Burimi: VEPRIMTARIA ATDHETARE E GAJUR BEJ DERALLËS /1943-1963/ Qerim LITA
Gajur Bej Deralla(1909-1974)
Patriot i shquar, djali i Mehmet Pashë Derallës, Ballist dhe themelus i Batalionit të Lubotenit, i lënë në harresë
Një ndër trashëgimtarët e familjes së mirënjohur shqiptare, Deralla, që historiografia shqiptare e ka lënë në harresë, gjithsesi se është Gajur bej Deralla. Dokumentet arkivore të zbuluara kohë të fundit tregojnë se, Gajur beu ka lind në vitin 1907, në Bagdad, në kohën kur të atin e tij, Mehmet Pashë Deralla, për shkaqe politike, Porta e Lartë e kishte internuar. Në procesin e hetuesisë të zhvilluar gjatë vitit 1945-1946 nga ana e UDB-s jugosllave, Gajur beu e përshkruan në detaje këtë ngjarje, ku ndër të tjera shprehet: “Mehmet Pashë Deralla ka jetuar në kohën e shkatërrimit të Perandorisë Osmane, dhe ai si pashë–gjeneral, megjithëse i ka shërbyer kësaj perandorie, e ka interesuar kombi i tij, ka qenë përfshi në lëvizjen kombëtare shqiptare. Gjatë jetës së tij, dy herë ka qenë i internuar prej 4 deri më 7 vjet në viset e largëta të Perandorisë. Internimi i tij i fundit shtatëvjeçar ka qenë në Bagdad. Në vitin 1908, pas revoltës xhon-turke, u kthye në vendlindje. Nga viti 1910-1912 u emërua komandant dhe guvernator i Kosovës me seli në Prizren..”.
Shkollimin fillor, Gajur beu e kreu në Durrës, ndërsa gjimnazin e ulët në Gjakovë, ku vëllai i tij Halim Deralla, për dy vite (1918-1920) mbante postin e kryetarit të komunës. Më pas, me bursën e fituar nga Qeveria shqiptare, në vitin 1929, në Beograd kryen akademinë ushtarake, ndërsa më pas emërohet toger në ushtrinë e atëhershme të Mbretërisë jugosllave, me detyrë në Vinkovc. I pakënaqur me gjendjen politike të shqiptarëve nën këtë mbretëri, ai në vitin 1934 lëshoi Vikovcin dhe së bashku me familjen e tij të gjerë, arratiset në Shqipëri. Deri në vitin 1939, shërbeu në Ushtrinë e atëhershme të Mbretërisë shqiptare me gradën Kapiten. Me pushtimin e Shqipërisë, nga Italia fashiste, Gajur Deralla, arratiset në Greqi, ku sipas të dhënave që i kemi në disponim, ai atje pati një qëndrim të prerë ndaj çështjes shqiptare. Më vonë, Deralla arrestohet nga forcat gjermane, të cilat e internojnë fillimisht në Durrës dhe Shkodër dhe së fundi në Prishtinë. Krahas tij, në Prishtinë qëndronin të internuar edhe shumë veprimtarë të tjerë shqiptarë, në mesin e tyre edhe majori Fuad Asllan Dibra, për të cilin Deralla shkruan: “Fuad bej Dibra, nacionalist i njohur, mund të thuhet i përbetuar shqiptar, i cili gjatë jetës së tij që nga koha osmane ka shpenzuar para të majme të trashëguara nga i ati për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, si dhe më vonë për organizimin e përfaqësive diplomatike shqiptare, madje edhe për aparatin e brendshëm shtetëror të Qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit...”
Me kapitullimin e Italisë fashiste, Gajur beu lirohet nga internimi, dhe së bashku me disa intelektualë e atdhetarë të tjerë nga Tetova e Gostivari, si: Shaip Kamberi, Kadri Saliu, Nexhmedin Besimi, Mentor Qoku etj., merr pjesë në Kongresin themelues të “Lidhjes II të Prizrenit”, më 16-21 shtator 1943. Në Kongres, veç të tjerash, është vendosur që Gajur Deralla të themelojë Batalionin shqiptar në Tetovë, i cili do të konsiderohej si njësi e rregullt e Ushtrisë së Qeverisë shqiptare. Nuk vonoi shumë, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, përkatësisht gjeneral Prenk Previzi, emëroi Gajur Derallën komandant i Batalionit të Tetovës, ndërsa zëvendës të tij u emëruan Arif Dragomanci dhe Memish Bukoviqi, të cilët njëkohësisht ishin edhe komandantë të çetave.
