Organizata për Kulturë dhe Mbrojtje të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore HUTA - Tetovë shpreh shqetësim të thellë lidhur me punimet që po zhvillohen në zonën e ish-Monopolit në Tetovë.
Si organizatë, në mënyrë të vazhdueshme kemi ngritur zërin për rëndësinë historike të kësaj zone dhe kemi kërkuar që aty të vendoset një pllakë përkujtimore në nderim të afër 10,000 shqiptarëve të masakruar nga partizanët jugosllavë. Përkundër thirrjeve tona, deri më sot një iniciativë e tillë nuk është realizuar. Për më tepër, mënyra jo transparente e zhvillimit të punimeve në këtë vend na shtyn të dyshojmë se, edhe nëse do të gjendeshin mbetje mortore të viktimave shqiptare, ekziston rreziku që ato të mos evidentohen apo të mos bëhen publike.
I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore që të ndërhyjnë me urgjencë për të mbikëqyrur procesin dhe për të hetuar ligjshmërinë e lejeve të ndërtimit në këtë zonë.
Kjo kërkesë drejtohet gjithashtu ndaj institucioneve përkatëse të Shqipërisë, Kosovës, si dhe ndaj Ambasadës së SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, me qëllim që të sigurohet respektimi i së vërtetës historike dhe ruajtja e kujtesës kolektive të popullit shqiptar.
Me respekt,
HUTA – Tetovë