DERVISH CARA NË KUJTIMET E DIPLOMATIT ANGLEZ, LAYARD (1845)
Autor: Prof.Dr. Skënder Rizaj(Prishtinë)
Kryengritësit, të cilët ishin të fisit gegë, të Shqipërisë Veriore, ishin të udhëhequr nga Dervish Cara. Ky...vehten e konsideronte për prijës të kryengritjes. I kishte rrokur armët për të rezistuar rekrutimin, i cili ishte duke u bërë në pjesën më të madhe të Perandorisë Osmane dhe për të penguar zbatimin e TANZIMATIT, përkatësisht të reformave kushtetuese ne vendin e tij. Këto reforma të nxjerrura në Stamboll, ishin dhe kundër respektimit të të drejtave e të privilegjeve të vjetra. Gegët ishin klan primitiv e luftëdashës, të cilët kanë mbetur deri më tani në malet e tyre, duke gëzuar një lloj gjysmëpavarësie. Porta e Lartë Trallë ka mundur ta vendos autoritetin e vet mbi ta. Këta janë të armatos mirë dhe trima, por janë pa disciplinë. Dhe kur këta ishin në rrafshina, qenë të paaftë për të qëndruar. Mandej, një fuqi e vogël e ushtrisë së rregulltë e Perandorisë Osmane, e armatosur me armë artilierie, mund të bënte kërdi mbi ta, sepse shqiptarët nuk kishin fare artilieri. Kur Ymer Pasha përparoi drejt Shkupit, e gjithë rafshina, me përjashtim të qyteteve, në të cilat ishin garnizonet turke, qenë në duart e gegëve...Pastaj ata dërguan emisarë për të filluar negociatat me Ymer Pashen, të cilit ia caktuan afatin për ndërprerjen e përparimit të ushtrisë Osmane në drejtim të vendit të tyre. Në këtë mënyrë Ymer Pasha fushoi në mes të Kyprilisë (Velesit) e të Shkupit dhe hyri në bisedime me kryengritësit. Mirëpo, bisedimet nuk dhanë rezultate pozitive. Ai refuzoi garancitë për plotësimin e premtimeve të tij. Me qëllim që të bëhej përpjekja e fundit për arritjen e një marrëveshieje dhe të shmanget gjakderdhja, Ymer Pasha mua më propozoi që të takohem me Dervish Carën dhe të përpiqem që të nxisë atë disi për të pranuar kushtet të cilat m'u afruan. Në atë ditë influenca e Anglisë në Lindje ishte e madhe dhe fjala e një anglezi pranohej madje edhe nga fiset më të paqytetëruara si një garancë, e cila kurrë nuk mund të thehet. Komandanti turk besonte se kryengritësit do të jenë të gatshëm të dorëzojnë armët e tyre dhe të nenshtronen, nëse unë atyre do t‘ua jap garancinë time personale, që kushtet të cilat ai mi ofroi, do të përmbushen dhe jeta e pasuria e tyre do të respektohen.
Unë isha i gatshëm të pranoj misionin e propozuar, sepse kisha simpati ndaj këtyre trimave dhe malësorëve të pavarur, të cilët kishin arsye të plotë të frikësohen dhe mos të besojnë. Prandaj, unë kisha dëshirë që tërë atë fuqi të kem në pushtetin tim, me qëlim që të evitojë gjakderdhjen. Ymer Pasha ma dha një shoqërues. Pastaj unë e bëra rrugën t'ime sa ishte e mundur, për të arritur te shtabi i prijësit të kryengritjes. Unë isha i shoqëruar nga një kavas (rojtar përcjellës i diplomatëve), me përvojë njeri dhe i besueshëm. i cili ishte me origjinë shqiptare dhe ishte në shërbim në Ambasadën Britanike. Ky deklaroi se ishte i gatshëm të më shoqëronte kudo që unë kisha dëshirë për të shkuar. Unë për këtë arsye lëshova herët në mëngjes kampin e Ymer Pashës dhe, pas udhëtimit prej dy orësh nëpër rrafshina, vura re një grup të shqiptarëve, të cilët qëndronin në një kodër. Shoqëruesi im refuzoi të më shoqëronte më tutje, duke më bërë të ditur se ata kanë marrë urdhër për të na kthye. Sa shpejt e hasëm rojen e parë të kryengritësve. Mirëpo, iu shmangëm konfliktit; oficeri me bashibozukët (ushtri jo e rregulltë) e tij u kthyen. Unë mbeta i përcjellur vetëm nga shërbëtori im besnik. Posa iu afruam shqiptarëve, pata mundësi t‘i shoh duke i drejtuar pushkët të gjata nga ne. Qitën dhe zjarrë mbi ne. Unë iu dhashë shenjë se dëshiroj të bisedoj me ta. Unë u sqarova atyre se dua që të shoh Dervish Carën, me cilin kam për të krye punë të rëndësishme. Pas disa minutash, në të cilat më ndihmoi shërbëtori im, i cili flet shqip, ata më pranuan që të veproj, duke më njoftuar se prijësi i tyre është në male, në një largësi të konsiderueshme, dhe paralajmëruan se atje ishin vendosur rojet në të gjitha drejtimet. Rrugës e sipër duke parë se jam shoqëruar nga një person me uniformë turke, kryengritësit përsëri hapën zjarrë mbi ne, para se të arrijë t'ua spjegojë misionin tim. Në fund u pajtuam të na japin një pjesëtarë të tyre si prijës dhe të më mbrojë nga fatkeqësitë.
