Sersem Ali Dede pas ngritjes së teqesë Harabati Baba(postim i publikuar më herët) nga teqet e tjera – nga Dimotika, Stambolli e të tjera në Teqen Harabati solli 15 dervishë, për kryerjen e shërbimeve dhe predikimeve përkatëse fetare e të tjera të nevojshme, duke i përgatitur këta dhe për postin e baba-it, që pastaj këta të shërbejnë e predikojnë dhe nëpër teqe të tjera. Ndër klerikët të tillë si më të njohur të kësaj teqeje, si dhe ata që nga kjo qendër u dërguan të themelojnë faltore bektashiane në këto anë e të predikojnë në to, janë për t'u përmendur, përveç të tjerëve, Kazëll Baba, Balli Baba, Kojun Baba, Javer Baba ose Jarar Baba, Sadredin Baba e shumë të tjerë.
Kojun Baba me fitimin e postit baba, u dërgua me detyrë për themelimin e një teqeje bektashiane në fshatin Shipkovicë të Tetovës, në vendin që edhe sot quhet Vendi i Teqes; ai një kohë në të kaluarën aty dhe shërbeu e predikoi besimin islam bektashian; edhe pas tij në këtë teqe shërbyen dhe klerikë të tjerë bektashianë dhe kjo teqe ekzistoi deri vonë, deri nga mesi i shekullit XX. Për themelimin e kësaj teqeje është ruajtur deri më sot një legjendë mitologjike që ka të bëjë me një mrekulli, ku mes të tjerash, thuhet:
„Që më parë, në kohë të hershme një bari një ditë kur i kulloste dhentë në rrëzat e Sharrit, një dele ndahet prej kopesë së dhenve dhe fillon të ikë me vrap. Bariu duke vrapuar pas deles që ta kthejë në kope, prej lodhjes së madhe rrëzohet dhe, aty në atë vend ndërron jetë. Delja që ikte rrëzimin e bariut të vet e kishte diktuar dhe në atë moment ishte ndalur; pas ndaljes, delja ishte afruar kufomës së bariut dhe kishte ndenjur aty të qëndronte.
Të afërmit e bariut pas një kohe të moskthimit të tij me dhentë prej kullosave, kishin dyshuar, sidomos pas dukjes e kthimit të dhenve pa bariun. Pas kësaj të afërmit e bariut kishin dalur që të kërkojnë atë, dhe pas një kohe të gjatë, bariun e kishin gjetur të vdekur në një vend kullosash. Aty në atë moment bashkë me kufomën e bariut te kryeja e tij ishte dhe delja e përmendur që iku prej kopesë së dhenve, e cila nuk ishte larguar tërë kohën, sa ishte aty kufoma e bariut. Pas kësaj, të afërmit e bariut aty patën bërë dhe tyrben e këtij bariu. Këtë ndodhi fshatarët e fshatit Shipkovicë e kanë quajtur si mrekulli dhe, për atë ata kishin vendosur që në atë vend të ndërtojnë një teqe, e cila do të mbante emrin e deles, nisur nga mrekullia në fjalë, duke e quajtur „Teqeja e Kojun Babës.“