Mësuesi dhe atdhetari i shquar, Jonuz Ymer Balla, ka lindur në vitin 1922 në fshatin Molis të Elbasanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen Normalen e Elbasanit. Nga viti 1938-1940 studioi pedagogjinë në Itali, që më pas të emërohet mësues në shkollën fillore të fshatit Bërzeshtë të Qarkut të Elbasanit.
Pas kapitullimit të Mbretërisë jugosllave, ku siç dihet pjesa më e madhe e tokave shqiptare iu bashkuan Shqipërisë, Qeveria shqiptare rëndësi të veçantë i kushtoi hapjes së shkollave shqipe në ato toka të liruara. Për këtë qëllim, nga ana e Ministrisë së Arsimit, më 23 qershor 1941 u lëshua një qarkore deri te inspektoratet e arsimit, në të cilën kërkohej që në baza vullnetare të hartojnë lista të arsimtarëve, të cilët siç thuhet në të: “çfaqin dëshirën e tyne me u transferue në vendet e shlirueme…”. Nga raportet e inspektorateve përkatëse, qartë shihet se një numër i madh i arsimtarëve (në mesin e tyre edhe Jonuz Balla), me kënaqësi e kishin pranuar të punonin në viset e çliruara, ku brenda një afati të shkurtë kohor numri i tyre arriti mbi 150. Të gjithë ata u vendosën nëpër qendra më të mëdha të Tokave të Liruara, duke hapur kurse verore në gjuhën shqipe. Këto kurse ndikuan pozitivisht te mbarë popullsia shqiptare e këtyre viseve, e cila krahas kurseve kërkonte hapjen sa më parë të shkollave të rrgullta kombëtare shqiptare. Lidhur me këtë, kryetari i Bashkisë së Dibrës, Shemsi Hatipi, i shkruante prefektit të Prefekturës së Dibrës, Lale Koçit, se “shumë persona nga parija e qytetit na janë drejtue tue kërkue me ngulm hapjen e shkollavet në këtë vend”. Një kërkesë e tillë, sipas Hatipit, ishte e arsyeshme, sepse siç thekson “…populli i këtij vendi, që, ma në fund, e mërrini ditën me jetue në diellin e ngrohët të lirisë, ka nevojë të ngutëshme me u ushqye me atë Kulturë, qi pat mungue, po thue, prej shekujsh e me çranjosë çdo vragë helmuese të kulturës sllave…”. Letra të tilla u dërguan edhe nga shumë personalitete tjera politike e intelektuale shqiptare, si Dr. Xhafer Sulejmani, paria e fshatit Labënishtë të Strugës, Rexhep Mitrovica etj. Për rrjedhojë, më 1 tetor të vitit 1941, Këshilli i Administratës pranë Ministrisë së Arsimit, solli vendim për hapjen e 116 shkollave fillore kombëtare në ato toka. Në të ndër të tjerave thuhej:
“…Transferimin e nevojshëm të personelit mësimuer…, nga shkollat e Shqipnis së përparshme në këto shkolla kombëtare, qi për herë të parë po hapen në viset e lirueme: Administrimin e Arsimit Filluer në Kosovë e Dibër tue hapë pesë Inspektori me qendra në Prizrend, në Pejë, në Prishtinë, në Dibër të Madhe dhe në Tetovë; Dekretimin e hapjes së shkollavet të sipërshënueme nga ana e Titullarit të Ministris s’Arsimit…etj.”.
Pasi u kryen të gjitha parapërgatitjet e duhura, përfshi këtu edhe transportin e organizuar nga Ministria e Arsimit, në pjesën e parë të muajit nëntor rreth 200 mësues anë mbanë vendit që nga Gjirokastra e deri Shkodër hapën shkollat e para shqipe në Tokat e Liruara. Në telegramin qarkor drejtuar inspektorateve të arsimit fillor të: Beratit, Peshkopisë, Durrësit, Kukësit, Elbasanit, Shkodrës, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës, ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, në mënyrë të qartë e të prerë do të shprehet: “Personelit t’Arsimit Filluer të transferuem në Kosovë e Dibër, nuk i merret asnji arsye parasysh për mos-paraqitje në detyrën e re. Lutjet qi kanë parashtrue mbeten pa veprim. Më 10 Nënduer nisja e tyne duhet të ketë marrë fund. Në këtë ditë lajmroni se cilët nuk kanë dashë me u nisë gja qi do të konsiderohet si kundërvajtje urdhnit të dhanë”.