Gjithnjë në mbështetje të burimeve sekrete jugosllave, shohim se batalioni u themelua më 28 nëntor 1943, i cili përbëhej prej 1.200 ushtarëve, 54 oficerëve e nënoficerëve, repartin mjekësor nën udhëheqjen e Dr. Xhafer Sulejmanit etj. Në ceremoninë solemne, foli kryetari i Bashkisë së Tetovës, Shaip Kamberi, i cili veç të tjerash shprehet: “Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë. Para jush janë prindërit tuaj më të dashur, para jush është i tërë populli, simboli i lirisë, flamuri ynë heroik, i njëjti ai i cili shekuj me radhë mbahej nga beteja në betejë në duart e djemve trima si ju, të cilët me jetën e tyre mbronin atdheun tonë të dashur edhe atë shumë herë duarthatë, por e kanë mbrojtur. Ja edhe juve u erdhi radha që në hap t’i trashëgoni paraardhësit tuaj, duke pasur të njëjtin flamur, ta mbroni atdheun tonë të dashur...”.
Nga e majta në të djathtë janë: Gajur bej Deralla, Ahmet Efendi Lushi, Imam Xhemil Efendiu, pas së cilit asht me uniformë tribuni Xhem Hasa-Gostivari, gjenerali gjerman D.Hoffman pas tij me plis të bardhë Arif Kapedani.
Pas fjalimit të Shaip Kamberit, Gajur Deralla lexoi betimin me këtë përmbajtje: “Së pari, në emrin tuaj e më pas së bashku me ju, duke e lexuar betimin, e kur para nesh paraqitet nevoja e që për atdheun ta japim edhe jetën. Me këtë nuk do të bëjmë asgjë tjetër vetëm se përgatitjen e një guri prej graniti, për një monument të lartë të heronjve të panjohur që ndërtohet me eshtrat e paraardhësve tanë, duke filluar nga pellazgët e deri më sot. Do ta drejtojmë pushkën dhe bajonetën tonë kundër çdo kujt që dëshiron në mënyra të ndryshme të na dalë para rrugës”.
Duhet të vëmë në dukje se nuk do të kalojë asnjë muaj nga themelimi i batalionit, kur me urdhër të Hysni Demës, asaj kohe komandant i përgjithshëm i Xhandarmërisë shqiptare, shkarkohet Gajur Deralla dhe në vend të tij për komandant të batalionit emërohet dhëndri i tij, Atif Gola. Një akt i tillë revoltoi tej mase jo vetëm Gajur Beun, por edhe ushtarët, oficerët, si dhe masën e gjerë të popullsisë shqiptare të Tetovës, e cila revoltë më 29 dhjetor të vitit 1943 shpërtheu në një demonstratë masive. Në informatën që Komanda e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare më 5 janar e dërgon deri te Ministria e Punëve të Brendshme shprehimisht thuhej: “Për shkaqe rrethanash e për nevojat ushtarake, kjo Komandë ka shkarkue Komandantin e deritashëm të Bataljonit II autonom në Tetovë, Kapiten Gajur Derallën nga Komanda dhe ka ngarkue me kryesue bataljonin Majorin Atif Goljen. Kapiten Deralla ka refuzue me i dorëzue komandën Majorit, mbasi pat nji fjalim me Kryetarin e Bashkis Shaip Kamberin i cili njikohësisht ishte edhe Zavendës i Nënprefektit. Në bashkëpunim me Shaip Kamberin, Gajur Deralla organizoi mandej nji demonstratë me 29. 12. 1943, me të cilën muerën pjesë si disa oficera ashtu edhe djalëria. Demonstrata u bë para Nënprefekturës. Mbasi Gajur Deralla së pari mbajti nji bisedë prej ballkonit të ndërtesës, me të cilën njoftoi se nuk do t’a dorëzonte n’asnji mënyrë bataljonin që kishte formue ay vetë, foli fjalë të vrazhda kundër Komandës së Mbrojtjes Kombëtare e kundër Qeveris. Mbas tij muer fjalën Kryetari i Bashkis dhe përkrahu mejtimin e Gajur Derallës, ku theksoi se nuk flet posi qeveritar por si nji Tetovas, mbasi pak o shumë demonstrata asht e drejtë. Të gjitha këto ngjarje ishin nji kryengritje e hapët dhe banë përshtypje të keqe edhe në shumicën e madhe të popullsisë, pse njerzija thonte: “Neve nuk ia kena dhanë djelmt t’onë Gajur Derallës, por Ushtris kombëtare për me përgatitë mbrojtjen e të gjith Shqipnis.”
