Shkruan: Dr.Sc. Ilmi Veliu
Nga e majta – Rexhep Doçi (Kosovë), Luftulla Peza(Shqipëri), Ilmi Veliu (Maqedoni)
Kumtesa që prezentova në Simpoziumin e III’të Ndërkombëtarë: “10 mijë vjet histori – nga Pellazgët tek shqiptarët” në Tiranë, është punim shkencorë që ka të bëjë me gërmimet dhe hulumtimet e mia të gjata në terrenet e Kërçovës e të Pollogut, ku kam zbuluar varre të shqiptarëve të krishterë e myslimanë, të cilët përveç simboleve fetare të besimit, të cilit i përkisnin shqiptarët e varrosur (kryqi apo hëna), mbi pllakën e varrit qëndrojnë të gëdhendur edhe simbolet pellazgo-ilire; dielli mbi dy koka të gjarpërit, besim pagan ky – që sipas hulumtimeve dhe studimeve të deritashme u ka takuar banorëve të lashtë pellazgo-ilir. Ky është një argument i fortë për ne shqiptarët e Shqipërisë Lindore, që më herët kemi qenë në kuadër të Jugosllavisë dhe pas shkatërrimit të kësaj krijese artificiale komuniste, mbetëm në kuadër të Maqedonisë, ku pushteti po edhe historianët maqedonas në enciklopedinë e tyre diskutabile na trajtonë si ardhacakë nga malet e Shqipërisë, pas shek.18, kurse ne, shqiptarët në Maqedoni, siç vërtetohet edhe nga ky studim i imi, jemi popullatë autoktone e lashtë dhe se rrënjët i kemi tek Pellazgo-ilirët. Shqiptari nga Zara e Kroacisë dhe ilirologu më i famshëm i Ballkanit, dhe i Europës – Aleksandër Stipçeviq, po edhe profesori im i nderuar, Muzafer Kërkuti (te i cili kam dhanë provimin për Arkeologji në vitin 1974, para plotë 40 vitesh); thonë se besimi në diellin ka qenë i përhapur tek ilirët e veriut dhe se besimi në gjarpërin ka qenë i përhapur tek ilirët e jugut. Kufiri që ka ndarë Dardaninë me kryeqytet Skupin dhe Penestinë me kryeqytet Uscana është mali Bukovik ose Buka, në mes të Kërçovës e Gostivarit dhe nga hulumtimet e deritashme në terren del se simboli i diellit po edhe i gjarpërit kanë qenë prezent dhe janë përdorur në Dardani po edhe në Penesti. Në Kërçovë – Uskanën e Penestisë ilire po edhe në rrethinat e sajë, si në fshatin Zajaz e Jagoll, kam gjetur pllaka varresh të shqiptarëve myslimanë nga vitet 1750-1800, pllaka këta, të vendosura te koka e të vdekurit, ku në majë të pllakës së mermertë është i gëdhendur dielli mbi dy koka të gjarpërit, simbole këta, që nuk kanë lidhje me besimin Islam, por janë simbole pagane ilire të ruajtura dhe sjellura tek shqiptarët deri në këtë kohë, brez pas brezi, siç janë ruajtur e sjellur edhe tregimet e legjendat tjera.
Diellin si simbol pagan ilir e kemi gjetur edhe tek varret e shqiptarëve të krishterë në rrethin e Kërçovës po edhe në Pollog, ku te koka e të vdekurit qëndron kryqi i cili në të dy anët ka të gëdhendur edhe diellin. Në një fshat të Kërçovës me emrin Dupjan kam gjetur varre kristijane shumë të vjetra ku kryqi i mermertë, në pjesën e sipërme është i rrethuar me një rreth që i përngjan diellit, ose mund të themi se është dielli i cili në mes e ka kryqin, e që poashtu jam i sigurtë se dielli nuk ka lidhje as me besimin e krishterë, sepse simboli i këtij besimi është vetëm kryqi dhe kurgjë tjetër.
Të gjitha këto sqarime që i dhash në lidhje me simbolin e veçantë fetarë Islam apo Kristijan, kanë të bëjnë me përforcimin e tezës dhe mendimit tim se simbolet e vendosura mbi varret e shqiptarëve myslimanë e të krishterë janë simbole pellazgo-ilire dhe se popullata shqiptare i ka ruajtur ndër mileniume, brez pas brezi, duke i gëdhendur edhe te pllakat e varrit mbi kokën e të vdekurit, sepse për shqiptarin këto simbole kanë mbetur si të shenjëta dhe kanë vazhduar të kenë vlera të mëdha dhe të patjetërsuar kombëtare. Me anë të këtyre simboleve të lashta pellazgo-ilire, shqiptarët edhe nga varri kanë dshuar të tregojnë, argumentojnë e dëshmojnë për origjinën e tyre të lashtë pellazgo-ilire. Ata kanë dashur që varret e tyre të dalloheshin nga varret myslimane të popullatës turke, arabe apo boshnjake; dhe varret e shqiptarëve të krishterë të dalloheshin se janë varre shqiptare dhe të mos ngatërroheshin me ata greke, serbe e bullgare, me të cilët kanë qenë të detyruar të luftojnë po edhe të bashkëjetojnë deri në ditët e sotme. Dhe shqiptari duke venë mbi varrin e tij simbolet e lashta fetare pellazgo-ilire, bashkë me simbolet e fesë që ka poseduar, ka dashur që edhe pllaka e varrit të jetë argument e dokument që do tu tregojë gjeneratave ndër shekuj se ai që dergjet në atë varr është shqiptar mysliman dhe nuk është turk, persian e as arab; dhe simbolet në varrin e shqiptarit të krishterë ku dëshmon se i vdekuri është i krishterë por nuk është serb, grek, bullgar por bijë e bir shqiptari.