Ndërkohë, në prag të nisjes së mësuesve shqiptarë në kryerjen e misionit të tyre të shenjtë, Ernest Koliqi, përmes një qarkore ua përcolli këto porosi: “Mos me u përzi në çashtje politike, fetare e minoritare; mos me u përzi në çashtje lokale a po administratash të tjera; me u-pru mirë me popull e me ja fitue zemrën këtij me punën t’uej të naltë të zbatueme me mend e me themel si brenda edhe jashtë shkollës; me i trajtue nxansit e nxanset me dashtuni atnore dhe në mënyrën ma të përsosun të nji edukatori, tue i ndihmue me durim qi të kapërcejnë vështirësitë e fillesës e veçanërisht në mësimet e para; me jetën t’uej private të rregullt e të ndershme të jeni shembulla ma e përsosun e vetive burrnore të shqiptarit të kulturuam”.
Këtij misioni të shenjtë të iniciuar nga Ernest Koliqi, iu bashkua edhe mësuesi, misionari, nacionalisti dhe atdhetari i shquar shqiptar, Jonuz Balla. Së bashku me të nga Elbasani u kyçën edhe 23 mësuesë dhe mësuese, si: Mehmet Gjevori, Hysen Abdi Hoxha, Qamil Kopani, Ali Tenhaj, Thanas Caku, Faik Pajuni, Alipi Pajuni, Hysen Pajenga, Theofan Dokja, Skender Hoxha, Mehmet Karadaku, Myrteza Peza, Hamdi Gani, Osman Lufta, Ahmet Gjyleçi, Skender Haxhihyseni, Abedin Faja, Behxhet Hoxholli, Artemisi Hoxholli, Xhafer Shefki, Sulejman Karai, Kamber Osmani dhe Petrit Hakani. Destinacioni i parë i Jonuz Ballës në Tokat e Liruara, qe fshati Radoshtë i Strugës, duke e hapur shkollën e parë në gjuhën shqipe. Aty punoi deri në përfundim të vitit shkollor 1941/42, që më pas emërohrt drejtor i Shkollëf Fillore “Skënderbeu” në Dibër të Madhe. Paraprakisht, ai hapi kursin verorë në fshatin Mesheishtë të Strugës, në të cilin morën pjesë gjithsej 46 kursistë, prej tyre 23 meshkuj dhe 20 femra. Në fillim të vitit 1944, Jonuz Balla, me vendim të Ministrisë së Arsimit emërohet drejtor në Shkollën Fillore “Skënderbeu” në Tetovë.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, një numër i konsiderueshëm të mësuesve, të cilët kishin ardhur nga viset e ndryshme të Shqipërisë politike si: Jonuz Balla, Tehla Çela, Mahmut Dumani, Spiro Harilla Theodosi, Sami Lamçe, Pjetër Kavaja, Josif Todi etj., do të vazhdojnë të punojnë në shkollat shqipe të këtyre viseve shqiptare. Kështu në vitin shkollor 1944/45, Jonuz Balla qe emëruar drejtor i Sh.F. “Skënderbeu”, që ishte shkollë e vetme në gjuhën shqipe në qytetin e Tetovës, në të cilën detyrë qëndroi deri sa ai u arrestua nga ana e organeve të UDB-së jugosllave, në muajin korrik 1946.
Ndërkohë, në një konferencë të drejtuesve dhe inspektorëve qarkor të arsimit, e cila u mbajt në qershor të vitit 1945 në Shkup, u vu në dukje nevoja e ndihmës dhe kontrollit më të shpeshtë të shkollave shqipe, për çka u kërkua emërimi i referentëve për ato shkolla. Për rrjedhojë, Ministria e Arsimit, emëroi katër referentë të shkollave shqipe: Mahmut Dumani, referent, i shkollave shqipe për rrethin e Shkupit; Jonuz Balla, referent i shkollave shqipe për rrethin e Tetovës; Sami Lamçe, referent i shkollave shqipe për rrethin e Gostivarit dhe; Enver Paluki, referent i shkollave shqipe për rrethin e Strugës.
