UDHË E HEKURT PËR TETOVË NGA RESHIT AQIF PASHA
/Ç'shkruante Eshref Frashëri në gazetën "Lirija" të Selanikut më 1909/
Nevoja për ndërtimin e hekurudhës Shkup-Tetovë-Gostivar është shtruar që në vitin 1909, disa vjet para shpartallimit të Perandorisë Osmane dhe kjo është bërë e ditur nga Reshit Aqif Pasha. Është quajtur “Udhë e hekurt” dhe për këtë ka shkruar shtypi i kohës.
“Të rrallë vende kanë bukurinë e fushës së Tetovës...”, shkruan autori Eshref Frashëri në gazeta “Lirija” që botohej në Selanik më 1909, duke iu referuar një shkrimi në “Yeni gazete” nga Stambolli. Në atë artikull shkruan që Reshit Aqif Pasha kërkon lejen për ndërtimin e udhës së hekurt që nga Shkupi e deri në Gostivar...Nëse ndërtohet udhë e hekurt, njerëzit e kazasë së Tetovës, Gostivarit, Prizrenit, Rekës e të Dibrës nuk do të kenë nevojë që të shkojnë në mërgim e të largohen nga mëmëdheu.
“Për fitim të mos ven' n'Amerik' e n' Afrikë, do të hapen mjeshtrit' e vendit, do të punohen metalet dhe bota do të gjejnë punë në vent të tyre...”, nënvizon Eshref Frashëri, në gazetën "Lirija" të Selanikut nga viti 1909.
Historia e trenit në Tetovë rifillon me ndërtimin e hekurudhës së ngushtë (60 cm), në relacionin Gjorçe Petrov-Ohër nga viti 1916, në hovin e Luftës së Parë Botërore nga ana e inxhinierëve të armatës gjermane-bullgare. Treni i parë i quajtur “treni i vogël”, me hekurudhë të ngushtë, në Tetovë ka arritur për herë të parë më 17 janar të vitit 1918, në orën 14, kur është bërë edhe përurimi solemn dhe me atë rast prefekti i Tetovës ka mbajtur një fjalim rasti para qytetarëve të shumtë të ngazëllyer nga kjo e arritur për udhëtim me tren. Traseja e kësaj hekurudhe nuk ka qenë e njëjtë me këtë të tashmen Tetovë-Shkup (ndërmjet Tearcës-Radushës-Gjorçe Petrovit), por vija e saj ka qenë përmes fushës së Pollogut, ndante rrugën e Shkupit në vendin që kthen për në Trebosh, nga vendi i quajtur “Uji i ftohtë”, për të marrë drejtimin Zhelinë-Grupçin-Novosellë (anës së Malit të Thatë).
Stacioni i parë hekurudhor ka qenë në anën e majtë të lumit Shkumbin, në Lagjen e sotme të quajtur e “Hajdutëve”. Hekurudha nga Gostivari hynte në Tetovë në drejtim të Shkollës së Mesme të Tekstilit, pikërisht në bulevardin e ri që po hapet, kalonte nëpër një urë të ngushtë të lumit Shkumbin, ndërmjet Spitalit të tashëm dhe lokalitetit “Kozlluk” apo Tabakhane, për t’u ndalur në të ashtuquajturën Stacion i Vogël, prej nga edhe lagjja mori emrin e njëjtë.
Meqë ky tren vihej në lëvizje me djegie thëngjilli dhe shkonte shumë ngadalë, bie fjala, në relacionin Tetovë-Shkup për 4-5 orë, aq ngadalë sa që udhëtarët më të rinj shpesh kërcenin nga treni dhe përsëri me vrap arrinin të hipnin, sidomos në vende më të pjerrëta, ndërsa shumica merrnin edhe ushqim me vete dhe hanin gjatë rrugës. Në vitin 1932, shefi i Stacionit të trenit, me vetiniciativë kishte rregulluar ambientin përreth, kishte vendosur karrige të pritjes, çezmë me ujë të pijshëm dhe një orë të madhe pranë hekurudhës. Për shkak të lëvizjes së ngadalshme të trenit, atë e kishin emërtuar “Qiro”, ndërsa ndër shqiptarë “Pampur” (Gavrovski. D. “Tetovski govor, 2000, fq. 277).
Ky stacion dhe ky tren i vogël ka funksionuar deri më 25 maj 1952 (shih, po aty), kur është lëshuar në përdorim hekurudha me binarë të ashtuquajtur “normalë”, pra me hekurudhë më të gjerë dhe me tren që e njohim edhe sot, por që lëvizte me avull. Në ndërtimin e hekurudhës së re, në fillim të viteve 1950, kanë marrë pjesë shumë shqiptarë, gjoja në baza vullnetare, duke imponuar një eufori për aksione të punës menjëherë pas luftës.
FOTO:
1. Faksimile e gazetës “Lirija” të Selanikut (1909), ku bëhet e ditur nevoja e ndërtimit të hekurudhës për në Tetovë
2. Treni i vogël i quajtur “Pampur” në relacionin Tetovë-Shkup
Burimi: Ismail Arsllani