AHMET VEHBI LUSHI (1888-1944)
PJESËMARRËS NË LIDHJEN E DYTË TË PRIZRENIT
Autor: Mr.Sc. Ismet Jonuzi - Krosi GOLGOTA SHQIPTARE II dhe III 1952-1960 dhe 1960-1968, 40 VJETORI I DEMONSTRATAVE TË FLAMURIT, Shtypshkronja TRINGA DESIGN Tetovë 2008/
Në punimet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që është mbajtur në vitin 1943, ka marrë pjesë në cilësinë e delegatit nga Tetova edhe patrioti i shquar 55 vjeçari Ahmet Vehbi Lushi. Në këtë konferencë, ai do t’i prezantojë interesat kombëtare të popullatës shqiptare nga rajoni prej nga ishte deleguar, ndërkohë do të jetë edhe njëri nga themeluesit e organizatës nacionaliste Balli Kombëtar për Tetovë.
Organizata nacionaliste e Lidhjes së Dytë të Prizrenit kishte rëndësi të veçantë për këto troje shqiptare. Bartësit e kësaj organizate kanë qenë figurat shqiptare më me ndikim të kohës si; Xhafer Deva, i cili ishte kryetar i Komitetit Qendror të saj dhe ministër i punëve të jashtme të Shqipërisë etnike, pastaj Mulla Iljaz Hyseini, (është vrarë në vitin 1946), Ferhat Bej Draga, (i vrarë në vitin 1945), Qazim Bllaca, Sheh Hasani e patriotë të tjerë nga Kosova. Në Lidhjen e Dytë të Prizrenit ka pasur delegatë edhe nga trevat e tjera shqiptare si; Kadri Saliu nga Gostivari, Shahin Cami nga Dibra, mentor Çoku nga Struga e të tjerë.
Me kthimin e tij nga konferenca e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kujton sot me mburrje e krenari fjalët e paraardhësit të tij, nipi Fadil Lushi, (i dënuar në demostratat e 1968 në Tetovë si dhe në vitin 1981 i larguar nga puna, aktualisht pensionist), gjyshi i tij Ahmet Vehbi Lushi u ishte drejtuar djemve të tij:”Duhet ta nderoni kombin dhe duhet të punoni deri në bashkimin kombëtar”, kishte qenë porosia e tij, dy vjet para se të vdiste.
Vitet 1943-1944 karakterizohen me formimin e disa organizatave nacionaliste në trevat etnike shqiptare. Një ndër ato ishte edhe ajo e Ballit Kombëtar, në radhë e së cilës do të jetë edhe imami nga Tetova, Ahmet Vehbi Lushi. “Karakteristikë e veçantë e kësaj organizate ka qenë veprimi i patriotëve shqiptarë, që kanë pasur profesione të ndryshme shoqërore si; mësues, juristë, rrobaqepës e të tjerë nga kategori të ndryshme shoqërore, të cilët mbështetnin veprimtarinë e tyre në aspektin ushtarak-politik dhe arsimor”, rrëfen Fadil Lushi.
Në Tetovë, formohet batalioni “Luboten”, që kishte për komandant kolonelin Neshat Kolonjën nga Elbasani. Në këtë batalion factor ushtarak ka qenë Gajur Bej Derralla, pasardhës i Mehmet Pashë Derrallës, i cili ishte ministër i parë i mbrojtjes në Qeverinë e Ismail Qemalit. Bashkë me ushtarakun Gajur Bej Derrala, kanë qenë edhe Xhemë Gostivari dhe Arif Kapedani nga Tetova. Faktorin intelektual e ka përfaqësuar Shaip Kamberi, prefekt i Tetovës, të cilin partizanët e kanë vrarë në vitin 1945, ndërsa në aspektin fetar ka ndikuar Ahmet Vehbi Lushi. “Ai ishte angazhuar që fenë dhe kombin t’i vendosë me një rrafsh politik. E përshkruajnë si njeri shtatlartë, por fizikisht jo mjaft të zhvilluar. Ka qenë i nderuar nga rrethi familjar dhe ka gëzuar autoritet të pakontestueshëm në profesionin e tij”, thotë nipi Fadil Lushi nga Tetova. Ahmet Vehbi Lushi kishte lindur në Lushnjë, në vitin 1888, nga një familje atdhedashëse dhe kombëtare, thotë Fadil Lushi, duke dhënë hollësi për identitetin e gjyshit të tij.
Ahmet Vehbi Lushi shumë zakone fisnore i kultivonte në këto treva etnike shqiptare. Personalitetin e Ahmet Vehbi Lushit e karakterizoi modestia. Historia më e re gjatë kohë e heshti dhe shtrembëroi faktet, që flasin për veprimtarinë e tij patriotike, të cilën me përkushtim do ta vazhdojë i biri i tij, Vehbi Ahmet Lushi, mësues dhe nacionalist, i cili nga regjimi komunist u fut në burg në maj të vitit 1952, ku nga 12 vjet vuajtje dënimi për veprimtari ilegale politike, 8 vjet i kaloi në burgun famëkeq të Koli Otokut.
