Dr. Xhafer Sulejmani - Agon Memedi

Me rastin e 70 vjetorit të ndarjes nga jeta të Dr. Xhafer Sylejmanit (1887 - 1953), mjekut të parë të diplomuar dhe kryebashkiakut të parë shqiptar në Tetovë.


Shkruan: Agon Memedi


Dr. Xhafer Sylejmani u lind më 14 mars 1887 në Përmet të Shqipërisë. Babai i tij ishte Sulejman Ahmeti, pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare dhe një tregtar i suksesshëm me prejardhje nga rrethina e Përmetit.


Për shkak të distancës kohore, të dhënat faktike në lidhje me periudhën e hershme të jetës së Dr. Xhafer Sylejmanit janë të pakta, por dihet që shkollimin e mesëm e ka kryer në Selanik, ndërsa studimet e mjekësisë në Stamboll, dhe më pas është specializuar në Francë.


Pas përfundimit të studimeve për mjekësi, në vitin 1905 Dr. Xhafer Sylejmani vendoset në Tetovë ku fillon të ushtrojë profesionin e mjekut. Arsyet e sakta për vendosjen e tij në Tetovë janë të panjohura, por sipas burimeve gojore, ai zgjedh të veprojë në Tetovë për shkak të klimës së volitshme dhe burimeve natyrore (ajri i pastër dhe uji i bollshëm) të cilat ishin të përshtatshme për shërimin e sëmundjeve.


Në vitet në vijim, gjatë periudhave sfiduese si lufta e parë botërore (1914 - 1918) dhe epidemia e tifos, Dr. Xhafer Sylejmani vihet në shërbim të popullatës vendase. Angazhim humanitar ky për të cilin më vonë dekorohet me urdhëra të larta nga Kryqi i Kuq dhe nga Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (SKS).


Me punën e tij të suksesshme si mjek, Dr. Xhafer Sylejmani ndërton imazhin e një intelektuali bashkëkohor dhe një personi të besueshëm në Tetovë. Kësisoj ai merr pjesë në zgjedhjen e konflikteve në shoqëri, dhe në disa raste qytetarët ia besojnë kujdestarinë e trashëgimisë (pronave dhe fëmijëve) në rast vdekjeje.


Gjatë viteve 1920 veprimtaria e tij mer një dimension të ri. Në vitin 1922, ai paraqitet si njëri nga bashkëthemeluesit dhe investitorët e dy sipermarrjeve të mëdha në Tetovë, edhe atë: Banka Tregtare Industriаle e Tetovës (Тетовско Трговачко Индустријска Банка А. Д. - Тетово), dhe Shoqata Aksionare Industriale e Tetovës (Тетовско Индустријско Акционарско Друштво (ТИАД)). Sipas regjistrit të aksionarëve të këtyre sipërmarrjeve Dr. Xhafer Sylejmani mban pozita udhëheqëse në të dyja sipërmarrjet (Kryetar i Bordit Drejtues). Rëndësia e këtyre sipërmarrjeve është e madhe, jo vetëm për Tetovën, por edhe më gjerë, pasi që paraqesin iniciativat e para të industrializimit në rajon. Kështu, Shoqata Aksionare Industriale e Tetovës ndërton Hidrocentralin e parë në Jugosllavinë Jugore, të cilin e vë në përdorim në nëntor të vitit 1926. Hidrocentrali “Shkumbini” fillimisht do të furnizojë me rrymë Tetovën dhe më pas edhe Shkupin nëpërmjet të rrjetit përçues prej 46 kilometra. Ky hidrocentral që ndodhet në rrjedhën e lumit Shkumbin është në funksion sot e kësaj dite.


Në gjysmën e dytë të viteve 1920-ta, Dr. Xhafer Sylejmani për herë të parë fillon edhe angazhimin politik. Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11 shtator 1927, ai zgjidhet deputet në parlamentin e Mbretërisë SKS, si përfaqësues i popullit nga Qarku i Tetovës, Banovina e Vardarit. Mandati i tij si deputet zgjat deri më 6 janar 1929, kur Mbreti i SKS-it abrogon parlamentin, anulon kushtetutën (e Vidovdanit) dhe shpall "diktaturën e 6 janarit". "Diktatura e 6 janarit" zgjat deri më 3 shtator 1931, pas së cilës fillon Mbretëria e dytë e SKS-it (e bazuar në Kushtetutën e Shtatorit).


