Autor: Luljeta Abazi "Thesar i Rexhep Pashës"
Qyteti i Tetovës ndodhet në pjesën veriperëndimore të Republikës së Maqedonisë duke u shtrirë në fushëgropën e Pollogut pranë Malit Sharr, i përshkuar gjithashtu edhe nga Lumi Shkumbin. Prania e burimeve ujore është një faktor dominues për krijimin e vendbanimeve, pasi shpesh shoqërohet me toka pjellore dhe lehtësi për të siguruar ujin e pijshëm. Përveç pranisë së lumit, me të cilin banorët mund të siguronin jetesën e përditshme, prania e malit, si një vend mbrojtës në raste konfliktesh, diktoi që vendi më i përshtatshëm për vendosjen e banimit, të ishte pikerisht takimi i fushës me malin. Në antikitet rajoni i Tetovës ishte i banuar nga fisi Ilir Penestët dhe njihej me emrin Oeneum. Sipas hulumtimeve të fundit Tetova ishte e banuar që në mileniumin e VII para erës sonë. Sa i përket periudhës parahistorike në Pollog, burime të shkruara historike pothuajse nuk ka. Megjithatë janë rregjistruar mbi 100 lokalitete, ndërsa vetëm një numër i vogël i tyre është hulumtuar. Vendbanimet më të vjetra nga koha e re e gurit poashtu janë të njohura edhe në fshatrat Stençë, Pallçisht, Zhelinë dhe Bërvenicë. Në fshatin Stençë është zbuluar vendbanim parahistorik nga koha e neolitit, 6100 vite para erës sonë. Në mesin e shumë artefakteve të zbuluara në këtë lokalitet mund të dallohet figura e kultit që paraqet një imitim të banesës në miniaturë.
Në vitin 169 para erës sonë rajoni i Pollogut bie nën sundimin e Perandorisë Romake. Ajo i përkiste provincës romake të Maqedonisë. Si lokalitet arkeologjik nga periudha romake në Tetovë është lokaliteti "JNA" që ndodhet në rrugën e atëhershme "JNA" tani rruga "Dervish Cara", në pronë të një shtëpie në vitin 1939 pronari i shtëpisë rastësisht e zbulon skultpurën e Herkulanës në oborrin e tij. Skulptura është punuar nga mermeri dhe ka gjatësi 110cm, përfaqëson trupin e një femre ku mungon koka dhe duart, skulptura daton nga fundi i shek.l dhe fillimit të shek.11 të erës sonë. Gjithashtu në këtë lokalitet gjatë punimeve për të ndërtuar objekt banimi u zbulua një sarkofag me eshtra, dhe gjatë hulumtimeve arkeologjike u zbulua një shputë e mermerit e cila sot ekspozohet në Muzeun e Partisë Komuniste në Tetovë (Fig.10).
Në shek.IV të erës sonë Tetova bëhet pjesë e Perandorisë Bizantine deri në fund të shek.X ku bëhet pjesë e Perandorisë së parë Bullgare. Në fund të shekullit XV Tetova bie nën sundimin e Perandorisë Osmane. Sipas një legjende emri Tetovë rrjedh nga fjala "Hteto", supozohet se është emri i një heroi i cili e ka vrarë kuçedrën që çdo vit merrte nga një vajzë të re. Në shek.XV Tetova përmendet me emrin Kalkandelen (Mburojë e shpuar). Për herë të parë, Tetova përmendet nga Mehmet Beu si vendbanim që në shek.XV, si një qytet me pozitë të favorshme gjeografike, që karakterizohet nga pastërtia dhe gjelbërimi. Mehmet Kebir Çelebiu e përshkruan Tetovën si një vendbanim me zhvillim të shpejtë i karakterizuar me shtëpitë me oborre të mëdha përmes të cilave kalonin kanale për ujitje. Ndikim të madh ka pas sundimi shumëshekullor i Perandorisë Osmane, i cili vihet re në disa objekte që i kanë rezistuar rënimit, duke lënë shenja orientale.
Udhërrëfyesi Francez Ami Bouë që vizitoi qytetin e Tetovës në gjysmën e parë të shekullit XIX, rrëfen se qyteti ka pasur dy çarshi, konaqe të bejlerëve, hane, hamame, teqe, mesxhide, imarete dhe shumë rrugë të pastra. Në pjesën e poshtme të qytetit gjenden konaqet dimërore: e para paraqet një ndërtim madhështor me pronar Havzi Pashën, konaku i dytë i rrethuar me mure dhe kulla të larta në afërsi të saj kazerma dhe një konak i ndërtuar me gurë. Konaku i tretë i zbukuruar me lule të pikturuara kurse përballë tij gjendet konaku i katërt ku kanë jetuar oficerët e pashës.6 Nga Salname' e vitit 1895 mësojmë se në Tetovë kishte fabrikë për prodhimin e gajtanit. Tetovarët njiheshin si prodhues të denjë të mëndafshit dhe prodhues të armëve, punëtoritë e të cilave ndodheshin kryesisht rreth Lumit Shkumbin. Përgjatë lumit janë të dokumentuara 17 mullinjë të cilët janë përdorur për realizimin e armëve. Në Salnamen e vilajetit të Kosovës nga viti 1894 janë shumë të dhëna për qytetet dhe fshatrat të cilat gjatë kohës së sundimit Osman kanë qenë në vilajetin e Kosovës, Tetova së bashku me 152 vendbanime numëron 100 mij banorë, ku përshkruhen fushat e Pollogut, përmenden mollat e Tetovës dhe vreshtaria në Kalanë e Balltepes.
Qyteti i Tetovës ka qenë i ndarë në dy pjesë: në pjesën myslimane dhe atë krishtere. Pjesa myslimane karakterizohet nga shtëpitë e mëdha, me oborre dhe kopshte të mëdha. Kjo pjesë e qytetit ka pasur ndikim tlpik oriental, mbetjet e të cilit sot e kësaj dite na dëshmojnë për një arkitekturë të zhvilluar, me një prirje natyrore dhe aftësi të mjeshtërve, burimi dhe ndikimi i të cilëve ka qenë nga rajoni i Rekës. Në familjet e pasura kanë mbizotëruar enët prej bakri dhe ato prej porcelani. Kujdes i veçantë i kushtohej dhomave të caktuara për pritjen e miqve, gdhendjeve të ndryshme në dru, tavaneve dhe kanateve të dollapeve. Në dhomat e mysafirëve gjithnjë ishin të pranishme zbukurimet prej metali, porcelani etj. Në pjesën e poshtme të qytetit rrugët janë të gjëra, zonë ne të cilën u zhvillua edhe qyteti modern gjatë kohës së jugosllavisë, në dallim me pjesën e qytetit të vjeter me rrugë organike dhe më të ngushta. Tetova me ndërtimet e shumta, vitet e fundit e humbi identitetin e qytetit të vjetër si dhe shumë hapësira të gjelbëra u betonizuan. Si pasojë e këtyre ndryshimeve u asgjësuan shumë objekte me vlera kulturore dhe artistike. Për fat të keq karakteri historik i Tetovës është i pranishëm vetëm në zonën e Xhamisë së Larme.