“Kam dëgjuar nga më të vjetrit në familje se gjyshi i kishte marrë mësimet e para në gjuhën serbe, por edhe në osmanishte dhe shqipe. Në fillim i përkushtohet profesionit të imamit në fshatin Radushë të anës së Shkupit, ndërsa më vonë edhe në Tetovë. Pas orarit të punës, në vitin 1939 bashkë me Mexhit S., një patriot i dëshmuar nga Radusha, fëmijëve shqiptarë ua mësonte alfabetin e Manastirit, krhas “daskallit” të Kralit, Evrem Masllaroviq. Disa herë ka udhëtuar në Tiranë, ku ka shfrytëzuar miqësinë e tij me mbretin Ahmet Zogu, për punë patriotike dhe arsimore”, përfundon rrëfimin e tij bashkëbiseduesi im, Fadil Lushi.
Duke iu refaruar bisedave që i ka dëgjuar shumë vite më parë, ai të thotë se gjyshi i tij Ahmet Vehbi Lushi konsiderohet si mësuesi i parë autodidakt i viteve1939-1940. vdes katër ditë para se Tetovën ta pushtojnë komunistët më 15 nëntor 1944.
VEHBI AHMET VEHBII-LUSHI (02.09.1925-18.02.1999)
AMANETI I PRINDIT ”DUHET TA NDERONI KOMBIN DHE DUHET TË PUNONI DERI NË BASHKIMIN KOMBËTAR”
...Vehbi Veapi, biri i Ahmetit dhe nënës Sadibe Sulejmani, i lindur më 1925 në Tetovë, mësues me tre vjet kursi pedagogjik, i martuar me Nafije Ademi, prind i dy fëmijëve, shqiptar me pasuri të dobët, shtetas i Republikës Federale Popollore të Jugosllavisë, ushtrinë e ka kryer në Burgun Hetues prej 12.IV.1952...
…Unë gjatë vitit 1949 isha mjaft aktiv në operativën e platformës, kurse Sadudin Gjura më informoi se në treshen e tij ka Faik Nuredinin dhe Vehbi Lushin…
I AKUZUARI I TRETË VEHBI AMET LUSHI, PËR SHKAK SE;
1. Në ditë dhe muaj të pacaktuar të itit 1948, i tërhequr nga i akuzuari i parë Sadudini anëtarësohet në grupin për kryerjen e vaprave penale kundër popullit shtetit, dhe si i tillë merr pjesë në mbledhjet dhe punon për zgjerimin e të njëjtit grup duke e përfshirë Hafiz Jahjën nga fshati Debresht.
2. Në stinën e verës së vitit 1949, në ditë dhe muaj të pa caktuar me të akuzuarin e parë Sadudinin dhe personin Faik Nuredini përpiqet që të ikën në Shqipëri për të kryer aktivitete armiqësore kundër RFPJ-së, për atë qëllim qëndrojnë mbi “baniçet” banjën e Tetovës për t’u takuar me bandat e Xheladin Gjurës dhe të tjerëve, por pasiqë lidhja ishte ndërprerë nuk ia arrinë qëllimit…
…Të akuzuarin Vehbi Ahmet Lushi, burgim të rëndë me 7 vjet heqje lirie në të cilën llogaritet prej burgimit prej 20.04.1952 dhe marrja e së drejtës së lirë qytetare në afat prej 2 vitesh…
Vehbi Lushi, lindi në Tetovë më 02.09.1925. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Gjatë viteve 1941/1944, 3 vjet ndoqi mësimin në gjimnazin “Hoxhë Tasini” në Tetovë.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore Vehbi Lushi e kreu Normalen në Tetovë. Karierën e mësuesisë e filloi në vitin 1947 në fshatin Debresh rrethi i Gostivarit ( Imamin e Debreshit Jahja Jasharin e ka patur në treshin e Organizatës Ilegale Politike Kombëtare “LIRIA” që e ka organizuar pasiqë vetë ishte në treshin me Sadudin Gjurën dhe Faik Nuredinin), ku ka shërbeu deri në vitin 1948 dhe prej këtij viti deri më 1952 shërbeu në fshatin Bogovinë të Tetovës. Këtu e burgosin si anëtar i Organizatës Ilegale Politike Kombëtare “LIRIA” degë e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare.
Më 31.05 1952, u dënua me 7 vjet burg të rëndë me aktvendimin K.NR.27/52, ku 5 vjet i vuajti në ishullin famëkeq të Goli Otokut në Kroaci dhe se me amnistinë e përgjithshme lirohet nga burgu. Kur kthehet nga burgu në stacionin e trenit në Tetovë e presin vallai i tij i madh Kasami dhe djali i Mixhës Jonuz Lushi, pasiqë gati gjysma e familjes Lushi nga Tetova përkatësisht mbi 30 anëtarë të familjes janë shpërngulur në Anadoll (Turqi).
Pas vuajtjes së dënimit puna në arsim për të ishte e ndaluar, kurse më 15.05.1957 pranohet në punë si arkëtar në ndërmarrjen hotelerike të qytetit “Sharrpllanina”, ku punoi deri më 18.10.1968, e më pas inkuadrohet sërish në profesionin e tij në arsim në shkollën fillore Bratstvo-Edinstvo” ( sot BRATSTVO-MIGJENI), e punoi deri në pension. Vdiq më 18.02.1999.
*******************
/Sipas dëshmive të Fadil Lushit, mars 2007/
/Fregment i shkëputur nga aktakuza D 7592, K.BR. 27/52 /
/Dëshmi nga Sabdri Ramizi-Anëtar i Organizatës Ilegale Politike Kombëtare “LIRIA”, bisedë e inçizuar me diktafon më 06.11.2005/
/Fregment i shkëputur nga aktakuza D 7592, K.BR. 27/52 /