"Për dynja e kishim shqiptarinë, kurse për ahiret imanin" sintagma jetësore e Hafëz Xhemil Efendiut nga Tetova.
Autor: Ismail Arsllani "Tetova në Dosjen e Kohës".
Hafëz Xhemil Efendiu, i lindur në vitin 1853 në Tetovë,pas mësimeve të para fetare dhe zgjerimit të thesarit të tij në fushën e diturisë islame,në moshën e tij 20 vjeçe,më 1873 do të shkoje në Stamboll, ku do të shërbejë në Sulltan Fatih. Plot 40 vjet do të jetë ligjerues në fakultetet më të shquara të fesë islame në Turqi. Me kontributin e tij, janë krijuar shumë kuadro fetare islame,të cilat kanë ardhur në shtetet ballkanike për ta mbajtur gjallë islamin. Në gjysmën e parë të viteve të 40-ta ka vepruar në Tetovë Komiteti i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ku në krye ka qenë Hafez Xhemil Efendiu.Me mjetet materiale të P.Osmane ka bërë shumë përpjekje për arsimimin e popullatës së prapambetur, duke ngritur shkolla në vende Ballkanike.
Në rrugën e tij të përhapjes së diturisë, Hafëz Xhemail Efendiu, ka kontribuar edhe për disa nisma tj.Në vitin 1926 ka qenë njëri nga nismëtarët dhe aksionarët e ndërtimit të Hidrocentralit të parë në Tetovë dhe në Maqedoninë e sotme, që është ngritur me mjete financiare të 12 qytetarëve prestigjiozë të qytetit në afërsi të "Banjave" përgjatë rrjedhës së lumit Shkumbin, i cili ende po prodhon energji. Ai nuk ishte vetëm një personalitet i lartë i fesë islame,por me idetë e tij përparimtare dhe atdhetare ka kontribuar mjaft për çështjen shqiptare. Në periudhën e viteve 1941-1944, kur në Tetovë ishte vendosur pushteti shqiptar, ka qenë mjaft aktiv në punën dhe rrjedhat politike me përkushtim kombëtar, duke qenë edhe në radhët e Ballit Kombëtar për Tetovën, për çka kishte rënë edhe në sy të komunistëve që asokohe vepronin ne ilegalitet.
Për atë shkak, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore,në vitin 1945, si predikues fetar, si njeri me dituri të thella të asaj kohe, por edhe si veprimtar për çështje të kombit, ka qenë nën presionin e regjimit komunist. Në vitin 1950, në moshën 97 vjeçe, do të dënohet nga organet gjyqësore me burg n prej dy vjetësh,si një i burgosur më në moshë që nuk e mbante mend historia. Burgosja e një personi në një moshë aq të shtyrë, nuk është shënuar në analet e gjyqësisë dhe ishte një rast për "Librin e Guinnessit".
Në të vërtet emri i tij ka qenë Abdylmexhit ef. Bambari,fëmija i tretë i Haxhi Jusufit me prejardhje nga Mati i Shqipërisë. Hafëz Efendiu ka qenë shumë aktiv me rilindësit tanë, sidomos me Sami Bej Frashërin,me të cilin është njohur personalisht dhe kanë thirrur njëri-tjetrin me nofkën "Emshiri" (vendali). Poashtu ka pasur lidhje miqësie me Mbretin Ahmet Zogu i Shqipërisë duke pasur prejardhje nga i njëjti fshat. Xhemil Efendiut i është ofruar një pozitë e lartë në hierarkinë perandorake, i Udhëheqësit Shpirtëror të Besimtarëve Islam(Shej Ul Islam) të cilën e ka refuzuar për shkak se ka qenë i angazhuar për pavarsinë e tokave shqiptare në këto troje.Duke qenë në Turqi, në bashkëveprim me rilindësit tanë atje, gjithnjë ka pasur preokupim krijimin e kushteve për pavarësinë e tokave shqiptare.
Sulltani në atë kohë ka thënë se "ndarja e tokave shqiptare nga Perandoria është njësoj sikur asaj t'ia nxjerresh sytë". Tokat shqiptare i ka konsideruar si vend i pandarë sepse edhe Garda e Sulltanit ka qenë nga shqiptarët, ndërsa një numër i madh i oficerëve po ashtu nga radhët e shqiptarëve.Xhemil Efendiu me kohë ka hetuar shpartallimin e Perandorisë, dhe ndonëse kishte poste të rëndësishme atje, do të vendosë që të kthehet në vendlindje, në moshën 60 vjeçe.
Në kohën e Mbretërisë jugosllave ka qenë aktiv në jetën politike në mënyrë të tërthortë, i cili ka qenë kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Në ditën e parë që do të hynin gjermanët dhe italianët në Tetovë, Hafëz Xhemaili kishte urdhëruar që rinia shqiptare t'i zëvendësonte fesat e kuq me kësula të bardha (plis) që kishte një strategji domethënëse për ti bindur pushtetmbajtësit e rinj që në këto troje jetojnë shumicë shqiptare dhe jo sllave, në mënyrë që të hiqeshin dilemat nëse duhet vendoset pushteti bullgar apo shqiptar dhe rezultoi me instalimin e pushtetit shqiptar.
Organizimi politik i shqiptarëve në këto treva është konsoliduar duke filluar nga viti 1941, duke qenë në sistemin shtetëror të Shqipërisë etnike. ldeologjia e pastër eshte reflektuar nëpërmjet Ballit Kombëtar, që ishte një segment i Mithat bej Frashërit. Në raporte bashkëpunimi me këta personalitete, Hafëz Xhemil Efendiu propagandon formimin e Lëvizjes luftarake-politike të Ballit Kombëtar për Tetovë, ku ky është themelues i pjesës politike.
Në vitin 1950, ai do të arrestohet nga forcat e mëdha policore UDB-së në shtëpinë e tij, kur ishte në moshën 97 vjeçe, si i burgosur politik, me akuzë se në një mjedis paska thënë se "në kohën e Mbretërisë jugosllave ka pasur më shumë të drejta se sa tash", që është kualifikuar si deklaratë antishtetërore. Edhe pas daljes nga burgu ka qenë i ndjekur nga agjenturat e UDB-së. Në atë kohë fillojnë të hapen shkollat turke, për ti motivuar njerëzit që të shpërngulen në Turqi,por ky ka propaganduar që fëmijët të shkojnë në shkolla shqipe me Fetfa (Dekret) me të cilën "shpërngulja e shqipëtarëve në Turqi do të ishte baras me tradhti".