më i rëndësishëm historik, arkitektonik dhe artistik në Tetovë. Ajo gjendet në afërsi të qendrës së qytetit, në lagjen e dikurshme të quajtur Mëhalla e Salih Çelebisë, sot e njohur si Mëhalla e Sahatit. Emrin kjo xhami e ka marrë nga Kulla e Sahatit, e ndërtuar nga Mehmet Pashë Kaçaniku në fillim të shekullit 16, e cila deri në vitin 1933 ka qëndruar në anën perëndimore të xhamisë, ku sot gjendet parku miniaturë.
Në afërsi të kullës ka pasur edhe medrese, derisa përballë hyrjes së sotme kryesore të xhamisë ka qenë mysafirhania (sellamllëk). Të gjitha këto objekte së bashku kanë formuar kompleksin karakteristik kulije të arkitekturës islame. Për ekzistimin e medresesë dhe selamllëkut përveç hulumtuesve, njohës të kësaj periudhe, flet edhe tash më i ndjeri hafiz Sali efendiu, imam i dikurshëm në këtë xhami i cili vjen nga një familje anëtarët i së cilës gjeneratë pas gjenerate kan shërbyer në këtë xhami.
Fatkeqësisht, komplekset e këtilla urbane, pas largimit të osmanlinjve nga këto vende si dhe duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë të vendit dhe planeve shkatërruese urbanistike, e kanë humbur koncepcionin e mëparshëm dhe janë shkatërruar. Nga të gjitha objektet e këtij kompleksi, tani ka mbetur vetëm xhamia.
KUR DHE KUSH E NDËRTOI?
Nuk dihet se kush e ka ndërtuar xhaminë e vjetër, madje nuk është i njohur as viti i ndërtimit. Nuk ekziston as mbishkrimi, që me siguri atëkohë ka qenë në hyrje të saj. Deri më tani nuk është gjetur ndonjë dokument, vakëfname me anë të të cilit do të përcaktohej viti i ndërtimit të saj. Madje, kjo xhami, deri në ditët e sotme asnjëherë nuk ka qenë objekt i ndonjë hulumtimi më serioz, përveç shkrimit tonë të para më shumë se 30 vjetëve, botuar në revistën e BFI-së “Hëna e Re” i cili për herë të parë e hapi rrugën për trajtimin e saj nga aspekti shkencor. Vite më pas, xhamisë iu dha statusi trashëgimi kulturore e mbrojtur dhe e valorizuar si monument historik. Megjithatë, edhe pse nuk ekzistojnë të dhëna konkrete, duke u bazuar në nishanet e ruajtura në mbivarret dhe sarkofagët që gjenden në oborrin e xhamisë, duke e pasur parasysh vendndodhjen, afër kullës së dikurshme të Sahatit, në bazë të gojëdhënave dhe rrëfimeve të banorëve më të vjetër të qytetit por edhe citime të disa autorëve, mund të konstatojmë se kjo xhami është ndërtuar në shek. XV, kur Tetova tashmë ka qenë e formuar si një kasaba orientale. Burim kryesor për këtë konstatim është pllaka në varrin afër minares.
Këtu është varrosur Abdusselam Muslihuddin, për të cilin besohet se është themelues i xhamisë. Mbishkrimi i shkruar në nishan mermeri është në gjuhën arabe me shkronja të stilit nes’hi, me shkronja të mëdha të ndërthurura mes vete. Teksti i deshifruar në mbishkrim në përkthim do të thotë: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Muhamedi është i dërguari i tij! Në atë botë kaloi i ndjeri, iu falshin mëkatet, Abdusselam b. Muslihuddin, viti nëntëqind e tetë”. (1502/3)
Nëse Abdusselam Muslihuddini, i cili konsiderohet si themelues i xhamisë ka ndërruar jetë më 1502, do të thotë se xhamia tanimë ka ekzistuar. Prandaj, vitin e saktë të ndërtimit e kërkojmë në periudhën 1480-1490.
VEÇORITË ARKITEKTONIKE DHE ESTETIKE
Xhamia e Sahatit bën pjesë në kategorinë e ndërtimeve me vetëm një hapësirë Ahshab (të ulëta prej druri), xhami me themele katrore e çati katërshtyllëshe të mbuluar me qeramidhe. Forma e sotme e xhamisë, me siguri se nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga pamja e saj fillestare. E madhe është mundësia që objekti i sotëm të jetë në parametrat origjinale, 12×12 metra me mure të trasha prej 90 cm.