Është e rëndësishme të theksohet se detyrën e referentit, Jonuz Balla, sikurse edhe tre referentët tjerë, e kryente në mënyrë plotësuese, ndërkohë vazhdonte ta mbante detyrën e drejtorit të shkollës. Gjatë pushimeve verore të viteve shkollore 1945/1946 dhe 1946/1947, Jonuz Balla, së bashku me dhjetë mësuesit tjerë punoi si pedagog në kurset e mësuesisë të cilët qenë hapur në Shkup për krijimin e kuadrit mësimor për shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe. Kjo shihet nga urdhëri i ministrit të Arsimit, Nikolla Minçev, i lëshuar më 24 qershor 1946, ku thuhet shprehimisht:
“Në pajtim me vendimin nr. 1715/1946 të Ministrisë së Arsimit për organizimin e kurseve pedagogjike tremujore për mësues në shkollat shqipe për ligjërues të të njëjtit caktoj këta persona:
Telha Çela- referent pranë Ministrisë së Arsimit
Mahmut Dumani – referent për rrethin e Shkupit
Jonuz Balla- referent për rrethin e Tetovës
Sami Lamçe- referent për rrethin e Gostivarit
Enver Paluki- referent për rrethin e Strugës
Hikmet Kasapi- mësimdhënës në gjimazin e Tetovës
XhevairVeseli- mësimdhënës në gjimazin e Tetovës
Idriz Salimi- mësimdhënës në gjimazin e Gostivarit
Xhafer Narazani – drejtues në shkollën shqipe në Strugë
Josif Todi – drejtues në shkollën shqipe në Manastir
Remzi Papraniku – mësues në qytetin e Dibrës”.
Duhet theksuar se falë Jonuz Ballës si dhe disa mësuesve dhe intelektualëve tjerë të Tetovës, si Xhevair Shaqiri, Hysni Abdullau, Nexhmedin Besimi, Sadudin Gjura etj, në vitin shkollor 1945/46, pranë gjimnazit të Tetovës u hapën edhe paralele me mësim në gjuhën shqipe, ku si mësimdhënës të atyre paraleleve ishin: Jonuz Balla, Xhevair Shaqiri (Veseli), Hikmet Kasapi etj.. Në vitin e parë shkollor 1945/46, në gjimnazin e Tetovës, u pranuan gjithsej 96 nxënës, të shpërndarë në tre paralele. Në dhjetor të vitit 1945, në Shkup themelohet Komisioni Kulturor-Arsimor Shqiptar, i cili vepronte në kuadër të Frontit Popullor. Nismëtarë për themelimin e tij ishin intelektualët e atëhershëm shqiptarë: Pjetro Janura, Mahmut Dumani, Jonuz Balla, Azem Marana, Murteza Peza, Osman Miftari, Ali Shehu etj. Ndër detyrat më të rëndësishme të Komisionit ishin: botimi i broshurave dhe i librave në gjuhën shqipe; hapjen e një numri sa më të madh të kurseve kundëranalfabetike; mbledhja e materialit për folklorin shqiptar etj.. Gazeta e atëhershme në gjuhën shqipe, “Flaka e Vëllazërimit”, më 3 janar 1946 shkruante: “Më 23 dhjetor 1945 në Shkup u formua Agit-Propi-shqiptar për të gjithë Maqedoninë. Qëllimi i këtij Agit-Propi asht që të përpiqet me sa të mundet që masat shqiptare të këtyne anëve të ngrihen sa ma nalt nga pikëpamja kulturo-arsimore”.
Në fillim të vitit 1946 Komisioni Kulturor Shqiptarë formoi degët e veta në Shkup, Tetovë, Gostivar dhe Dibër. Dega e Tetovës udhëhiqej nga Dhimitër Shuli, Jonuz Balla, Xhevair Shaqiri, Murteza Kadzadej etj. Kjo degë, siç informonte “Flaka e Vëllazërimit”, në fillim të muajit prill 1946, organizoi një konferencë me temën: “Rëndësia e arsimit dhe përgjegjësia e mësuesit”. Në numrin e njëjtë, gazet a, botoi një artikull të Jonuz Ballës, me titull: “Disciplina në shkollën fillore”, ku ndër të tjerave ai shkruante, se qëllimi kryesor i shkollës ishte “formimi i njeriut shpirtnisht (psiqikisht), fizikisht dhe moralisht”.
Ky qëllim sipas tij arrihet “…me anë të ushtrimeve trupore e të njohunive sistematike që kanë për qëllim zhvillimin e inteligjencës dhe formimin e karakterit, në mënyrë që të bahen të vlefshëm për vehte, familje e shoqni. Të trija konditave të sipërme, shkruan më tej Balla, zhvillimit fizik, psiqik dhe moral u arrihet me anë të punës së pa preme që zhvllojnë puntorët idealist të shkollave t’ndryshme, e ma tepër shkollat fillore…”. Në vazhdim Balla skruan se, mësuesi duhet të futet në klasë i përgatitur mirë dhe të mbaj disciplinën e nevojshme, e cila nuk mund të mbahej përmes përdorimit të shkopit, i cili duhej lënë jashtë përdorimit “si një mjet i vjetërsuem i edukatës dhe vendin e tij ta zënë durimi, dashunija dhe shembulla e mirë para nxanasve”.