Pasdite arrita te shtabi i Dervish Carës. Atë e gjeta me shumë ithtarë të tij, në një pyll. Dervish Cara dallohej nga njerëzit e tij. Xhaketa e tij ishte e qëndisur shumë. Jeleku i tij ishte si veshja e gegëve. Armët e tij ishin të punuara me ergjënd. Ishte i shoqëruar nga disa prijës, të cilët i përngjanin atij. Xhaketat ishin mbuluar me qendisje ari. Ai më pranoi në mënyrë të qytetëruar dhe të njerëzishne. Pasi që hangrëm bukë, me Dervish Carën u ulëm në barë, ku vazhduam të diskutojmë mbi çështjen, për të cilën kishim shkuar. Pasi që na treguan pakënaqësitë të shumta, na thanë se gegët u ngritën kundër Portës. Dervish Cara deklaroi se ata kishin vendosur të mos pranojnë asnjë zyrlar turk në malet e tyre; kishin vendosur gjithashtu që t’i mos nënshtrohen ligjeve të reja të “tanzimat-it”, që të mos shkojnë për “nizam” ose në ushtrinë e regullt. Ata ishin të gatshëm e me gjithë respekt t’i binden Sulltanit, i cili sipas tyre, ishte subjekti besnik, dhe atij do t’i japin ushtarë të regulltë, por nën komandën e tij personale.
Misioni im te Dervish Cara ishte i pasuksesshëm. Unë u ktheve te Ymer Pasha, për të informuar për rezultatet e bisedimeve. Posa u bënë përgatitjet e duhura. Ymer Pasha ia filloi marshimin e tij, dhe pasdite arriti në Shkup, i cili vend ishte i mbrojtur nga garnizoni turk dhe ishte i fortifikuar, ashtu që mund ti rezistonte sulmeve të shqiptarëve. Unë qëndrova disa ditë në Shkup. Pastaj e shoqërova Pashën për në Prizren e Prishtinë, ku ndodheshin poashtu garnizona turke. Pas dështimit të orvatjeve të kryengritësve për ti shkatërruar kampet turke, kryengritësit përsëri filluan bisedimet me Ymer Pashën. Këto bisedime u zhvilluan kryesisht nëpërmjet të prijësve shqiptarë me influencë, të cilët jetojnë në këto qytete. Ata i zgjatën bisedimet, ashtu që unë nuk pata çfar të bëj me ta. Kështu, u ktheva në Shkup, ku mund të siguronja informata më të hollësishme mbi gjendjen në Shqipëri, sepse Shkupi është qëndra e "Ejaletit" ose e Provincës, në të cilën kishte shpërthye kryengritja gege. Unë u vendosa në një shtëpi krishtere me autoritet. Qeveritari turk ishte një njeri me dinjitet të shkollës së vjetër. Nuk ishte njeri i keq, ishte njeri me prirje të butë, por ishte dhe mjeshtër për çdo dredhi dhe kurthe, karakteristike kjo e policisë dhe e diplomacisë turke. Kisha zakon të shkojë te ai në kohën e kafjallit (mëngjesit) për të marë lajme të reja të ditës sidomos për t'u informuar për përparimin e bisedimeve me kryengritësit shqiptarë, që ishin në zhvillim e sipër. Një mëngjes atë e gjeta në një gjendje shpirtërore jashtëzakonisht të mirë. Kur desha që të largohem prej tij, ai kërkoi që të ndalem "për .."i cili më tha: "Prijësit Kryesorë gegë kanë vendosur ti nënshtrohen pushtetit dhe unë atyre premtova qëndrim të mirë me qëllim që ata të vijnë në Shkup, për të caktuar afatin e dorëzimit. Ata i pres çdo minutë, të cilët janë të gjithë burra me influencë ndër fiset e tyre dhe kryeorganizues të kryengritjes. Kështu do të jepet fund kryengritjes." Në