Shqiptarët e mjerë, çdoherë të përçarë, të pa organizuar, të pa disiplinuar!
MË 1943 KRYETAR I BASHKISË SË TETOVËS NË VEND TË DR. XHAFER SULEJMANIT, EMËROHET SHAIP KAMBERI- AVOKAT
Autor: Material i shkëputur nga libri Ismet Jonuzi - Krosi "E VËRTETA PËR ORGANIZATËN
“BESA” DEGA E TETOVËS ME RRETHINË (1935-1944)" fq.70,71,72
Në këtë kohë në Tetovë formohet njëfarë komiteti prej esnafëve të çarshisë së Tetovës dhe njerëzve më të njohur. Anëtarët e organizatës “BESA” nuk marrin pjesë në këtë komitet. Kryetari i ri Shaipi Kamberi , ishte kundër ekseseve dhe plaçkitjeve që ndodhin në rreth. Ai, bashkëpunonte me komitetin kundër të gjitha ekseseve.
Me kapitullimin e Italisë më 1943, populli ndihej i pasigurt dhe kishin bindjen se secilit i duhej armë që të mbrohej prej komunistëve. Partizanët e Jugosllavisë paraqiteshin gjetiu nëpër Maqedoni. Populli shqiptar ndjen frikë. Një brigadë partizanësh kalon prej malit të Thatë, e ulet në malin Sharr nëpërmjet fshatit Vratnicë. Komiteti i atëhershëm i qytetit nuk ishte në gjendje që ta qetësonte popullin, prandaj në këtë kohë formohet një batalion ushtrie që quhej batalion i Lubotenit nën udhëheqjen e kapitenit Gajur Deralla.
Organizata “BESA” duke menduar se do të jenë të dobishëm në këtë ushtri, i hedh kuadrot e veta më të mira e më të afta si oficerë në këtë batalion që do të luftojë për mbrojtjen e lirisë në Tetovë e gjetiu.
Njerëzit e besueshëm të organizatës “BESA”;
Idriz Cërcëri punësohet si toger,
Naxhi Sulejmani si nëntoger,
Gani Luma - nëntoger,
Harun Dehari - toger,
Muharrem Jusufi - aspirant,
Shaip Mani - nëntoger,
Haxhi Haki - aspirant,
Ali Rami Jakupi-toger,
Vehab Kadriu - nëntoger etj.
Ushtria u mobilizua prej popullit. Më vonë si komandat i këtij batalioni prej Shqipërisë vjen: Neshat Kolonja-kolonel komandant dhe Gajur Derralla- mbetet nënkomandant. Në këtë kohë veproi edhe organizata vullnetare për ruajtjen e atdheut nën komandën e Arif Arifit, kapiten kreshnik në Tetovë, por organizata “BESA” me Arif Arifin nuk kanë patur asnjëfarë lidhje të mundshme-thotë Shefqet Sulejmani.
Organizata “BESA” dobësohet mjaft ngase kuadri që i shkoi në batalionin e “LUBOTEN”it ishin elita e saj, kështu që nuk kishte kush të organizonte në rast se kishte nevojë, pra pos këtyre emrave të lartëshunar pati edhe shumë aktivistë, simpatizues siç ishin; Muharrem Jusufi, Emin Roshi, Haxhihasani e shumë të tjerë që ishin për kauzën kombëtare. Kjo ushtri u organizua me mobilizimin e bijve më të mirë të kombit.
Disa anëtarë të rinisë, që ishin nën udhëheqjen e Gani Lumës prej grupi të mëhallës së Sahatit nën ombrellën e “BESË-s”, por për fat të keq largohen dy aktivistë prej këtij grupi në fjalë kalojnë në SKOJ, sepse fillojnë erëra e luftës së quajtur “Nacionale Çlirimtare” në vend.
Disa mësues që erdhën prej Shqipërie, agjitonin në favor të “LNÇ” – së. Disa të rinjë shqiptarë që ishin simpatizues të organizatës “BESA” u bashkëngjiten në organizatën komuniste “SKOJ”.
Tubimi i parë pas çlirimit në Tetovë 1944.
