Shaip Kamberi
Autor: /Material i shkëputur nga libri i botuar ISMET JONUZI-KROSI "ORGANIZATA ILEGALE POLITIKE KOMBËTARE "B E S A" DEGA E TETOVËS ME RRETHINE 1935 - 1944" TRINGA DESIGN 2007, TETOVË/
Fillimi i luftës së Dytë Botërore i zgjoi shpresat dhe aspiratat e popullit shqiptar për liri dhe bashkim kombëtar. Në historiografinë shqiptare, që ende pret të rrumbullakohet, emrat e të gjithë atyre që kontribuan në fuqizimin e vetëdijes progresive kombëtare. Temat e këtilla për gjashtë dekada me radhë ishin tabu. Përpjekjet e bëra kishin synim një Shqipëri Etnike, themelet e së cilës zënë të rrënohen që nga Mukja e Bujani.
Në ballë të këtyre ngulmimeve për një hapësirë etnike shqiptare nga trevat e Zajazit me fushën e Pollog u gjendën edhe figurat më të merituara dhe më kombëtarisht të vetëdijesuar Mefailat e Zajasit dhe Xhemë Hasa – Gostivari Arif kapetani i Tetovës, Sulë Hotla i Kumanovës, të shoqëruar nga udhëheqësi shpirtëror i Ballit Kombëtar Shaip Kamberi me shokë: si Kadri Saliu. Jusuf Kuliku, Tafil Boletini, Gajur Derralla, Sherif Mina, Baba Qazim, Selim Shehapi , me mijëra luftëtarë të lirisë.
Në këtë kohë në Tetovë formohet njëfarë komiteti prej esnafëve të çarshisë së Tetovës dhe njerëzve më të njohur. Anëtarët e organizatës “BESA” nuk marrin pjesë në këtë komitet. Kryetari i ri Shaipi Kamberi, ishte kundër ekseseve dhe plaçkitjeve që ndodhin në rreth. Ai, bashkëpunonte me komitetin kundër të gjitha ekseseve.
Me kapitullimin e Italisë më 1943, populli ndihej i pasigurt dhe kishin bindjen se secilit i duhej armë që të mbrohej prej komunistëve. Partizanët e Jugosllavisë paraqiteshin gjetiu nëpër Maqedoni. Populli shqiptar ndjen frikë. Një brigadë partizanësh kalon prej malit të Thatë, e ulet në malin Sharr nëpërmjet fshatit Vratnicë. Komiteti i atëhershëm i qytetit nuk ishte në gjendje që ta qetësonte popullin, prandaj në këtë kohë formohet një batalion ushtrie që quhej batalion i Lubotenit nën udhëheqjen e kapitenit Gajur Deralla. Ndërsa sekretar e kishte Nijazi Rusin (1914-1989), që kanë qenë shok shumë të afërt. Nijazi Rusi është i biri i Osman Rusit nga Dibra (Osmani gjatë periudhës së viteve 1930/1939, në bashkëpunim me Xhemail Papranikun e shokë të tjerë dibranë të idealit, kanë sjellur rregullisht abetaret shqiptare dhe materiale tjera nga Shqipëria në Dibrës, e më pas për në Pollog e më gjerë, për të cilën vepër është dënuar nga mbretëria e Jugosllavisë. Gjithashtu, duhet përmendur se jashtë Shqipërisë administrative, për sjelljen e abetareve dhe materialeve tjera janë dënuar nga pushteti serb Ferat Bej Draga i Mitrivicës dhe Osman Rusi me djemtë Nijaziun dhe Lutfi Rusi-dëshmi ofruar nga Arben dhe Myqereme Rusi, gusht 2007.
VEPRIMTARIA KOMBËTARE E SHAIP KAMBERIT
Shaip Kamberi ka lindur në Gajre të Tetovës, shollën fillore e kreu në Tetovë, poashtu edhe të mesmen në gjimnazin e Tetovës në Tetovë gjatë viteve 1931 1934. Ky ka qenë edhe stipendist i bashkësisë së vakëfeve në Shkup. Poashtu edhe si student ka qenë i ndihmuar me këtë stipendion, por këtij të riu i ka ndihmuar edhe doktor Xhafer Sulejmani, i cili një kohë të gjatë ka qenë Senator në Beograd dhe me fillimin e luftës së Dytë Botërore u bë kryetar komune në Tetovë ku ngeli si kryetar deri në kapitullimin e Italisë fashiste.
