Koxha Rexhep Pasha / Коџа Реџеп Паша

Koxha Rexhep Pasha dhe Themelimi i Pashallëkut të Tetovës - Prof.Dr. Ali Vishko

Djali i madh i Dervish Shalës – Hasan Shala, të birin e vetëm Rexhepin, pati mundësinë që të shkollonte në Akademinë Ushtarake në Stamboll. Rexhep Shala me mbarimin e akademisë në fjalë, fitoi gradën e oficerit dhe, si i tillë mori pjesë në Luftën Austro-Turke. Në këtë luftë Rexhep Shala tregoi zotësi të madhe dhe ishte dalluar; prandaj për këtë ai fitoi gradën e pashës. Pas kësaj, si I tillë, Rexhep Pasha dërgohet në Tetovë për pashë dhe, me atë rast në dekadat e para të shekullit XVIII dhe formohet Pashallëku i Tetovës, ndërsa Tetova me rrethinën transformohet në pashallëk. Qysh në fillim të administrimit me Pashallëkun e Tetovës, Rexhep Pasha ndërmorri aksione për zgjerimin e territoreve të Pashallëkut. Rexhep Pasha më vonë, pas kryerjes së një shërbimi në Vilajetin e Selanikut, dërgohet në Bagdad, për shuarjen e trazirave në këtë vend. Në ato trazira Rexhep Pasha humbi dhe jetën. Rexhep Pashën në krye të Pashallëkut të Tetovës e zavendësoi I biri I tij – Hasan Pasha. Hasan Pasaha në kohën e administrimit me Pashallëkun e Tetovës angazhohet për rregullimin, ngritjen dhe përparimin e këtij pashallëku; për nevojat shtetërore, publike, kulturore, fetare, hugjienike e të tjera, ai në atë kohë ngriti shumë godina. Pas vdekjes së Hasan Pashes në Pashallëkun e Tetovës vjen deri në trazira. Meqenëse Hasan Pasha nuk la trashëgimtar direkt që të zëvendësonte atë në krye të Pashallëkut të Tetovës, me qëllim të copëtimit të ketij pashallëkut u çuan pashai i Shkupit e disa bejlerë. Por, Sulltani nuk lejoi copëtimin e këtij pashallëku dhe për pashë në Pashallëkun e Tetovës u emërua një nip i Hasan Pashës, i quajtur sipas emrit të të atit të tij – Rexhep Pasha. Për meritat të shumanshme pashai në fjalë u quajtë Koxha Rexhep Pasha ose i Madhi Rexhep Pasha.

Koxha Rexhep Pasha në krye të Pashallëkut të Tetovës, sa neve është e njohur, përmendet për të parën herë në dekadën e tetë të shekullit XVIII(1770vj.) me rastin e pjesëmarrjes së tij në luftat e Perandorisë Osmane në anën e Sulltanit. Koxha Rexhep Pasaha qysh në fillim të administrimit të vet u angazhua për zgjerimin territorial të Pashallëkut të Tetovës. Me qëllim të përfshirjes së Gostivarit me rethinë nën këtë pashallëk, Koxha Rexhep Pasha, kunder administruesit të Gostivarit dërgoi ushtrinë e vet nën komandën e Islam Aga Pipuncës. Deri në luftën vendimtare erdhi te fshati Reçicë, ku administruesi i Gostivarit – Delibash Topall Beu aty pësoi disfatë e u vra, ndërsa zotërimet e tij kaluan nën Pashallëkun e Tetovës.

Koxha Rexhep Pasha me gruan e pare Hymijen kishte 3 djem dhe 2 vajza Abdurrahmanin, Veliun Xheladinin dhe Fatime hanëm dhe Mynyre hanëm. Lidhur me shuarjen e Kryengritjes së Parë Serbe, Koxha Rexhep Pasha sipas urdhërit të Sulltanit, me repartet e veta ushtarake mori pjesë në luftën kunder kryengritësve serbë. Pas kësaj lufte, pashai I Pashallëkut të Tetovës ishte dërguar prej Sulltanit në Greqi, për shuarjen e Kryengritjes Greke. Me shuarjen e kësaj kryengritjeje, ku ai tregoi sukses të mirëfilltë, ai – Koxha Rexhep Pasha kthehet në Tetovë, dhe bashkë me vehte solli dhe dy vetë të tjerë, sic ishin Bexheti dhe motra e tij – Emine hanëmi. Pas kësaj, Koxha Rexhep Pasha edhe Emine hanëmin e bëri për grua, me cilën pati dy djem – Havziun e Hasanin.