Kështu që u krijua një anarki e përgjithshme me anomali të ndryshme. Anarkia vazhdoi në qytet. Komiteti i qytetit për të ruajtur rendin caktoi patrulla nate në përbërje një xhandar me dy qytetarë civilë-esnafë që ta ruajnë rendin publik. Kjo ide pati njëfarë suksesi, meqenëse në qytet nuk ka patur plaçkitje e të ngjashme, por nepër fshatra haseshin herë pas here plaçkitje.
Selim Sheapi, anëtar i organizatës “BESA”, deputeti i Tetovës intervenoi në Tiranë për zhdukjen e disa zullumqarëve-plaçkitësve. Tirana urdhëron prefekturën e Tetovës që sa më shpejt të vihen nën kontroll zullumqarët-plaçkitësit.
Por, për të gjitha ngjarjet që pësonin me dinamikë marramendëse Shefqet Sulejmani shprehet se:”Koha acarohej dhe partizanët afroheshin nga të gjitha anët, gjermanët largoheshin prej Maqedonisë Perëndimore. Organizata “BESA” shumë pak punonte, meqenëse anëtarët e qendrës u derdhën, direktiva nuk vinin, në anën tjetër shumë nacionalistë agjitonin se kurrë do të dorëzohen. Rinia komuniste shqiptare “SKOJ” dita ditës zgjerohej, me propagandën se, shumë shpejt vendin do ta qeverisin partizanët dhe se shqiptarët do të kenë të drejta të barabarta me maqedonasit, do të ketë shkolla shqipe dhe maqedone. Por, duhet shpjeguar se, me këtë më nuk do të ekzistojë shteti shqiptar, por qeverisjen do ta kenë në dorë Republika Federative Popullore e Jugosllavisë socialiste përkatësisht trevat tona do t’i takojnë Republikës Popullor të Maqedonisë. Në anën tjetër disa nëpunës të ardhur prej Shqipërisë u kthyen në vendin e tyre, e disa fshiheshin.
Më 15 nëntor 1944, rinia komuniste shqiptare me ndihmën e kapitenit të xhandarmerisë të Tetovës Qazim Lusha, Vera Tetova, Ahmet -drejtor i shkollës bujqësore, Dhimitri Shuli e të tjerë pa asnjë krismë e çliruan Tetovën, d.m.th. e morën në dorë shtetin dhe Tetova ra nën kontrollin e tyre.
Kryetarin e organizatës “BESA” Idriz Cërcërin dhe Harun Deharin i burgosën, gjithashtu edhe kryetarin e bashkisë së Tetovës Shaip Kamberin dhe shefin e policisë Shaqirin i burgosën. Idriz Cërcëri dhe Harun Dehari arritën të arratisën prej burgut.
Më 19 nëntor 1944, pas 4 ditëve të çlirimit të Tetovës, u futën brigadat maqedonase. Këto brigada shqiptarët i pritën me muzikë frymore nën udhëheqjen e Gani Jahjës.
Batalioni i Lubotenit
Shqiptarët i dorëzonin armët në Shtëpinë e Rinisë para së të vinin brigadat maqedonase. Të nesërmen me ardhjen e brigadave maqedonase, Tetova bllokohet dhe maqedonasit formojnë dy burgje në Tetovë, dhe atë në godinat e Monopollit dhe në Grupçin.
Filloi burgosja e shqiptarëve prej moshës 18 deri 70 vjeç, edhe atë vetëm të meshkujve. Por, anëtarët e organizatës “BESA”, shpejt u shpërndajtën, disa vullnetarisht u futën në brigadën e IV – VII shqiptare të Maqedonisë nën udhëheqjen e Nexhat Agollit-komesar dhe Nafi Sulejmanit–komandant. Më vonë Nexhat Agolli shkon në Shkup si Ministër, ndërsa komesar u bë Ramadan Daja, ky ishte edhe oficer i “KOS”-it të brigadës.
Kështu organizata “BESA” tërësisht shpërndahet dhe ndalet tërësisht ekzistimi i saj. Me ardhjen e partizanëve zhduket biblioteka shqiptare “Skënderbeu” me 10.000 libra, konfiskohen instrumentet frymore dhe shpërndahet orkestra. Shtëpinë e Rinisë e okupoi ushtria-partizane dhe ajo më nuk figuron për shqiptarët.” Porosia e Shefqet Sulejmanit është mjaft modeste: ”Nuk kemi rrugë tjetër pos asaj të bashkimit kombëtar”.