këtë mënyrë unë vendosa të rijë dhe të kryejë detyrën time. Pas një kohe të shkurtë, u dëgjuan zbrazjet e armëve të zjarrit, që shënuan hyrjen e prijesve gegë dhe të shoqëruesve të tyre. Ndërkaq Pashai dha urdhër që dyert e fortesës në të cilën ishte saraji ose pallati i tij, të mbyllen dhe se vetëm prijësit, pas dorëzimit të armëve, mund të hynin, kurse shoqëruesit e tyre të mbeten jashtë. Këto kushte prijësit shqiptarë njëherë i refuzuan, duke dyshuar për tradhti. Por, pas disa bisedash dhe dhëniesh të premimeve mbi sigurinë e tyre nga ana e Pashait, ata u pajtuan që t'i dorëzojnë armët dhe t'i lën shoqëruesit e vet jashtë dyerve të fortesës. Ata u futën brenda në pranin e qeveritarit, dhe u ftuan nga ai që të ulen. Ata ishin 12 ose 14 trima. U sherbyen, si zakonisht me kafe e çibukë duhani: atëherë pashai u mbajti atyre një fjalim me ç'rast e lavdëroi pa masë karakterin dhe mirësinë e Sulitanit dhe i gjykoi krimet e kryengritësve. Ai mezi i dha fund fjalimit të vet, kur sipas marrëveshjes paraprake, Pashai menjëherë dha shenjë, dhe një grup njerëzish të armatosur -rojtarë dhe ushtarë -vërshuan brenda në dhomë, duke i kapur prijësit gegë, të cilët nuk kishin armë për t'u mbrojtur. Ata u nxorrën jashtë dhomës me nxitim dhe pasi iu lidhën duart e këmbët, u burgosën. Kah muzgu i hypën në mushka dhe i dërguan nën roje të fuqishme në Stamboll. Pashai gjatë kësaj skene rrinte i pashqetësuar, duke e thisur lullën, sikur nuk ndodhi asgjë e jashtëzakonshme. Unë isha duke qëndruar pranë tij i befasuar, dhe pa masë i zemëruar nga ky akt i shëmtuar tradhtie. Pasi që u përshëndeta me Pashain, duke ia shprehur qëndrimin e pakënaqësinë time përmes shprehjes së fytyrës, e lëshova Sarajin dhe nuk u ktheva më te ai. Të nesërmen e lëshova Shkupin, me qëllim të udhëtimit për në Manastir. Dhunime të ngjashme me garanci solemne të dhëna nga autoritetet turke kanë qenë të shpeshta e të njohura. Ato ishin të papritura e mashtruese për prijësit shqiptarë. Ato ishin një lloj kurthi për ta. Tradhtia e suksesshme e Pashait të Shkupit megjithatë kishte efekt në shuarjen e kryengritjes. Dervish Cara mbeti pa përkrahjen e shumicës së udhëheqësve të kryengritjes. Ai pas dorëzimit u burgos dhe u braktis nga ithtarët e vet. Në vitin vijues, një ditë duke udhëtuar nga Pera (një lagje e Stambollit) për në Byjykdere, hasa në një bandë të të dënuarve në pranga, të cilët ishin duke i riparuar rrugët. Njëri nga ata ,'u afrua dhe ma zgjati dorën, ku më luti që t'i jap ca pare për të blerë duhan. Unë mendoj se e njoha fytyrën e tij. I dënuari ishte Dervish Cara, udhëheqësi i gegëve, në kryengritjen e pasuksesshme. Unë ndërrova disa fjalë me të dhe atij i dhashë pare për duhan, të cilat m'i kërkoi. Pastaj dhe e vazhdova rugën. Kurrë më atë nuk e kam parë dhe nuk di asgjë për fatin e tij. Pas kalimit të disa ditëve të këndshme në Ohër, unë u ktheva në Manastir, dhe me karrocë kuajsh udhëtova për në Selanik, prej nga me anie vazhdova rrugën për në Stamboll, ku arrita pas mesit të Korrikut.