Harun Dehari, lindi në fshatin Jellovjan të Malësisë së Sharrit, në një familje malësorësh shqiptare me tradita atdhedashurie (me origjinë është nga Prizreni me mbiemrin MARSENI), ndërsa fëmijërinë e kaloi në fshatin Gjermë, ku edhe ka jetuar. Gjatë sundimit të Jugosllavisë së mbretit, ka qenë anëtar në Organizatën “BESA” dhe atë që nga themelimi i saj. Në vitin 1942, Harun Dehari shpërngulet në Tetovë. Njihet si aktivist i denjë i kauzës sonë kombëtare. Gjatë periudhës së Shqipërisë etnike, ka qenë i emëruar kryetar Komune në fshatin Galiçnik të Ana Rekës, që më pas në vitin 1943 inkuadrohet në radhët e Forcave Vullnetare të Xhemë Gostivarit, i cili ka qenë toger me gradë ushtarake.
Sipas dëshmive të Bajram Harun Deharit, në pranverën e vitit 1945, kur edhe i vrasin atdhetarët Shaip Kamberi, Jusuf Kuliku, Kadri Saliu e dy të tjerë, Harun Dehari, arrin që të ikë nga burgu që ishte në shtëpinë e shovenit sllav Evçevski, dhe atë fal një mikut të tij të idealit, i cili e njofton se partizanët do t’i pushkatojnë. Në mënyrë mjaft diskrete arrin të arratiset duke vënë në kokë një kapelë partizane me yll. Arratiset në fshatin Gajre, ku më pas nëpër bjeshkët e Sharrit del në Shqipëri, ku ka qëndruar deri në vitin 1948. Por, gjatë qëndrimit në Shqipëria kurrë nuk është prezantuar me emrin Harun Dehari, por me emër të improvizuar, pasi edhe atje janë ndjekur prej komunistëve shqiptarë.
Por, një person nga një fshat i Malësisë së Sharrit, e ka paraqitur në organet e sigurimit jugosllav se në Shqipëri gjendet Harun Dehari me emër e mbiemër tjetër. Me të kuptuar organet e sigurimit shqiptar, ndërsa në të vërtetë është një ballist i përbetuar. Organet e sigurimit shqiptar në vitin 1948, e burgosin që më pas ia dorëzojnë autoriteteve komuniste në Maqedoni. Pasi e sjellin në Maqedoni, OZN-ja famëkeqe, e cila ka pasur për qëllim që ta likuidojë dhe atë para popullit përkatësisht para banorëve të Galiçnikut me qëllim që të sigurojnë prova të rrejshme nga terreni se gjoja gjatë mandatit të tij si kryetar Komune ka bërë krime ndaj asaj popullate. Mirëpo, kur arrijnë në Galiçnik me përcjellje të policisë dhe zyrtarëve të OZN-ës, por ndodh e kundërta nga ajo që ata e kishin paraparë ngase banorët e mirëpresin duke e përqafuar dhe kanë kërkuar që të lirohet ish-kryetari i komunës. Kërkesa e banorëve të Galiçnikut ka qenë e prerë që të lirohet gjithësesi ngase Harun Dehari, gjatë mandatit të tij, pos që nuk ka bërë asnjë të keqe, ai u ka ndihmuar në të mirë të të gjithëve për mirëqenie të sigurt e pa probleme. Pasi që organet e sigurimit dhe ata të OZN-ës u bindën për ndershmërinë dhe korrektësinë e Harun Deharit, ata ishin të detyruar që ta lirojnë. Pas këtyre provave në të njëjtin vit 1948, Harun Dehari lirohet e kthehet në shtëpi. Gjatë jetës ai punoi si ëmbëltor në Dalmaci dhe Sllavoni dhe kurrë nuk u pajtua me sistemin e sllavokomunistëve të Jugosllavisë artificiale të Titos. Ndërroi jetë në vitin 1971. Por, duhet shtuar se në varrezat e qytetit ku prehen eshtrat e këtij atdhetari të kauzës kombëtare, që nga viti 1971 e këndej djemtë e tij ia kanë skalitur në gravurë të rasës së varrit flamurin kuq e zi, për të cilën edhe kanë qenë gjithmonë të përndjekur nga ana e sigurimit shtetëror. Epitafi i Harun Deharit është dëshmi se ai kurrë nuk u pajtua me sunduesit e huaj, dhe se amaneti i tij ishte që në rasën e varrit ta ketë shqiponjën dy krenarëshe si dëshmi dhe mburrej e kësaj toke shqiptare. Harun Dehari, i takon plejadës së veprimtarëve, të cilët kurrë nuk u pajtuan me pushtimin dhe copëtimin e Shqipërisë etnike.
Burimi: Material i shkeputur nga libri Ismet Jonuzi-Krosi "ORGANIZATA POLITIKE KOMBETARE "BESA" NE TETOVE ME RRETHINE 1935-1944"/
[1]/Bisedë me Bajram Harun Deharin, dhjetor 2007/