Në pjesën veriperëndimore të fasadës hyrëse të xhamisë, në të gjithë gjerësinë e saj gjendet tremi i hapur ose sofat me gjashtë trarë druri përpara dhe dy anësorë. Konstruksioni prej druri i hajatit është i mbuluar me çati të përbashkët katëranëshe. Shtyllat e holla të rrumbullakëta në pjesët e poshtme janë katrore, ndërsa në pjesët e lart janë të përforcuara me kapitele të profilizuara të punuara në dru. Në murin ballor të xhamisë, në minderet majtas dhe djathtas ndodhen dy kamare me harqe të thyera në formë të qemerit, të cilat përdoren si mihrabë ndihmës. Nga të dy anët hajati është i ngritur pak lart, ndërsa rrugica që të çon deri te vendi ku kryhen lutjet është nën nivelin e hajatit, që është karakteristikë e xhamive përpara të cilave ka hajat të hapur. Mbi këtë hajat, nga perëndimi në lindje kalon një shteg, i cili, para rinovimit të xhamisë më 1983 në disa vende ka qenë i hapur. Nga ai shteg ka rrjedhur ujë i pastër, i cili është përdorur për të marrë abdes në vendet e ndërtuara special për këtë ritual dhe të cilat kanë qenë të zbukuruar me basamakë të profilizuar prej mermeri. Me siguri, për këtë arsye kjo xhami asnjëherë nuk ka pasur shadërvan. Pas rinovimit, shtegu i cili i ka dhënë një pamje të veçantë këtij objekti, është mbuluar duke qenë se uji që ka rrjedhur prej saj nuk ka qenë më i pastër.
Nga brenda, xhamia merr dritë nga dy rende dritaresh. Dritaret e epërme dhe ato të poshtme kanë grila druri, “parmakllëk”. Para rinovimit, dritaret e poshtme, nga brenda kanë pasur kapakë druri. Brenda xhamisë gjendet një mahvil që qëndron në shtylla druri dhe ku ka mundur të hyhet edhe nga sofat edhe nga brenda. Në tavanin prej druri ka kube, për të cilën thuhet se deri në rinovimin e fundit është riparuar disa herë.
Në anën e djathtë të xhamisë, është minarja “truphollë” nga forma e së cilës bie në sy aspekti vertikal i krejt objektit si tërësi. Në të hyhet nga mahvili, ndërsa deri te sherefeja çojnë basamakët spiral nga guri me 50 shkallë. Në minare, në lartësinë e kulmit të minares nga ana e rrugës gjendet një pllakë e zbukuruar ku është shkruar “Mashaallah” dhe viti 1210 sipas Hixhretit apo me kalendarin tonë i bie të jetë viti 1796. Supozohet se në atë vit është bërë rindërtimi i minares. Brenda në xhami, në gjendje të mirë janë ruajtur tre shamdanë, mbajtëse për qiri ku janë shkruar vitet: 1794 dhe 1894. Numri i parë përputhet me vitin që është shkruar në mbishkrimin e minares. Konstruksioni arkitektonik i xhamisë, veçanërisht sa i përket tremit (hajatit) ndërlidhet me arkitekturën e vjetër të objekteve të banimit, ku ka variante të shumta të kombinimeve të punimeve me dru. Te xhamitë e tilla të vogla, detajet arkitektonike të pamjes së jashtme e të brendshme janë shumë të zbukuruara ose janë të pakta. Në rastin e Xhamisë së Sahatit, materialet e përdorura për ndërtimin e objektit janë të pakta, por nga ana tjetër për nga mënyra e përpunimit në aspekt estetiko-artistik, janë shumë të pasura. Koncepcionin e këtij lloji të xhamive në vendin tonë e kanë sjellë ndërtuesit e aftë të punimeve të tilla në qytetet e mëdha të perandorisë. Xhamitë me këtë lloj arkitekture te ne janë shumë të rralla, e të cilat në shumë raste janë xhami lagjeje. Nga ana tjetër, në Turqi ndërtimet e këtilla hasen në qytetet Afjon, Tokat dhe Kastamonu, ndërsa në Ballkan i gjejmë në Kosovë (Prizren, Xhamia Suzi) në Bosnjë dhe Hercegovinë (Sarajevë, Travnik etj.) dhe në Shqipëri (Berat).