Koxha Rexhep Pasha në këtë pashallëk formoi dhe një sistem special të administrimit. Në krye të hierarkisë qeveritare qëndronte Pashai vetë si administrues fuqiplotë. Si ndihmës të parë pranë vehtes mbante një “Aga”, i cili e kishte postin e mëkëmbësit të pashait e, njëkohësisht pushtetin e plotësues të administratës civile e ushtarake. Nga agallarët e Koxha Rexhep Pashës përmenden Islam Aga, Ismail Aga Pipunca, Sulo Aga Zërze etj. Për nevojat e ndryshme ushtarakem të administratës civile, gjyqësore, arsimore, fetare e të tjera, në Pashallakën e Tetovës, falë të ardhurave të shumta që mblidheshin në arkën e Pashait, u ngritën në këtë vend dhe më shumë godina në atë kohë dhe veçanërisht në qendër të Pashallëkut – në Tetovë; u meremetuan e u regulluan më shumë godina ekzistuese etj. Nga ajo kohë, pervec të tjerash, është për tu përmendur Kalaja e Tetovës, fortifikatë e njohur strategjike, që filloi të ndërtohet në kodrën Ball – Tepe në vitin 1796, mbi mbeturinat e një kështjelle të vjetër ilire. Në atë kohë me ndihmën materiale e me angazhimin e Koxha Rexhep Pashës, u bë dhe meremetimi, përmisimi, zgjerimi e pasurimi i Teqes Harabati në Tetovë – qendër mirë e njohur e kultit Islam të sektit Bektashian dhe vatër e kulturës dhe të arsimit të kësaj ane, e më gjerë. Në atë kohë për nevojat ushtarake, administrative, të banimit të punësuarve në punët shtetërore në Pashallëkun e Tetovës e të tjera në pjesën e poshtme të qytetit ishin ngritur katër konaqe (pallate) të mëdha; konaku i parë ishte oborri i madh i Havzi Pashës, i dyti ishte një obor i vërtetë katërkëndësh i rethuar me mur të lartë me frangji dhe në oborrin e kësaj godine ishte kazerma, shtalla e kuajve një konak I ndrequr prej guri si dhe një galeri e gjërë e ngritur prej druri; konaku I tretë ishte një ndërtesë katërkëndëshe, e lyer me gëlqere dhe e stolisur nga jashtë me lule të pikturuara, e cila ishte haremi i Pashës; konaku i katërtë ishte përball konakut të tretë, dhe në të jetonin oficerët, sipas shënimeve të udhëpërshkruesit freng – Ami Bue, i cili në atë kohë e kishte vizituar Tetovën, Abdurrahman Pasha paska dhe një konak veror, ku pashai në fjalë e paska pritur Ami Buen. Sa dihet konaku veror i Abdurrahman Pashës ishte një ndërtesë brenda kompleksit të Teqes Harabati, e cila ishte godina ose objekti “Shtëpia verore”.

Nga fundi I jetës së vet Koxha Rexhep Pasha në Tetovë ngriti dhe Orën e Qytetit(Kulla e Sahatit).

Koxha Rexhep Pasha gëzonte autoritet të madh në meset e popullatave të ndryshme që jetonin në Pashallëkun e Tetovës. Për meritat e shumta të ndryshme që pati, Sulltani Koxha Rexhep Pashën e quante urdhërues i urdhëruesve dhe ketij i pat dhënë titullin e zyrtarit të lartë – “mirmiran”, që do të thotë beu i bejlerëve ose bejlerbeu; me këtë post dhe titull ai krahasohej me administruesin e Rumelisë. Koxha Rexhep Pasha ndëroi jetë në vitin 1822 në Tetovë dhe varri i tij gjendet në Tyrben e Harabati Baba Teqes(Konaku dimëror i Teqes). Pas vdekjes së Koxha Rexhep Pashës, Pashallëkun e Tetovës e trashëgoi djali i tij më i madhi – Abdurrahman Pasha.