Autor: Ismail Arsllani "Tetova në dosjen e kohës". fq. [18,19,20,21].
Shkrimet e para për ekzistimin e Tetovës, si vendbanim përfshijnë të dhëna qysh nga periudha antike, kur është njohur me emrin "ENEA" (Oeneum) nga latinishtja. Sipas të dhënave nga autorë të huaj, fusha e Pollogut në fillimet e saj ka qenë një liqen, këto të dhëna mbështeten në shenjat e zbuluara në kodrën e Balltepesë(Kodra e Mjaltit) rrafshnaltë me shkëmbinj të liqenit në lartësi mbidetare prej 770 metrash.
Gjetjet arkeologjike në disa lokalitete dëshmojnë se në rajonin e Pollogut ka ekzistuar një civilizim i hershëm pellazgo-ilir 3 mijë vjet para erës sonë. Sipas gjësendeve të gjetura nga gërmimet arkeologjike në objektet neolitike në lokalitetin e quajtur "Tumba" në fshatin Pallçisht i Poshtëm dalin dëshmi për një qytetërim edhe më të vjetër në luginën e Pollogut (Tetovë-Gostivar), prej më së largu gjashtë shekujsh para erës sonë. Jane gjetur disa fragmente prej qeramike, si dhe statuje të dedikuara kultit femëror, që japin një dëshmi kaq të hershme të civilizimit në këtë rajon.
Disa autorë i gjejnë fillet e këtij vendbanimi në lokalitetin Hisar, poshtë fshatit Shipkovicë. Në mbështetje të burimeve të historianit Tit Livi,vendbanimi i quajtur Oeneum llogaritet si qytet i penestëve. Tit Livi thotë se pozita ku është ngritur Oeneumi, ka në njërën anë lumin Artat, ndërsa në tjetrën malet e larta. Kjo supozon konstatimin se Artatos mund të jetë lumi që buron nga malet e Sharrit dhe të cilin vendasit e quanin Shkumbin.
Të flitet për vendbanimet e Pollogut dhe të mos përmendet Skënderbeu, është e pamundur. Ai është i bir i kësaj treve (nga nëna Vojsava e familjes Tribalda, e lindur në fshatin Gradec, ndërmjet Tetovës dhe Gostivarit). Legjenda për emrin e Tetovës lidhet me luftërat e Skënderbeut në disa troje të Pollogut. Flitet për përgatitjet e mëdha të Skënderbeut, i cili ka bërë tetë hove (sulme), për të marrë Tetovën me rrethinë.
Burimet maqedonase në disa gojëdhëna lidhur me etimologjinë e emërtimit të Tetovës. "Në kohën e pushtimit turk, në afërsi të vendbanimit,midis dy kodrave, paska jetuar një kuçedër,prej të cilit kanë pasur frikë të gjithë. As'kush ska pasur guxim të ballafaqohet me të, përveç një trimi i quajtut Teto, i cili u paska treguar guximtarë dhe ka mposhtur këtë përbindësh,ndaj edhe për nderë të tij vendbanimi e ka marrë emrin Teto(Tetova). Version tjetër për emrin buron prej fjalës sllavishtes së vjetër (htetovo) që dmth "vend i dashur" në gjysmën e shek XV, me shkrirjen e shkronjës "h" vendi emërohet "Tetovo".
Sipas dokumenteve turke, Tetova në shek XIV është trajtuar si fshat (kaza). Në gjuhën turke, Tetova përmendet me emrin Kalkandelen që në shqip dmth "Mburoja e shpuar". Lidhet me një rrëfim mitologjik që është krijuar gjatë rethimit të qytetit nga ushtria osmane. Mbrojtësit e qytetit rezistonin aq fortë mbi pushtuesit, saqë me shtizat e tyre arrinin t'i shpërthenin mburojat e tyre. Rrëfimi i dytë flet për një ushtarë osman, i cili pas një sulmi kishte rrënë të pushoj i mbuluar me mburojën e tij , për tu mbrojtur nga dielli. Nga kodra mbi qytet, hidhet rrufeshëm një kuçedër mbi trupin e ushtarit që pushonte, tejshpon mburojën e tij dhe qëllon në zemër, për vdekje.
Në kronikat e tij gjatë udhëtimeve nëpër vendet ballkanike udhëpërshkruesi i njohur Evlia Çelebia shkruan për Tetovën si për një, qytet të cilin e quanin Kallkandelen, emër ky që ende po përdoret nga turqit. Ai në udhëpërshkrime jep detaje për vendndodhjen (Kallkandelenit), duke përmendur edhe lumin Vardar që gjendet në anën lindore të malit Sharr, nja 17 ditë larg Stambollit, udhëtim me këmb. Dokumente të këtilla janë gjetur edhe nga burime austriake.