Përveç se në fushën e arsimit, veprimtaria e Jonuz Ballës sikurse edhe një plejade të mësuesëve shqiptarë, gjatë viteve 1945-1946 shquhet edhe në Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), e cila organizatë në programin e saj pati “çlirimin e Kosovës dhe të Trevave Lindore nga pushtuesit e ri komunistë jugosllavë dhe krijimin e Shqipërisë Etnike properëndimore”. Themelues dhe udhëheqës të NDSH-së, ishin pikërisht mësuesit e atëhershëm shqiptarë, si: Azem Marana, Hasan Bilalli, Mahmud Dumani, Jonuz Balla, Spiro Harilla – Theodosi, Jetish Vishi, Xhevahir Shaqiri, Hysni Abdullau, Sadudin Gjura e shumë të tjerë. Veprimtaria e Jonuz Ballës, por edhe të gjithë atyre mësuesëve shqiptarë nga Shqipëria e vjetër, të cilët nga viti 1941 u vendosën në këto treva, me një mision të vetëm por të shenjtë – ngritjen e vetëdijes kombëtare te popullsia shqiptare e këtyre trevave, e cila për shkak robërisë tridhjetvjeçare, pothuajse nuk ekzistonte fare, më së miri përshkruhet në elaboratin e hartuar në vitin 1953 nga ana e UDB-së maqedonase, ku thuhet shprehimisht: “…Inteligjencia që erdhi gjatë kohës së okupacionit dhe ajo që erdhi pas çlirimit, ishte bartësja e më shumë ngjarjeve irredentiste dhe shoviniste. Nga këto mësuesë u krijua organizata Nacional Demokratike Shqiptare. Mendimet e veta shoviniste dhe irredentiste mësuesit i përcillnin sistematikisht dhe me shkasthtësi te shtresat. Vetë detyra e NDSH-së ishte: restaurimi i së vjetrës me ndihmën e perëndimit për krijimin e Shqipërisë së Madhe (Etnike – Q.L.)…”.
Një ndër qendrat më të rëndësishme shqiptare, ku veprimtarinë e saj do ta shtrijë ONDSH-ja, pa mëdyshje ishte Tetova dhe rajoni i saj. Aktiviteti i NDSH-së në këtë qendër shqiptare lidhet ngushtë me emrat e intelektualëve dhe nacionalistëve të spikatur shqiptarë të kësaj ane që i prinin: Mehmet Bushi, oficer në armatën jugosllave, me detyrë në Tetovë, Jonuz Balla, referent i arsimit shqip në Tetovë e rrethinë, Hafiz Etem Tahiri, kryetar i Këshillit popullor në qytetin e Tetovës, Nexhmedin Besimi, nga Piroku, jurist i diplomuar, Jetish Vishi nga Vërbani i Vitisë, mësues në fshatin Zhelinë të Tetovës, Xhevair Vejseli (Shaqiri) nga Nerashti i Tetovës, mësimdhënës në paralelet shqipe në gjimnazin e Tetovës, Vejsel Vela nga Gajra e Tetovës, mësues në këtë fshat, Mulla Garipi nga fshatin Grupçin i Tetovës, Abdulla Abdullau, imam i fshatit Zhelinë dhe mik i ngushtë i Mulla Garipit, Shaban Korrita nga Korrita e shumë të tjerë. Iniciativën për themelimin e Komitetit të NDSH-së për Tetovën do ta merr Mehmet Bushi, i cili menjëherë pas takimit që e pati në Shkup me Azem Maranën dhe Qemal Skënderin në vjeshtën e vitit 1945, në Reçicë të Madhe organizoi mbledhje, në të cilën morën pjesë: Hafiz Etem Tahiri, Jonuz Balla, Xhevahir Shaqiri dhe Nexhmedin Besimi. Në mbledhje, Mehmet Bushi, pasi i njoftoi të pranishmit për ekzistimin e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në Shkup, shtoi: “Është momenti i fundit të fillojmë të organizohemi, me qëllim të ngritjes së vetëdijes kombëtare te shqiptarët për bashkimin e kombit shqiptar nga Kosova, Gostivari, Тetova dhe të viseve tjera me Shqipërinë. Për këtë qëllim duhet të formojmë një këshill i përbërë nga njerëz më të mirë e më të besueshëm.”.