Me vendosjen e rendit të ri kushtetues, Dr. Xhafer Sylejmani sërish vazhdon aktivitetin e tij politik, kësaj rradhe si Senator i zgjedhur në dy mandate. Në këtë periudhë përfaqësimi popullor në Mbretërinë e SKS ndodh në dy nivele: në Senat (46 ulëse) dhe në Parlament (mbi 300 ulëse). Në zgjedhjet e 3 janarit 1932 për Senat, Dr. Xhafer Sylejmani zgjidhet si Senatori i parë dhe i vetëm shqiptar në Mbretërinë e SKS-it. Mandati i tij i parë i plotë si senator zgjat 6 vite, ndërsa në zgjedhjet e 12 nëntorit 1939 rizgjidhet senator për herë të dytë.


Gjatë mandatit të tij si senator Dr. Xhafer Sylejmani angazhohet për mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Ai kritikon ashpër mënyrën e zbatimit të reformave agrare në jug të cilat nuk u ofronin kompenzimin e paraparë me ligj pronarëve të cilëve shteti ua konfiskonte tokat. Në lidhje me këtë temë, në seancën e 14-të të rregullt të Senatit, të mbajtur me 23 mars 1937 në Beograd, ai i drejtohet Senatit me fjalët:


“Zotërinj,

Nuk mund të them asgjë tjetër në lidhje me atë vërejtje, përveç se unë i përmbahem me përpikëri ligjin. Sa i përket kompensimit [...] është e vërtetë që shumë veta më ankohen se kjo është një shumë e vogël dëmshpërblimi [...]

Nëse kompensimi i dhënë është i vogël, siç parashikohet aty, atëherë kompensim shtesë do të shpërndahet proporcionalisht për palët e interesuara dhe pronarët.

Kam kërkuar vetëm të mos shkelet ligji!. Nëse ka shkelje të ligjit, raportoni një rast konkret dhe unë do të bëj pjesën time për të mbrojtur ligjin.”


Këto reforma më vonë do të vlersohen si “gjenocid ekonomik” mbi popullatën vendase. Kjo çështje e prekte më së shumti popullatën e Banovinës së Vardarit, kryesisht shqiptarët dhe muslimanët të cilët mereshin me veprimtari bujqësore.


Mandati i dytë si senator, Dr. Xhafer Sylejmanit, i ndërpritet me 6 prill 1941 kur Mbretëria SKS-it okupohet nga Forcat e Boshtit në Luftën e Dytë Botërore.


Në periudhën e Luftës së Dytë botërore fillon një epokë e re në veprimtarinë politiko-kombëtare të Dr. Xhafer Sylejmanit. Në këtë periudhë Tetova bëhet pjesë e “Tokave të Lirueme” nën administrimin e Mbretërisë së Shqipërisë (e cila ishte protektorat nën pushtimin Italian).

Duke marrë parasysh përvojën e tij politike dhe statusin shoqëror, Dr. Xhafer Sylejmani emërohet Kryetar Bashkie në Nënprefekturën e Tetovës, dhe si bartës i pozitës më të lartë administrative në rrethinë vihet në shërbim të politikave kombëtare të cilat synonin përforcimin e elementit shqiptar në këto troje.


Kjo paraqet një kthesë historike dhe një nga periudhat më të lëvdishme për qytetin e Tetovës. Në këtë periudhë ndërmerren një sërë aktivitete patriotike me përkrahje të qeverisë qendrore, me ç’rast fillon hapja e shkollave dhe kurseve të gjuhës shqipe për të luftuar analfabetizmin dhe për të kultivuar indin kombëtar tek shqiptarët e “tokave të lirueme” të cilët kishin qenë nën administrimin e Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë Jugosllave me dekada të tëra. Rol kyç në këto përpjekje luan Ministri i Arsimit Ernest Koliqi, i cili dërgon mbi 200 arsimtarë normalistë drejt “tokave të lirueme”. Në shenjë mirënjohjeje për këtë, më 3 shtator 1941, Dr. Xhafer Sylejmani i dërgon një telegram Ministrit të Arsimit Ernest Koliqi, ku shkruan:


“[...] populli i Tetovës falënderon me gjith zemër shkëlqesin t’Uej për dhuratën e çmueshme që i dërgoj këtij trualli Shqiptar por të pa fat deri tash, përujtësia, aktiviteti e urrëtija e mësuesvet Shqiptar ashtë çmue fort. Lutemi sa ma parë që këjo vepër të vazhdohet me çeljen e Shkollavet të rregullta.”


Me këtë letër, Dr. Xhafer Sylejmani përcjell falënderimet e popullsisë vendase për realizimin e kurseve verore të gjuhës shqipe, dhe kërkon hapjen e Shkollave të rregullta.