Se si rrodhën ngjarjet e më vonshme rreth dorëzimit të batalionit në fjalë, më gjerësisht bëhet fjalë në pjesën shtojcë, ku Gajur Beu e përshkruan në mënyrë më të detajuar. Gajur Deralla udhëhoqi, përkatësisht mori pjesë në kreun komandues të batalionit në fjalë, deri në korrik të vitit 1944, kur sërish u arrestua nga gjermanët, për shkak refuzimit të tij që ky batalion të dërgohet në Pogradec, për të luftuar kundër brigadave partizane shqiptare. Së bashku me Derallën internohet edhe nënkoloneli Neshat Kolonja dhe një numër i madh i oficerëve, të cilët fillimisht dërgohen në Prishtinë dhe pas 20 ditësh, lirohen të gjithë, përveç Gajurit, i cili së bashku më të vëllanë dërgohet në kampin e përqendrimit në Vjenë, ku qëndrojnë deri në qershor të vitit 1945. Me të kthyer në Jugosllavi, ai arrestohet në kalimin kufitar në Suboticë. Në procesin gjyqësor që u zhvillua në gjykatën ushtarake jugosllave në Tetovë, ai dënohet me 12 vjet burg të rëndë, për shkak të, siç thuhet në vendim: “veprimtarisë armiqësore kundër shtetit dhe popullit”, përkatësisht: “bashkëpunimit me fashizmin”.
Përkundër tentimeve të organeve të OZN-ës e të UDB-ës jugosllave për ta komprometuar, ai asnjëherë nuk u gjunjëzua. Krahas tij, në këtë burg famëkeq qëndronin edhe shumë atdhetarë të tjerë, si Idriz Cërcëri, Hasan Bilalli, Nevaip Purde, Sami Jakupi, Emin Roshi, Mulla Garipi, Mulla Abdullau, Mulla Ajdari, Shaban Efendiu, Nexhmedin Besimi, Qeram Zllatku, Sait Hoxha (ish-deputet shqiptar në Portën e Lartë dhe miku i ngushtë i Mehmet Pashë Derallës, i cili vdiq në burg në vitin 1950), e shumë të tjerë, të cilët ngjashëm si Gajur Beu, ishin dënuar me dënime të rënda nga gjyqet e atëhershme komuniste jugosllave, për shkak të veprimtarisë së tyre atdhetare gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe angazhimit të tyre në organizatën e mirënjohur shqiptare “NDSH”, e cila u themelua menjëherë pasi këto vise u ripushtuan nga forcat komuniste jugosllave.
Duhet të vëmë në dukje se me burgosjen masive të atdhetarëve dhe të intelektualëve shqiptarë, Shkupi zyrtar shpresonte se do të pamundësojë veprimtarinë e organizatave atdhetare shqiptare.
Mirëpo, një shpresë e tillë doli se ishte e gabuar, sepse nga viti 1957, në viset shqiptare të Maqedonisë dhe në Kosovë u riaktivizua organizata “Nacional Demokratike Shqiptare.” Duke u mbështetur nga informatat e shërbimit sekret maqedonas, shohim se në ballë të saj ishin kryesisht ish të burgosurit politik, atdhetarët dhe veprimtarët e mëhershëm të NDSH- së, të cilët pas vuajtjes së dënimit e panë të arsyeshme ta riaktivizojnë programin dhe platformën politike të organizatës së tyre. Ndër veprimtarët e NDSH-së, të cilët gjatë periudhës kohore 1957-1963 zhvilluan një aktivitet të dendur ishin: Gajur Deralla, Garip Efendiu nga Grupçini i Tetovës, Imer Strazha, hafëz Abdulla Abdullau nga Zhelina, hafëz Etem Tahiri nga Reçica, Hajdar Efendiu nga Orizarja e Kumanovës, Shaban Efendiu nga Kumanova, Rustem dhe Adem Tërnava nga Prishtina, Ismail Ajeti nga Podujeva etj.
Aktiviteti i dendur i udhëheqjes së NDSH-së, së shpejti vërehet nga organet e UDB-së. Në një informatë tepër të besueshme të këtij shërbimi, dërguar KQ të LKM, vihej në pah se: “Në radhët e shqiptarëve, një pjesë e klerikëve myslimanë dhe inteligjenca përpiqet të hartojë platformë për një pushtim shovinist, nën parullën: "Myslimanët të mos shpërngulen, të mos i lëshojnë viset perëndimore, sepse do të ngelin pakicë, dhe në të ardhmen në ndonjë referendum eventual do të humbin, kur popullsia do të vendosë se a dëshiron të jetojë në RFPJ ose t’i bashkëngjitet Shqipërisë.” Më tej në informatë thuhej: “Është vërejtur një aktivitet më i fuqishëm i udhëheqjes fetare dhe manifestim i një jete më të fuqishme fetare: xhamitë shfrytëzohen për propagandë kundër shpërnguljes, kundër deklarimit si turk e ngjashëm.”
