Bir i Islam Xhelilit, lindur në vitin 1921 në Sllatinë - në një familje të varfër, por të shquar për bujari e atdhedashuri. Që si i ri shquhej me trupin e tij korrpulent dhe njihej si pehlivan me emër, dhe, përveç kësaj, ai nëpër odat e burrave “shtavitej” dhe merrte edhe urtinë popullore sllatinase, historitë e pashkruara të popullit të ngjizura me heka e lavdi, ku te ai gjithnjë e më tepër shtohej mëria dhe mllefi ndaj pushtuesve të parreshtur të kësaj Toke dhe të këtij populli.
Në kohën e L.II.B. bëhet një “jununli” (vullnetar) më tepër në radhët e Ballit Kombëtar që udhëhiqej nga Xhemë Simnica. Merr pjesë aktive në betejat që u zhvilluan në Dibër, madje edhe deri në Pogradec.
Në kohën e okupacionit italian, bashkë me shokë tjerë,si Elmaz Misimi, Elmaz dhe Bajram Ismani, Xhevdet Selimi, Zeqir Rushiti, Sejdi Idrizi, Nazmi Iljazi, etj. kalon kufirin e atëhershëm “bullgar” (n’mes Leshkës e Neproshtenit) dhe vendoset në Tetovë – në anën e Shqipërisë së Madhe, ku bashkë me ta ushtronte veprimtarinë atdhetare në shërbim të Atdheut.
DISA TË DHËNA PËR VEPRIMTARINË E REFETIT
nga Hadije Salihi,lindur më 10.10.1927-Sllatinë dhe të shënuara më 27.07.2007
-Në “Kohën e Shipnis” – në Tetovë qeveriste Gajur Deralla. Në këtë kohë vriten edhe Qamil Etemi dhe Xhemali Xhelili (në vitin 1942 , në dimër - mbas jacie).
-17 vetë nga Sllatina burgosen në Grupçin për kalimin e “kufirit” ilegalisht,si Islam Ramadani, Sali Ramadani, Llutfi Ramadan Abduli,Shukri Ramadan Abduli, Rushit Ramadani, Shuket Aqif Ramadani etj.
-Në këtë kohë burgoset Refeti në Tetovë –nga Isen Deralla (6 muaj)
-Në kohën e “Bullgarit” vuan burgun në Shkup (20 ditë: për kalimin e kufirit ilegalisht)
-Për SS- përveç disa katundarëve tanë që i pranuan, Refetin, Zeqirin dhe Nazmiun nuk i pranojnë (edhe pse këta ishin paraqitur).
-Refeti ka përdorë disa lloje armësh,duke filluar nga “pishtolli bellgian” e deri te mitralozi, pushkë-mitralozi e bomba të ndryshme dore.
-Pas ardhjes nga Tetova, Refeti përsëri bashkohet me shokët e vet,sidomos me Ramizin. Kur bëhet lufta e parë në Karadak (ku marrin pjesë edhe shumë katundarë tanë, nën udhëheqjen e Abdullah Qerimi), Refeti nuk merr pjesë, por qëndron në ruajtjen e fshatit, bashkë me Islam Ramadanin.
Merr pjesë në Betejën e Vratnicës, ku vritet Rexhep Neziri (babai i Shaukiut) dhe ku plagoset Sami Aliu dhe Abdilmexhit Sulejmani.
Në Karadak u prin Refik Orasha, kurse Refeti me shokë nuk pranon të bashkëpunojë me komunistë.
Pas betejës së (II) të Karadakut, Refeti ndiqet nga partizanët dhe ky shkon në fshatin fqinj për të pastruar hesapet me disa bashkëpunëtorë (çetnikë) komunistë.
-Kur komunistët hyjnë në Leshkë, ballistët që gjendeshin në Varvarë, si: Refet Xhelili, Xhelil Xhelili, Adem Salihi, Ramiz Xhelili etj, “bien” në fshat (për të mos u dorëzuar), kurse në mbrëmje vijnë komunistët–të prirë nga Fërçja i Leshkës, me ndërmjetësimin e Abaz Etemit (që Refeti e kishte shok), që ky t’i dorëzonte armët, e, sidomos të jepte “pishtollin”që ia kishte marrë Refeti në kohën e “Shipnis’”. Ky i përgjigjet: “Une armët nuk i dorëzoj, por Fërçes - pishtoll i kum mar ene “pishtoll d’ i jap”.
Edhe pse ky paraqitet për në Frontin e Sremit, këtë dhe Elmazin nuk i pranojnë, por atje, nga Sllatina shkojnë vetëm Abdylmexhit Sulejmani dhe Sejdi Idrizi.
-(Ndoshta nuk është me rëndësi të ceket, por do ta evidentoj edhe këtë të dhënë se “Nëna e Refetit, Qamilja (“Halla Qamë”) është kushërinkë me nënën e Qazim Lushës nga Shqipëria”).
-Pasi “hyjnë” komunistët, kërkuan që Ballistët të paraqiten në Stacionin e Policisë dhe të çarmatosen). Dorëzimi i armëve bëhej edhe në Punktin te gjendet sot Shkolla e Muzikës në Tetovë.
Refeti dhe Elmazi kthehen nga Tetova, kurse Xhelili me bicikëll shkon drejt qytetit, ku këta i luten që ai të mos vazhdojë rrugën e të kthehet prapë, sepse në Tetovë është “tollovi”. Mirëpo ky arsyetohej se duhet patjetër ta kthej bicikllën që ia ka marrë një shokut në Tetovë. Kështu, Xhelilin e kapin dhe e burgosin (por ky arrin që të ik nga burgu)
Në Xhermë Refeti, Xhelili... bashkëpunojnë me Zilbear Zilbearin dhe Arunin ?... (Këta kanë formuar grupin prej 6 vetësh dhe operonin në Malësinë e Sharrit – me jatak kryesor: Shpellën e Brodecit). Meqë hafijet u bien në gjurmë, ata, për një kohë kthehen ilegalisht në Sllatinë.
Pas dy javësh Xhelili kapet nga forcat bullgare –në Abazovë ,të ndihmuar edhe nga spiunët e fshatit,(edhe pse Aziri,vëllau i Xhelilit kur sheh komunistët se kanë rrethuar shtëpinë e lajmëron vëllaun, por ky pasi arrin që të shpërthejë rrethimin, zihet te vendi që përmendëm). Një muaj pasi vjen nga Xherma, zihet edhe Refeti.
Komunistët e vrasin në burg të Tetovës në dhjetor të vitit 1945.
Burimi: Syrja Etemi