Oborri i Xhamisë së Sahatit dikur ka qenë shumë më i madh se sa që është sot, por me intervenimet e shumta që janë bërë në këtë kompleks ai është zvogëluar. Më i madh ka qenë në pjesën jugore të tij ku ka ekzistuar një nekropol (varrezë) me një turbe të hapur. Në oborrin e xhamisë së sotme, përveç hyrjes nga ana e sofallareve janë ruajtur dy sarkofagë të mëdhenj dhe një më i vogël (varr), të cilët kanë vlerë jashtëzakonisht të madhe artistike. Në afërsi të gardhit të majtë të sofës është varri i Dervish Çelebiut, djalit të Hysein Çelebiut, që daton nga viti 1548. Mbishkrimi në nishanin e mbivarrit të sarkofagut jepet me anë të shkrimit nes’h të ruajtur në gjendje shumë të mirë e të zbukuruar me një “ornament të shkrimit rumi ”. Sipas një gojëdhëne, Çelebinjtë kanë qenë familja e parë që janë vendosur në këtë mëhallë.
Dy sarkofagët e tjerë i përkasin Muhtereme hatunit, e bija e Muslihuddinit dhe Husameddin Muhammedit, kadi nga Shkupi, të cilët me siguri kanë qenë bashkëshortë. Në përkthim, teksti i deshifruar i sarkofagut do të thotë: “Iku nga kjo botë gruaja, iu falshin mëkatet, Muhtereme hatun, në rrugën e Allahut, një hanëme e durueshme dhe e ndershme, e bija e Muslihuddinit, Allahu e ndriçoftë varrin e saj”.
Nga të dy anët, varret janë të zbukuruar me motive në relief me karaktere bimore, dekorime të stilit “Rumi”. Të theksojmë se edhe në pjesët më të vogla të ornamenteve vërehen motivet abstrakte, me kaligrafi tipike islame dhe një saktësi gjeometrike në të gjitha elementet e sarkofagëve të ruajtur. Ka edhe copa tjera mermeri, deri para pak vitesh të hedhura nëpër oborr, por tani të grumbulluara në një vend, në mesin e të cilave më e rëndësishme është pllaka e varrit, në të cilën, sipas mbishkrimit arab të gdhendur me shkronja të mëdha mësohet se është nishan i varrit të një personi me emrin Mahmud, djali i Huseinit nga viti 1511. Kjo pllakë është gjetur gjatë rinovimit të xhamisë.
VITI 1983, RENOVIMI QË I DHA JETË XHAMISË
Xhamia e Sahatit është rindërtuar më 1983 duke qenë se ka qenë gati se gjysëmeshkatëruar. Një kohë të gjatë para rinovimit të saj është zhvilluar një luftë e gjatë për ruajtjen e xhamisë, nga rrënimi i tërësishëm i objektit ngase planet ogurzeza urbanistike të dekadave të para dhe pas Luftës së Dytë Botërore e kishin piketuar edhe shfarosjen e kësaj vlere të historisë sonë. Kjo e vonoi restaurimin e xhamisë. Për rreth dy dekada vazhdoi përpjekja për mbetjen e saj në atë vend. Pati një angazhim të të pashoq e të palodhshëm të besimtarëve e atdhetarëve të udhëhequr nga imami i ndjerë hafëz Salih efendiu, i cili nuk kurseu asgjë për të qenë në krye të kësaj lëvizjeje për mbrojtjen e xhamisë nga fati që e kishte përjetuar Kulla e Sahatit gjatë sundimit të Jugosllavisë së “kralit”, kur për një arsye banale (rrahja e orës po prish qetësinë e banorëve jomyslimanë që jetojnë rreth Sahatit!!!) ishte rrënuar duke e lënë qytetin pa simbolin e saj shumëshekullor.
Xhamia, fatmirësisht nuk e përjetoi këtë epilog. Më në fund, më 1983, me leje të organeve kompetente u rinovua duke e ruajtur pamjen e saj autentike. Me frymën e re në shoqëri dhe me demokratizimin e saj, kjo xhami si monument në qendër të qytetit u mor edhe nën mbrojtje të ligjit. Me këtë rinovim të suksesshëm, nga aspekti arkitektonik-estetik, kjo xhami nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Madhësia e saj nuk është ndryshuar. Të gjitha elementet origjinale janë konservuar shumë mirë, ndërsa aplikacionet e reja janë përshtatur mirë me ato ekzistueset. Thënë shkurt, objekti tani është në gjendje të qëndrueshme dhe i konsoliduar.