Shaip Kamberi si student I Beogradit i cili studjonte Drejtësinë, ka qenë një nga organizatorët dhe themeluesit e parë të Orgaizatës “Besa” në Beograd. Kjo ishte një organizatë ilegale për organizimin e studentëve shqiptarë në Beograd, Shaip Kamberi ka mbajtur lidhje edhe para formimit të organizatës “Besa”, me Legatën shqiptare. Ka qenë shtyllë përbrenda të djathtëve që përbënin krahun e “Besës”, në krye me Lutfi Ibrahimin.
Shaipi ka qenë i përkrahur fuqishëm nga studentët e rij shqiptarë. Pasi ky me autoritetin e vetë ka luftuar që studentët tjerë mos të bien nën ndikimin e studentëve me ide komuniste. Ose më mirë me thënë të forcave progresive në Universitetin e Beogradit dhe më gjerë.
Ka qenë aktiv që të parandalojë, bashkëpunimin me organizatën përparimtare të studentëve që ishin anëtarë të Orgaizatës “KOSMET”, sa për sy e faqe iu bashkëngjitë Lëvizjes “Manapo”, por gjatë tërë veprimit në këtë Lëvizje ngeli shumë pasiv. Në mënyrë aktive ka vepruar që Kosova ti bashkangjitet Shqipërisë politike. Pa marr parasysh rendin shoqëroro- politikë në Shqipëri, Mbretëri apo Republikë. Për këtë nuk kishte fare rendësi se kush do të sundonte me Shqipërinë. Pra nuk kursente asgjë nga jeta, vetëm e vetëm të arrihet objektivi kryesor I popullit shqiptar, bashkimi i trojeve në një shtet të përbashkët. Pra qëllimi i këtij veprimtari të madh nga Tetova ishte vetëm Shqipëria etnike midis shteteve të Ballkanit.
Në themelimin e Organizatës “Besa” në mars të vitit 1935 u zgjodh sekretar i Besës.[5] Ky si student në Beograd ka marr ndihmë financiare nga 1000 dinar nga Legata shqiptare për veprimtari propaganduese në ngritjen e vetëdies kombëtare që njëherë e përgjithmonë shqiptarët që jetonin nën sundimin jugosllav të shkëputen nga ideologjia sulltaniste, dhe të luftojnë që territoret e okupuara shqiptare nën Jugosllavi ti bashkëngjiten Shqipërisë.
Kjo veprimtari e “Besës”, zgjati deri në kapitullimin e Shqipërisë kur mbreti Zog e lëshoi vendin dhe iku për Greqi më 7 prill 1939. Pas këtij viti “Besa” iu afrua propagandës italiane dhe ajo u ka ofruar para veprimtarëve shqiptarë që luftonin për çlirim e bashkim kombëtar.
Shaip Kamberi ka ardhur nga Beogradi në Tetovë më vitin 1937, dhe ka sjellë me vete një abetare dhe një fjalor në gjuhën shqipe, këta libra iu dorëzuan Idriz Cërcërit.[6] Ky veprimtar i palodhshëm në Tetovë me rrethinë në atë kohë ishte njeriu që vepronte ditë e natë, duke kërkuar nga shqiptarët që të mësojnë shkrim dhe lexim edhe në gjuhën shqipe.
Ky mbante ligjërata falas për mësimin e gjuhës shqipe rinisë shqiptare nëpër shtëpi private të Tetovës dhe fshatrave.
Shaip Kamberi i ishte bashkëpunëtor i ngushtë me Idrizin dhe me parat e veta e ka ndihmuar rininë shqiptar, disa herë ka dhënë para Idrizit 500 dhe një herë 300 dinarë, që të blenë mjete përgatitore për rininë tetovare. Shaipi gjithmonë kërkonte mësimin e gjuhës shqipe nga të rinjtë tetovar. Pra, në çdo kohë interesohej për rininë që me çdo kusht të mësonin në gjuhën shqipe.
Duhet theksuar kësaj radhe se në prag të fillimit të luftës së Dytë Botërore edhe veprimtarët e kombit që ishin udhëheqës kryesor në mbrojtje të Tetovës që organizuan ngritjen e flamurit të Skënderbeut në sheshin e Tetovë në qershor të viti 1941, në krye me Xhemil Efendinë, Abaz Abzain dhe shumë veprimtarë tjerë nuk dinin asnjë fjalë shqip. Por e dinin se janë shqiptarë, prandaj dolën për të mbrojtur Tetovën dhe shqiptarizmin në përgjithësi.