Përveç se në rrafshin kombëtar, aktivitetet e Dr. Xhafer Sylejmanit në krye të Bashkisë së Tetovës shtrihen edhe më gjërë. Në korrik 1941, Dr. Xhafer Sylejmani pranon një letër nga Kryegjyshi Botëror i Bektashive me seli në Tiranë, Sali Niazi Dede, në të cilën shkruan:


“Biri t’onë i ndershëm Z. Doktor!

[...] Doktor, sot ka ardhë koha për të shpëtuar ay Dergjahu i ynë; aty zotrote me gjith ato dashamirtë të keni një masbata me firma të popullit të kërkoni nji Baba për në Teqen e Tetovës. Prej ktej Kryegjyshatës Bektashiane. [..]”


Me këtë letër Sali Niazi Dede kërkon mbështetjen popullore dhe institucionale nga Dr. Xhafer Sylejmani për ripërtrijen e veprimtarisë kulturore-fetare në Teqen Harabati në Tetovë. Fill pas kësaj, pasi ndërmerren hapat e nevojshme, si klerik në Teqen e Tetovës emërohet Baba Qazim Bakalli, dhe teqeja rinis aktivitetin e saj.


Akitiviteti kombëtar-politik i Dr. Xhafer Sylejmanit kulmon në korrik 1943, kur organizon pritje madhështore me rastin e vizitës së krerëve të shtetit shqiptar dhe Mëkëmbësit të Përgjithshëm të mbretit, Gjeneralit Alberto Pariani, në Tetovë. Në atë kohë Mëkëmbësia e Përgjithshme (italisht: Luogotenenza Generale) ishte organi më i lartë i administratës në Shqipëri; Në këtë vizitë mëkëmbësin Pariani e shoqëronin Kryeministri i Shqipërise Mustafa Kruja, Ministër Sekretar Shteti i Punëve Botërore Iljaz Agushi, Ministër sekretar shteti për Arsimin Ernest Koliqi dhe të tjerë. Vizita e këtij niveli paraqiste një gëzim të veçantë për popullatën vendase. Krerët e shtetit u pritën me nderimet më të larta, me ç’rast shumë qytetarë nga Tetova dhe komunat përreth dolën në pritje për të shprehur nderimet e tyre. Me rastin e kësaj vizite, anëtarët e delagacionit shtetëror dhe Dr. Xhafer Sylejmani mbajtën fjalime. Më pas ky aktivitet do të citohet si një ndër arsyet kryesore për burgosjen e Dr. Xhafer Sylejmanit nga pushteti Komunist Jugosllav.


Mandati i Dr. Xhafer Sylejmanit si Kryetar i bashkisë së Tetovës përfundon në 24 nëntor 1943, kur në moshën 65 vjeçare pensionohet nga jeta politike dhe udhëheqjen e bashkisë së Tetovës ia dorëzon Avokatit Shaip Kamberi. Shaip Kamberi do të qëndrojë në krye të bashkisë së Tetovës deri në 19 nëntor 1944, kur pas fitores së Partizanëve mbi Ballistët Tetova bëhet qyteti i fundit në Maqedoni që bije nën pushtetin Komunist Jugosllav.


Menjëherë pas vendosjes së regjimit Komunist në Tetovë, fillon burgosja, vrasja, dëbimi dhe konfiskimi i pronave të shqiptarëve. Fillimisht, Dr. Xhafer Sylejmanit i shqiptohet dënim me kusht (1 vjet në 3 muaj) nga Gjykata Ushtarake në Zonën e Tetovës. Më pas, me urdhër të Komandës së Zonës së Tetovës ai mobilizohet si mjek në periudhën prej 21 nëntor 1944 deri 22 qershor 1945.


Persekutimi i tij fillon në shkurt 1946. Kur mes 11 dhe 14 shkurt 1946 i bastiset shtëpia. Ndërsa në 15 shkurt 1946, në moshën 67 vjeçare, gjyqi komunist e dënon Dr. Xhafer Sylejmanin me 6 vite heqje lirie dhe 2 vite humbje të të drejtave qytetare dhe politike. Dënimin me burg do ta kryej në burgun e Idrizovës. Në aktgjykimin e tij si arsye kryesore për dënim përmendet "bashkëpunimi i ngusht me krerët е qeverisë së Shqipërisë dhe roli i tij si faktor kyç" në zbatimin e politikave të qeverisë shqiptare në Tetovë. Ai akuzohet për "kryerjen e veprës kundër shtetit dhe popullit", pasi që "ka vendosur autoritetin e tij si ish-deputet dhe senator në shërbim të okupatorit".