Në ndërkohë, me qëllim të zbulimit të drejtuesve të NDSH-së, shërbimi sekret maqedonas nga viti 1958, ushtroi një aksioni operativ me emrin “Vakëf” ndaj ish të burgosurve politikë siç ishin: Mulla Garipi nga Grupçini, hafëz Abdulla Abdullau nga Zhelina, Mulla Hajdari nga Orizarja e Kumanovës, Shaban Efendiu nga Kumanova, hafëz Etem Tahiri nga Reçica etj. Një përcjellje e tillë zbatohej edhe ndaj Gajur Derallës, i cili në vitin 1960, sërish u arrestua, dhe pas një procesi të montuar politik, u dënua me tre vjet burg të rëndë. Në aktakuzën e prokurorisë publike për qarkun e Shkupit, veç të tjerash thuhej se Gajur Deralla: “Gjatë viteve 1957, 1958 dhe 1959, në vende të ndryshme dhe para më shumë njerëzve në Shkup, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe Neshat Dauti, Amet Gashi dhe Abdyrahman Sulejmani, të gjithë nga Shkupi, ka përhapur propagandë duke i ftuar për angazhim në ndryshimin e rregullimit shoqëror e shtetëror në RFPJ dhe në cenimin e vëllazërim-bashkimit të popujve të Jugosllavisë dhe shtrembërimin e qëllimtë të gjendjes shoqëroro-politike në vend, duke theksuar se ‘së shpejti Shqipëria nën udhëheqjen e Ahmet Zogut dhe me ndihmën e Amerikës dhe Anglisë do ta marrë Kosovën dhe një pjesë të Maqedonisë Perëndimore dhe të gjitha viset e tjera ku jeton kombi shqiptar, ndërsa pjesa tjetër e Maqedonisë do t’i bashkëngjitet Bullgarisë; se shqiptarët në Jugosllavi nuk kanë liri dhe të drejtat e njëjta si kombet tjera’. Për këtë shkak është i mendimit dhe zhvillon agjitacion në mesin e popullsisë shqiptare që të mos shpërngulet për Turqi, por se duhet të përgatitet për realizimin e kësaj detyre.”
Me arrestimin e Gajur Derallës (i cili konsiderohej si udhëheqës kryesor i komitetit të NDSH-së brenda viseve shqiptare në Maqedoni), drejtuesit e organizatës vendosën ta ndryshojnë formën e veprimit politik, duke kaluar në një fushatë individuale me njerëz tepër të besueshëm. Ky ndryshim, u imponua, sepse në atë kohë shërbimi sekret kishte arritur të përvetësojë për vete një numër të madh të informatorëve, të cilët pandërprerë e informonin atë shërbim, për aktivitetet e disa krerëve më me ndikim të NDSH-së. Nëse veprimtaria politike e organizatës brenda viseve shqiptare u përkufizua në takime individuale, në anën tjetër komiteti i Stambollit, gjatë viteve 1960-1963, pati një aktivitet të dendur politik e organizativ, ku nuk mungonin as reagimet e hapura, kundër qeverisë turke, e cila, siç nënvizonin: “është bërë dorë e zgjatur e qeverisë komuniste jugosllave”, duke i mundësuar asaj të dëbojë mijëra shqiptarë nga viset e tyre etnike për në Turqi. Pas vuajtjes së dënimit, Gajur beu vazhdon aktivitetin e tij politik, e që organet e sigurimit në hap e përcjellin. Ja se çfarë i thotë ai, një “miku” të tij: “Dëshiroj të vendosem në Tetovë dhe atje ta ndërtoj një shtëpi, mirëpo disi nuk më shkohet për shkak se është qytet i vogël dhe gjithnjë do të më kenë në sy. Ta dish se sa kam vuajtur unë nëpër ato burgje, sa herë më kanë futur në karrige elektrike, më torturonin të pranoj, më kanë sakatuar nga rrahja, sa net të tëra nuk kam fjetur dhe si pasojë e tërë kësaj kushedi sa vite më është shkurtuar jeta...”
Ishin pikërisht këto arsyet kryesore që Gajur Deralla të lë vendlindjen e tij për të migruar në SHBA, ku vdiq në vitin 1976. Gajur Deralla kishte vetëm një djalë i cili quhet Berat dhe ai jeton në Tetovë.
Për sa u tha më sipër, mund të konstatojmë se Gajur bej Deralla, ishte ndër personalitet më të shquara intelektuale e ushtarake shqiptare nga këto vise, prandaj është obligimi ynë kombëtar që sa më parë të zbardhet veprimtaria e tij kombëtare shumëvjeçare.