Në javët e fundit, ne si organizatë jo-qeveritare “HUTA” Tetovë, kemi hulumtuar rreth pronësisë së Kalasë së Tetovës, me çka arritëm të siguronim disa dokumente që tregojnë pronarin e Kalasë së Tetovës. Ajo që pamë dhe kuptuam nga ato dokumente është që prona e Kalasë së Tetovës, sipas rrugës së konvertimit, në vitin 1993 i është dhënë Kishës së Shën Athanasit(shih: nr.lëndës 1122-16/2014 (сп.пр.82/2014) К.П. 452).
Por si ndodhi kjo?
Besohet që kisha është ndërtuar në vitin 1922 në themelet e kishës së vjetër të Shën Athansit të fsh. Leshk. Në vitin 1923 është marrë akt kadastral për “pronësinë e kishës me avlijat” me numër 366 të datës 28 shkurt 1923, vërtetuar nga Gjykata e atëhershme e shkallës së parë në Tetovë me numër 3853 në maj të vitit 1923. Muzeu i krahinës së Tetovës, me këtë dokument me numër 0301/79/1 të datës 6 prill 1988, vërteton se zona e përmendur “është dorëzuar në posedim dhe përdorim të përhershëm të famullisë së ipeshkvisë së Tetovës të Kishës ortodokse të Maqedonisë".
Mirëpo si qëndron e vërteta?
Kalaja e Tetovës filloi të ndërtohet në kodrën Ball – Tepe në vitin 1796 nga ana e pashait të Pashallëkut të Tetovës Koxha Rexhep Pasha, mbi mbeturinat e një kështjelle të vjetër ilire.
Më pas punimet i vazhdoi djali i tij Abdurrahman Pasha, deri më vitin 1843 kur u internua nga ana e portës së lartë. Kalaja e Tetovës si një fortifikatë impozante e kohës përmendet edhe nga poeti turk Ashik Kenzi që kishte vizituar Kalanë e Tetovës në vitin 1834, i cili në vargjet e tij thotë:
“Nga njëra anë është Baba Jarani i shpellës
Karshi qëndron Sersem Ali Baba prekës
Katër anët, evliatë, ia mbrojnë
Njëri prej tyre është Kojun Baba, i thojnë”,
që do të thotë se në Kalanë e Tetovës ka pasur teqe e jo kishë!
Këtë e dëshmojnë edhe dokumentet e vjetra osmane ku mes tjerash në kohën e Sersem Ali Dedes, Balli Baba i cili fitoi postin Baba, u dërgua me shërbim dhe për predikime në Teqen e Baba Sadredinit që gjendej në Kalanë e Tetovës, në vendin e quajtur “vendi i shehitëve”[1].
Ne si organizatë jo-qeveritare, do të kërkojmë si nga Komuna e Tetovës, ashtu edhe nga Bashkësia Fetare Islame, Bashkësia Fetare Bektashiane dhe Kisha Ortodokse e Maqedonisë, që prona e Kalasë së Tetovës ti jepet në pronësi Komunës së Tetovës dhe e njëjta të merr kujdesin e merituar dhe konservim adekuat.
[1] Ali Vishko “Teqeja Harabati e Tetovës dhe roli i saj historik e kulturor në të kaluarën” fq.26