Dy apo tre ditë më pas, në shtëpinë e Etem Tahirit, në Reçicë të Madhe, mbahet takimi i dytë ku krahas Mehmet Bushit, Jonuz Ballës, Xhevahir Shaqirit, Etem Tahirit dhe Nexhmedin Besimit marrin pjesë edhe Axha Qamil nga Reçica e Vogël, Vejsel Vela nga Gajra, Esat Sulejmani nga Pirroku e ndonjë tjetër, në të cilën mbledhje u themelua Komiteti i NDSH-së për Tetovën dhe rajonin e saj. Në mbledhje të pranishmit zgjodhën kryesinë e komitetit, kryetar u zgjodh Mehmet Bushi, zëvendëskryetar Jonuz Balla, sekretar Nexhmedin Besimi ndërsa anëtar Hafiz Etem Tahiri. Përveç kryesisë kuvendi vendosi:
“1. Të themelohen nënkomitetet e NDSH-së në të gjitha vendbanimet shqiptare të Tetovës, të cilat do të përbëhen prej 5 vetëve.
Të mblidhen ndihma materiale dhe financiare për mirëmbajtjen e nënkomiteteve, zyrat, shpenzimet e rrugës së korrierëve, të cilët do të mbajnë lidhje me Komitetin e Shkupit dhe komitetin e Gostivarit, e, nëse paraqitet nevoja, edhe në Kosovë.
Të themelohen “çeta ushtarake”.
Për lojalitetin ndaj organizatës, të pranishmit u betuan para Kur’anit, armës dhe flamurit kombëtar. Tekstin e përpiloi dhe e lexoi Mehmet Bushi, ndërsa të tjerët i përsëritnin fjalët e tij. Sipas Etem Tahirit, betimi pati këtë përmbajtje: “Betohem në Perëndi, në Kur’anin famëlartë, në flamurin kombëtar dhe në armë se do të jem besnik ndaj organizatës, se do t’i plotësoj të gjitha detyrat e shtruara nga ana e organizatës edhe jetën do ta jap, ndërsa organizatën dhe anëtarët e saj nuk do t’i tradhtoj”.
Në fund të mbledhjes, u ndanë detyrat të cilat përfshinin aktivitetet në të ardhmen për afirmimin dhe zgjerimin e organizatës në vendbanimet tjera të Tetovës. Kështu, organizimin brenda në qytet do ta udhëheq Jonuz Balla, ndërsa Nexhmedin Besimi së bashku me Axhën Qamil morën përsipër organizimin në anën e djathtë nga Tetova për Gostivar, përkatësisht fshatrat: Pallçishtë, Kamjanë, Bogovinë, Pirok, Urviç, Gradec, Negotinë, Llomnicë, Gorjanë, Rakovecë; Xhevair Shaqiri anën e majtë, ndërsa organizimin në rajonin e Dërvenit të Epër dhe malin e Thatë do ta bënin Mulla Garipi dhe Shaban Korrita.
Në pranverë të vitit 1946, Azem Marana dhe Hasan Bilalli e angazhuan Mehmet Bushin në formimin e Komitetit të NDSH-së për qytetin e Tetovës, i cili do të veprojë sipas direktivave të Komitetit të rajonit. Themelimi i këtij komiteti ndodhi kah mesi i muajit prill. Për drejtues të komitetit u zgjodhën: Jonuz Balla-kryetar, sekretar Nexhmedin Besimi, anëtarë Ismail Sadiku dhe Xhevair Vejseli. Në kuadër të këtij komiteti u formua agjencia informative si dhe radiostacioni – që e shfrytëzonte KQ i NDSH-së për lidhjet me komitetin e Barit dhe Zonën Operative-I në Greqi. Lidhjet mes komitetit të Tetovës dhe K.Q. të NDSH-së i mbante mësuesi Jetish Vishi, i cili ishte njeriu më i besueshëm i Azem Maranës.
Burimet arkivore bëjnë të ditur se komiteti i NDSH-së në Tetovë, krijoi një rrjet të gjerë të vetin me shumë nënkomitete të cilat në radhët e veta përfshinë mbi 170 anëtarë, shumica e të cilëve ishin intelektual të profileve të ndryshme si mësues, ushtarak, jurista, hoxhallarë etj, ku për nga aktiviteti shquheshin Jonuz Balla, Mehmet Bushi dhe Nexhmedin Besimi.