Sipas Idriz Cërcërit: më vitin 1941 në Shtëpinë e Shaip Kamberit erdhi edhe Shaip Mustafa i njohur si komunist Preshevarë, por që kishte ikur nga sunduesit bullgar në Shkup dhe ishte vendosur në Tetovë. Kjo ka qenë një ditë para se italianët ta marrin Tetovën, atë ditë para se të vinë italianët Shaip Mustafa shkon në shtëpinë e Shaip Kamberit, dhe ka banuar në shtëpinë e tij. Të nesërmen erdhën italianët ndërsa Shaip Kamberi u ka bërë pritje madhështore italianëve. Për këtë pritje madhështore ai ka organizuar të gjithë shqiptarët e Tetovës me rrethinë. Në pritje të ushtrisë italiane ka marr pjesë edhe dega e Organizatës “Besa” në Tetovë.
Organizata serbe në Tetovë, ka akuzuar Shaip Kamberin kinse me urdhër të tij gjermanët kanë dërguar në punë të përdhunshme 1.400 serbë, nga Tetova dhe rrethina.
Shaip Kamberi ka qenë deputet në Parlametin shqiptar, ky ka vazhduar si person tejet autoritativ në Tetovë me rrethinë duke krijuar politikë autoktone që ishin shpeshherë në kundërshtim me ato të Tiranës. Për këtë dëshmon Ahmet Pere, një ndër mësuesit më të njohur për veprimtari komuniste në Gostivar e Tetovë, i cili pas luftës u dënua si nacionalist me 18 vjet burg nga Llazar Mojsovi. Ndërsa vajzën e tij Lidija e detyroi OZNA, që të deklaroj para gjyqit: se ajo fare nuk e njeh për babë të saj-Ahmet Peren.
Në bazë të dokumenteve më të reja del se Shaipi i ka ndihmuar Xhemos, për të ardh kryeshef i policisë në Gostivar, pas kapitullimit të Italianëve. Ky ka shkuar në Gostivar pa vrasjes së komandantit të xhandarmërisë Shahin Camit (dhe të atdhetarit Haqif Koloverit) në Gostivar, për të marr hollësira rreth vrasjes. Pas konferencës që pati në Komunën e Gostivarit Shaipi, filluan burgosjet thotë Ahmet Pere. Por Shaipi si avokat, shumë shpejtë vrasësit i shpalli të pafajshëm dhe i lëshoi në shtëpitë e veta. Ndërsa Xhema doli i pafajshëm dhe u emërua kryeshef xhandarmërisë në Gostivar.
Pas kapitullimit të Italisë erdhën shqiptarët në fuqi dhe e morën pushtetin në këto anë të Maqedonisë dhe i emëruan organet e pushtetit si: policinë, financat, Ahmet Pere thotë: instruksionet e para për themelimin e organeve të pushtetit shqiptar i jep Shaip Kamberi. Pastaj themelohet Ushtria Shqiptare dhe zhadarmëria shqiptare. Lufta për pushtet kishte filluar: komunisti Rakip Raça thotë: “ne që ishim të ardhur në Gostivar nga Shqipëria nuk shiheshim mirë nga Gostivarlitë dhe Tetovalitë”. Prandaj këtu bëhej një luftë e fuqishme nga ana e Shaip Kamberit, Kadri Saliut dhe Gajur Derallës, për largimin e nëpunësve të ardhur dhe zëvedsimin e tyre me ato vendas.
Shaip Kamberi dhe Gajur Derralla organizuan një miting në Tetovë kudër dibranëve, dhe ky miting pati jehonë të madhe edhe në Gostivar, pas këtij mitingu, u vra në Gostivar Shani Cami, komandant i xhandarmërisë në Gostivar dhe në vend të tij erdhi Xhemë Gostivari. Mbrojtës kryesor i Xhemës në këtë aferë ka qenë vetë Shaip Kamberi. Tani më si avokatë më i njohur në zonën shqiptare të Maqedonisë, pasi fjala e tij ishte ligj.
Sipas Josip Kovaçit, Shaip Kamberi ka intervenuar te pushteti bullgar në Shkup, që mos ti kthejë prapë tetovarët maqedonas në Tetovë. Ky ka qenë së bashku me Baba Qazimin organizator kryesor për shpërnguljen e maqedonasve bullgarëve dhe serbëve nga Tetova. Për Shaipin thotë: se ai e kishte përgatitur listën e emigracionit për 22 familje të padëshirueshëm nga Tetova dhe Bëvenica.
Një ndër bashkëveprimtarët e Shaip Kamberit, Baba Qazim, në këtë kohë kërkonte nga kolonët e Bervenicës ose të paguajnë tokën e grabitur nga pushteti serb, ose ta kthejnë si pasuri e Arabatit Baba teqe, që ishte grabitur me Reformën agrare të shpallur nga ish Jugosllavia. Këtë iniciativë e përkrahte pos Shaip Kamberit edhe Kryetari i komunës së Tetovës doktor Xhafer Sulejmani.
