Shkruan: Ismail Arsllani
Çezma në Harabati Baba Teqe, e ndërtuar nga Rexhep Pasha.
Uji i pijshëm që vinte nga burimet e Sharrit, ka arritur në Tetovë relativisht vonë, tek në kohën e Koxha Rexhep Pashës dhe të birit të tij, Abdurrahman Pashës, drejtues të Pashallëkut të Tetovës. Deri në shekullin e 18, tetovarët kanë shfrytëzuar ujin e lumit Shkumbin, që asokohe ka qenë i pastër, madje edhe për pije, pastaj përroskat e degëzuara të lumit dhe vijat e ujit, të quajtura “brazda”, për larje e pastrim, ndërsa për pije kanë shfrytëzuar kryesisht ujin e puseve.
Njëra ndër çezmat e para publike në këtë qytet është ndërtuar në vitin 1814, në pjesën jugore të Çarshisë së Epërme, nga të parët e familjes së njohur tetovare - Baleza (Arsllani I., “Tetova në dosjen e kohës” 2018, f. 98-101).
Deri në fund të shekullit 19, tetovarët janë furnizuar me ujë nga çezmat publike, që kanë qenë afër 30 sosh në gjithë qytetin (1896-Petrov: 419). Këto të dhëna për çezmat publike të Tetovës janë marrë nga “Sallnameja” e Vilajetit të Kosovës nga vitet 1890.
Në vitin 1898, në Tetovë ka pasur afër 100 çezma publike (1981-Ayverdi:75). Disa nga emrat e çezmave kanë qenë: Çezma e mëhallës së Sahatit, që e ka pasur ujin e cilësisë së lartë; çezma e Balezës, me ujë të ftohtë; çezma e Teqesë; çezma e Qatipit, një ndër më të ftohtat, çezma e Tulës, çezma e Xhambazit etj. Çezma ka pasur kudo ku ka pasur edhe xhami. Prej të gjitha çezmave të vjetra publike (pos atyre nëpër xhami), deri më sot ka mbetur vetëm çezma e Balezës në Çarshinë e Epërme, me ujë të ftohtë nga Sharri.
Në Tetovë, në vitin 1931 është përuruar ujësjellësi i ri i qytetit, prej kur fillon edhe përhapja e rrjetit të ujësjellësit. Në vitin 1950 ka pasur nja 80 çezma publike. Çezmat individuale, nëpër shtëpia, kanë zënë të shpërndahen gradualisht, kështu që në vitin 1955, sipas një shkrimi në gazetën “Politika” të Beogradit (25.02.1955), në Tetovë ka pasur 1.057 çezma individuale (Gavrovski, D., “Tetovski Govor”, 2020: f.594) /I.A./
Foto:
1. Çezma e Balezës në Çarshinë e Epërme të Tetovës më 1814
2. Çezma në Teqenë Harabati Baba
Çezma Baleza, në Çarshi të Epërme.