Ndërkohë, aktiviteti politik i Jonuz Ballës do të zgjerohet edhe në nivelin qendror të NDSH-së. Ai, si njëri ndër anëtarët më besnik të organizatës, u ftua nga Azem Marana, që të merr pjesë në kongresin e II (IV) të NDSH-së, i cili u mbajt më 1 qershor 1946 në Shkup. Në atë kongres u miratuan dy dokumente të rëndësishme për organizatën: “Skema e organizatës” dhe “Programi i Lëvizjes për lirimin e tokave shqiptare”. Kongresi, gjithashtu zgjodhi Sekretariatin e Komitetit Qendror të NDSH-së: Halim Orana – kryetar, Qemal Skënderi – zëvendëskryetar, dhe Azem Marana – sekretar kurse për anëtarë të K.Q. u zgjodhën: Jonuz Balla, Mehmet Bushi, Hamdi Berisha, Hysni Rudi, Mahmut Dumani, Osman Cami, Medat Tërshana, Hasan Bilalli, Haki Efendi Hogoshi.
Në fillim të muajit korrik 1946, KQ i NDSH-së i erdhi një letër prej Gjon Sereçit, i cili kërkonte nga udhëheqja e lartë e organizatës, se si të veprohet me ushtrinë guerile shqiptare, a të qëndronte në Kosovë, apo të kalonte në Greqi. Për rrjedhojë, KQ i NDSH-së vendosi t’i shkruajë një letër konsullit anglezë. Letra e shkrua nga Azem Marana dhe Jonuz Balla në prani të Xhevair Vejselit (Shaqiri), kurse përkthimin nga shqipja në frëngjisht e bëri Jonuz Balla. Teksti pati këtë përmbajtje: “Ekselenca e juaj – konsulli anglez – Shkup, Meqenëse jemi në një situatë të rëndë në mal, pa ushqim, e që paraqet një vështirësi të madhe për ekzistencën e mëtejshme këtu, ju drejtohemi juve për këshilla, se a të qëndrojmë këtu, apo të kalojmë në Greqi. Nëse mendoni që të qëndrojmë, atëherë ju lutemi të na jepni shifrën për punë me radiostacion, që të kemi lidhje me ju”.
Po në këtë periudhë kohore, shërbimi sekret jugosllav OZN-a, arrestoi në Kaçanik, anëtarin e NDSH-së, Hamdi Berishën, i cili siç duket, kishte dhënë informata të shumta për punën e organizatës. Arrestimi i Berishës erdhi falë një agjenti, i cili në fillim të korrikut, me sugjerimin e Shërbimit sekret jugosllav, UDB-së, u bë anëtar i organizatës. Në fakt, e tërë kjo ngjarje ndodhi krejt rastësisht apo thënë ndryshe, falë naivitetit apo papjekurisë së Hamdi Berishës, i cili duke dashur që në organizatë të përfshijë sa më shumë intelektualë shqiptarë, në fillim të muajt korrik e ftoi atë që të përfshihet në organizatë. Në këto rrethana u bë e mundshme zbulimi i tërë rrjetit të NDSH-së dhe si rezultat i kësaj, më 22 korrik, në orët e mbrëmjes, policia maqedonase në Shkup arrestoi Azem Maranën, Hysni Rudin, Mahmut Dumanin, Spiro Theodosin dhe Xhavit Selimin në të njëjtën kohë në Tetovë u arrestuan: Mehmet Bushi, Nexhmedin Besimi, Jonuz Balla dhe Xhevair Vejseli, ndërsa në Dibër: Qeram Zllatku, Osman Cami dhe Gani bej Abdullau. Bastisjet dhe arrestimet nuk do të përfundojnë me këtë, përkundrazi, ata vazhdojnë edhe më tej. Kështu, me 31 korrik në Shkup u arrestuan Galip Raufi dhe Sherif Aliti, një ditë më vonë në Bllacë të Shkupit arrestohet Xhemal Ferra, me 7 gusht Mexhit Zyberi, ndërsa me 12 gusht në Dibër arrestohet edhe Medat Tërshana. Pas arrestimeve që UDB-ja bëri ndaj kreut të KQ të NDSH-së, më 31 korrik 1946, Prokurori Publik i RP të Maqedonisë, Nikolla Vrazhallski, solli vendim, përmbajtja e së cilës ishte me sa më poshtë vijon: “Në pajtim me letrën e UDB-së të RP të Maqedonisë, Procedimi nr. 3991/46 nga data 30. VII. 46, ndërsa mbi bazën e nenit 28 e në lidhje me nenin 127 nga Kushtetuta e RFPJ-së, Prokurori Publik i RP të Maqedonisë, sot më datë 31. VII. 46 solli këtë:
VENDIM
Që kundër personave: Azem Idriz Marana, i lindur në fshatin Maranë, Qemal Alim Skenderi nga qyteti i Shkupit, Jonuz Imer Balla, i lindur në fshatin Palis – Shqipëri, Xhevair Vesel Hoxha (Shaqiri -Q.L.), i lindur në fshatin Nerashtë, Mahmut Hysen Dumani, i lindur në fshatin Bellovë – Shqipëri, Bajram Xheladin Bajrami, i lindur në qytetin e Shkupit, Suat Sulejman Memedi, i lindur në qytetin e Shkupit, Nexhmedin Besim Sezairi, i lindur në fshatin Pirrok, Dalip Arsllan Sadiku, i lindur në qytetin e Shkupit, Haki Rexhep Abdullau, i lindur në qytetin e Shkupit, Ismail Bektesh Veliu, i lindur në fshatin Kërbliç, rrethi i Kaçanikut, Ismail Hamdi Bilalli, i lindur në qytetin e Prishtinës, Seit Abdulla Musai, i lindur në qytetin e Tetovës, Hamdi Abaz Sulejmani, i lindur në qytetin e Shkupit, Isa Jahja Hyseni, i lindur në qytetin e Shkupit, Memed Ali Saliu, i lindur në fshatin Sadovinë, rrethi i Vitisë, Xhavid Abdulla Selimi, i lindur në qytetin e Shkupit, Haki Jahja Zyberi nga fshatin Tanishec, Mehmed Nezir Bushi nga Tetova, Rasim Daut Aliu nga fshatin Raçe, Osman Hamit Cami nga Dibra, Qenan Imer Rusi nga Dibra, Qeram Muhamet Zllatku nga Dibra, Spiro Harilla Theodosi, nga Gjorçe Petrovi, Hysni Muharrem Rudi nga Mitrovica, Jozef Nikoll Bërkiqi nga Janjeva dhe Ismail Shaban Saiti, i lindur në Tetovë, të udhëhiqet procedurë penale dhe në paraburgim të mbahen deri në përfundim të hetimeve, për arsye se të njëjtit kanë zhvilluar veprimtari ilegale antipopullore, me të cilën kanë përgatitur edhe luftë të armatosur kundër pushtetit popullor të tanishëm.
Me vendimin e mësipërm për personat e ndaluar të njoftohet përmes një ekzemplari edhe UDB-j e RP të Maqedonisë.
Prokurori Publik i RP të Maqedonisë /N. Vrazhallski/
Numri i të arrestuarve deri më datë 31 korrik 1946 ishte gjithsej 26, ndërsa ky numër u trefishua gjatë muajve gusht dhe shtator të atij viti. Të gjithë ata u seleksionuan në disa grupe të veçanta. Në grupin e parë u përfshinë 19 të akuzuar, në mesin e tyre edhe Jonuz Balla, për të cilët Vrazhallski vlerësonte se, ishin udhëheqësit kryesor të organizatës. Pas përfundimit të procesi hetimor, më 26 janar 1947, në sallën e madhe të Gjyqit të Qarkut të Shkupit, filloi procesi gjyqësor kundër 19 anëtarëve të Komitetit Qendror të NDSH-së. Kryetar i Gjyqit ishte Panta Marina, ndërsa anëtarë të porotës Tekia Haliti dhe Vejsel Limani. Formalisht të pandehurit u jepej e drejta të kishin palën e tyre mbrojtëse. Kështu Shukri Rama ishte caktuar prej gjyqit avokat mbrojtës i Azem Maranës dhe Qemal Skënderit, ndërsa avokati Anton Pop-Todorov, mbrojtës i Jonuz Ballës, Hasan Bilallit dhe Xhavit Abdullaut, etj.. Rëndësi të madhe këtij procesi i dha Britania e Madhe, e cila e kishte autorizuar konsullin e vet në Shkup, Xhorxh Bruton, të merr pjesë në seancat gjyqësore. Seancat gjyqësore u përcollën edhe nga konsulli i Republikës së Turqisë, Emin Vefa Geçek, si dhe nga agjencitë telegrafike: “Tanjug”, “ATSH”, “Frans Pres”, “Rojters” etj., por edhe nga shtypi jugosllavë e ai shqiptar si: “Borba”, “Nova Makedonija”, “Flaka e Vëllazërimit”, “Rilindja”, “Bashkimi” etj.