Shaipi gjatë kësaj periudhe të luftës ka qenë 32 vjeçar. Në fillim të vitit 1944 u bë kryetar Komune në Tetovë. Si kryetar ka bashkëpunuar me Prefektin Minur Trshanën, dhe Jusuf Kulikun, dhe Selman Sheapin, i cili ishte me gradë ushtarake major, ky më vonë u bë komandat vullnetarëve të ushtrisë së Ballit Kombëtar për Tetovë me rrethinë.
Për Shaip Kamberin, komunisti Jahja Osmani thotë se ai ishte anëtar i Besës, ky i ka pritur italianët në Tetovë kur kanë ardhur ata. Te Shaipi në shtëpi kemi shkuar unë Jahja Osmani dhe Shaip Mustafa pasi jemi njohur më herët në Beograd. Ky thotë se Shaipi ishte kundërshtar i fuqishëm i ideve për përhapjen e komunizmit dhe fare nuk i besonte ideologjisë së saj për barazinë e shqiptareve nën platformën e saj. Ky mundohej me çdo kusht në mesin e shqiptarëve ta luftonte përhapjen e ideve komuniste në mesin e shqiptarëve që jetonin nën sundimin Jugosllav.
Më vitin 1941 një delegacion shqiptar në krye me Dhimitër Beratin e vizitoi Tetovën me këtë rast Shaipi me rininë tetovare kërkoi tërheqjen e Doktor Xhaferit nga posti i Kryetarit por si duket nuk pati sukses. Shaipi nuk pajtohej me politikën tolerante të doktorit që udhëhiqte ai pa marr parasysh përkatësinë nacionale të popullsisë në Tetovë me rrethinë.
Në mes pushtetit shqiptar dhe bullgar ka pasur shpeshherë mosmarrëveshje, pasi organet kufitare bullgare janë sjellur shumë keq ndaj shqiptarëve që jetonin përgjatë kufirit në lidhje me kullotat përgjatë vijës kufitare mbi fshatin Zhelinë dhe Zhillçe. Prandaj Shaipi si diplomat i njohur në mesin e shqiptarëve, kërkoi një takim me Drejtorin e policisë së Krahinës për Shkupin me dr. Toma Petrov. Këtë takim me Shaip Kamberin e nënvizoi edhe gazeta “Celokupna Bullgaria” duke e nënvizuar vizitën e tij në Shkup, Pas intervenimit të “naçallnikut” Petrov, gjendja në kufij u rregullua dhe fshatarët shqiptarë, tani e tutje lirshëm i punonin tokat e veta. Poashtu edhe qeveria shqiptare u bëri lehtësime fshatarëve të Zhillçes.
Shaip Kamberi, poashtu ka bashkëpunuar të ngushtë në lidhje me avancimin e çështjes shqiptare me patriotin Sherif Mina i lindur në fshatin Novosellë të Sharrit mbi Bogovinë. Ky ka qenë deputet në Parlamentin shqiptar së bashku me Shaip Kamberin dhe delegatë në Kongresin e II të Lidhjes së Prizrenit më 1944. Ky poashtu ka bashkëpunuar ngushtë me Xhafer Devën. Por ky veprim i tij me Xhaferin fare nuk i ka penguar Shaip Kamberit i cili ka luftuar për mbrojtjen e Shqipërisë etnike nga pushteti komunist. Poashtu edhe Aton Leku thotë Shaip Kamberi dhe Sherif Mina kanë qenë një ndër udhëheqësit e Ballit Kombëtar në Tetovë me rrethinë.
Pas Kapitullimit të Italisë, Sherif Mina ka qenë anëtar i Kryesisë të Këshillit Nacional Shqiptar të Komitetit të Ballit për Tetovë, njëherit krahu i djathtë i Shaip Kamberit, për të dhënë urdhëra kundër partizanëve. Kah fundi i nëntorit Sherif Mina bënë vetëvrasje që mos të bjerë i gjallë në duar të Oznës famëkeqe.
Në Tetovë me rrethinë u bë një kasaphane e vërtetë u vranë dhe u masakruan heronjtë e popullit dhe njerëzit më të devotshëm të kombit Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Tetovës dhe redaktor i gazetës ”Zani i Sharrit”, u vra më 21.02.1945 me një grup veprimtarësh që luftuan për jetësimin e Shqipërisë etnike, duke i hedhur në gypin e hidrocentralit me Jusuf Kulikun dhe Kadri Saliun nga Gostivari. Ndërsa, të gjallë OZN-a i ka djegur afër familjes, Afës Sulejman Shaipin, Mulla Sylë Jakupin dhe disa të tjerë.
Fotografi nga Prof.Ismet Jonuzi Krosi dhe koha.mk