Pas burgimit të tij fillon një periudhë sfiduese edhe për familjen. Në 6 tetor 1948, gruaja Safija kërkon lirimin me kusht të Dr. Xhafer Sylejmanit duke dhënë si arsye moshën e shtyer, shëndetin e rënduar dhe faktin që do të ishte i dobishëm për popullatën në qoftë se i lejohet të ushtrojë profesionin e tij si mjek. Kjo kërkesë dhe kërkesa të tjera nga familja nuk merren parasysh dhe refuzohen nga Gjykata Komuniste. Në vitin 1950 ndërron jetë gruaja e tij Safija, dhe Dr. Xhafer Sylejmani lirohet me kusht nga burgu i Idrizovës (7 prill 1950). Përderisa është në liri, edhe pse në moshë të shtyer (72 vjeç) ai kërkon leje për të ushtruar profesionin e mjekut, por kjo kërkesë i refuzohet. Pas përfundimit të lirimit me kusht, me 18 nëntor 1951 ai kthehet në burgun e Idrizovës për të kryer pjesën e mbetur të dënimit.


Dr. Xhafer Sylejmani ndërron jetë me 17 nëntor 1953 në moshën 74 vjeçare dhe varroset në varrezat e qytetit të Tetovës me nderime dhe respekte nga bashkëqytetarët e tij. Ai si trashëgimi len veprat që ishin në shërbim të kombit dhe popullit.

Ashtu si shkruan edhe në epitafin e tij, Dr. Xhafer Sylejmani me të vërtetë “gjith jetën e tij ia kushtoi mbarëvajtjes së popullit si dhe familjes së vet.”

Figura e Dr. Xhafer Sylejmanit mbetet një nga figurat më interesante të hapësirës dhe kohës gjatë së cilës veproi. Ai jetoi në periudha turbulente në mes dy luftërave botërore kur hapësira ballkanike përjetoi ndryshime të shumta të administratave dhe sistemeve politike. Përskaj rrethanave sfiduese, Dr. Xhafer Sylejmani arriti të zhvillojë veprimtarinë e tij e cila shtrihej në rrafshin profesional, politik, sipërmarrës, dhe mbi të gjitha atë kombëtar. Kjo është një veprimtari shembullore nga e cila të gjithë mund të nxjerrim mësime për jetën tonë.

Përmes veprës së Dr. Xhafer Sylejmanit ne mësojmë edhe për Tetovën. Si është e mundur që qysh para 100 vitesh Tetova ka pasur bankën e vetë dhe një shoqatë aksionare që ka ndërtuar hidrocentral? Përse Mëkëmbësi i mbretit dhe krerët e qeverisë së shqipërisë vendosin të vizitojnë pikërisht Tetovën? Kësisoj, Tetova paraqitet si një qytet kyç që ofron kushtet dhe rrethanat e nevojshme për zhvillimin e një veprimtarie të tillë. Kjo dëshmohet më vonë edhe përgjatë historisë më të re kur Tetova i paraprinë një sërë lëvizjeve me rëndësi kombëtare.


Edhe pse Tetova është kryefjala në jetën dhe veprën e Dr. Xhafer Sylejmanit, figura e tij mbetet relativisht e panjohur për Tetovarët. Kjo shpjegohet me faktin që në Tetovë nuk ndodhet ndonjë shenjë që përkujton veprën e tij. Gjithashtu shumica e personave të cilët kanë jetuar në periudhën kur ai ka vepruar nuk janë më në mesin tonë; ose janë shpërngulur në Turqi gjatë viteve të 50-ta, me çka vetëdija dhe kujtesa kolektive ka pësuar. Në këtë kontekst, barra më e madhe bije mbi institucionet shtetërore që të ndërmarrin aktivitete përkujtimore për të nderuar veprat e personave të cilët kanë lënë gjurmë në historinë tonë.


“Një komb e zbulon veten jo vetëm nëpërmjet të njerëzve që i prodhon, por edhe nëpërmjet të njerëzve që i nderon dhe që i kujton.” -- John F. Kennedy, me rastin e fjalimit në nder të poetit Robert Frost (26 tetor 1963).


Në fund, në emrin tim dhe në emër të familjes falënderoj Z. Ismail Arsllani, Z. Fadil Lushi, Z. Ferhan Mertol, Prof. Salajdin Salihu, Prof. Nebi Dervishi, Prof. Ismet Jonuzi-Krosi, Prof. Masar Kodra, Prof. Fejzulla Shabani, Prof. Vebi Xhemaili, Prof. Ali Vishko, Dr. Rifat Palloshi, anëtarët e Organizatës HUTA dhe Muzeu Virtual i Tetovës / Виртуелен Музеј на Тетово, dhe autorë të tjerë, të cilët nëpërmjet hulumtimeve dhe shkrimeve të tyre e kanë mbajtur gjallë figurën e Dr. Xhafer Sylejmanit.