Meqenëse Jonuz Balla, figuronte si i akuzuari i shtatë, në pyetje ai do të merret më 30 janar, së bashku me Mehmet Bushin dhe Osman Camin. Përkundër dhunës dhe torturës që e përjetoi gjatë procesit hetimor, Jonuz Balla, sikurse pjesa dërmuese e anëtarëve tjerë të NDSH-së, nuk u thye fare. Përkundrazi, qëndrimin e tij të prerë, në mbrojtje të çështjes kombëtare, e dëshmoi edhe gjatë procesit gjyqësor. Në pyetjen e kryetarit të gjyqit, Panta Marina, se cilat vepra penale i ka kryer dhe cilët kanë qenë motivet për to, Jonus Balla përgjigjet si më poshtë vijon: “Arsyeja themelore që kam pasur një qëndrim të tillë është ajo se gjatë luftës u kemi folur popullit për vetëvendosje, ndërkohë pas çlirimit një pjesë e konsiderueshme, ku jeton popullsia shqiptare ngeli nën Jugosllavi dhe në ato vise nuk u organizua referendum”.
Procesi gjyqësor zgjati deri më datë 4 shkurt 1947, ndërsa më 7 shkurt, në sheshin e qytetit të Shkupit, kryetari i Gjyqit, Panta Marina, në prani të porotëve, mbrojtësve formal, prokurorit publik, si dhe një numri të madh të popullsisë, lexoi dënimet e shqiptuara kundër 19 të akuzuarve, në mesin e tyre figuronte edhe emri i Jonuz Ballës, i cili u shpall fajtor për sa më poshtë vijon:
“a) Është anëtarësuar në Komitetin e dytë të rrethit për Tetovë dhe rrethin e Tetovës, dhe si i tillë është zgjedhur delegat në Kongresin IV të organizatës, mbajtur me 1 qershor 1946 në Shkup, ku mori pjesë aktive në punimet e Kongresit si dhe në aprovimin e Rezolutës së lartpërmendur;
b) Më vonë organizoi dhe udhëhoqi Komitetin për qytetin e Tetovës, ku përveç tij kanë qenë të angazhuar edhe Nexhmedin Sezair Besimi dhe Ismail Seiti, me të cilët zhvilloi disa mbledhje ku dhe u përpunua Rezoluta e Kongresit. Veç tjerash, janë mobilizuar edhe në krijimin e çetave të armatosura, të cilat nën udhëheqjen e tyre do të vepronin në atë territor.
c) Si anëtar i organizatës dhe shumë i afërt me anëtarët e Komitetit Qendror të po kësaj organizate, tok me të akuzuarin Azem Marana dhe me sugjerimin e Qemal Skenderit, në emër të organizatës shkruan një letër në gjuhën frënge, letër e cila shkoi deri te konsulli anglez në Shkup, me përmbajtjen që u tha më lart”.
Në vazhdim, P. Marina, theksoi se i akuzuari Jonuz Balla, me veprimtarinë e paraqitur “ka kryer vepër penale, e paraparë në nenin 3 pika 1, 7, 8 dhe 9 nga Ligji për vepër penale kundër popullit dhe shtetit, lidhur me nenin 2 nga i njëjti ligj”, për çka ai “dënohet me humbje të lirisë, me punë të detyrueshme në kohëzgjatje prej 8 vjetësh, në të cilin t’i llogaritet edhe koha që ka qëndruar në burgun hetues prej 24. 07. 1946, dhe në humbje të të drejtave politike dhe disa qytetare në kohëzgjatje prej 2 vjetësh”.
Pas vuajtjes së dënimit, autoritetet e atëhershme të Shkupit, Jonuz Ballën e dëbuan në Shqipëri, si i papërshtatshëm për regjimin e tyre, apo siç thuhej: “për shkak veprimtarisë së tij armiqësore kundër shtetit dhe popullit”. Se si u prit nga autoritetet e atëhershme komuniste shqiptare, atë më së miri e shohim në intervistën e fundit të Jonuz Ballës, dhënë më 25 dhjetor 2006, gazetës “Panorama”, ku ndër të tjerave ai shprehet: “…Direkt nga burgu në Maqedoni, më futën në burg në Shqipëri. Madje pas përfundimit të dënimit 8-vjeçar nuk kam vajtur as në shtëpi. Këtu më akuzuan si bashkëpunëtor i UDB-së dhe se kisha shkelur kufijtë e Republikës Popullore. Në burg më mbajtën katër muaj e gjysmë dhe më pas më caktuan mësues në Stërmen e Cërrik, ku punova deri në vitin 1971, vit në të cilin dola edhe në pension”.